Çfarë fshihet pas parakalimit të ushtrisë serbe në qytetin boshnjak
Pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Serbisë kanë parakaluar të dielën në një paradë ceremoniale nëpër qytetin veriperëndimor boshnjak, Prijedor, më sa duket pa pëlqimin paraprak të shtetit të Bosnje e Hercegovinës, raportoi Radio dhe Televizioni i Republikës Sërpska (RTRS), entitetit serb të Bosnjës. Sipas RTRS-së, ata që parakaluan ishin kadetë dhe veteranë të Akademisë Ushtarake në Beograd.Zheljko Komshiç, zyrtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) ka reaguar në Facebook duke thënë se “duhet të mësohet menjëherë se kush e ka lejuar ushtrinë serbe të hyjë në territorin e shtetit të Bosnje e Hercegovinës”.Advertisement –
“Presidenca e BeH nuk e bëri këtë. A e bëri Ministria e Mbrojtjes? Kjo duhet të mësohet menjëherë. Nëse nuk ishte as Ministria e Mbrojtjes, atëherë është një akt klasik agresioni”, tha Komshiç, i cili është përgjegjës për politikë të jashtme dhe siguri.
Ministri i Mbrojtjes i Bosnje e Hercegovinës, Zukan Helez, dhe zëvendësi i tij, Aleksandar Goganoviç, nuk iu përgjigjën thirrjeve të Radios Evropa e Lirë për koment.
Më 31 maj të vitit 1992, autoritetet serbe të Bosnje e Hercegovinës në Prijedor lëshuan një urdhër, përmes radios lokale, për popullatën joserbe që t’i shënojnë shtëpitë e tyre me flamuj ose çarçafë të bardhë dhe të vendosin shirita të bardhë rreth mëngëve kur të dalin nga shtëpia.
Pas kësaj, më shumë se 3.000 civilë u vranë. Më shumë se 32.000 joserbë nga Prijedori u mbajtën ilegalisht në rreth 60 kampe përqendrimi, përfshirë në Omarska, Keraterm dhe Manjaça.
Në atë qytet në veri të Bosnjës, në zonën e ish-minierës së Tomashicës, u gjet varri më i madh masiv që nga Lufta e Dytë Botërore.
Autoritetet e qytetit në Prijedor, në entitetin serb të Bosnjës që qeveriset nga Republika Sërpska, nuk lejojnë asnjë memorial në kujtim të qytetarëve të vrarë të Prijedorit.
Më 7 korrik, ushtria serbe parakaloi nëpër Prijedor si pjesë e përkujtimit të Betejës së Kozarës të vitit 1942 gjatë Luftës së Dytë Botërore. Parada dhe përkujtimi u organizuan nga qeveria e Republikës Sërpska.
Në paradë morën pjesë edhe zyrtarë të Republikës Sërpska dhe të Serbisë.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, shfrytëzoi këtë ngjarje për ta shtyrë përpara përsëri synimin e tij për shkëputjen e entitetit serb nga Bosnja “nëse Sarajeva, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, përpiqet t’ia marrë pronën e saj”.
Ndër të tjera, ai përsëriti se Republika Sërpska nuk do të lejojë që Bosnja e Hercegovina t’i bashkohet NATO-s.
Burimi