Buron Kaceli në ‘Odeon’: Tirana nuk ka një sallë ekspozitash, shteti të mbështesë artistët

Buron Kaceli në ‘Odeon’: Tirana nuk ka një sallë ekspozitash, shteti të mbështesë artistët

I ftuar në emisionin “Odeon” në Syri TV, piktori i njohur Buron Kaceli ngriti shqetësimin për mungesën e hapësirave të dedikuara për artin pamor në Tiranë dhe mungesën e politikave shtetërore që mbështesin këtë fushë.

“Tirana nuk ka një sallë ekspozitash, janë ca galeri të vogla private, të pamjaftueshme për potencialet kulturore dhe artistike që kemi. Artistë të mrekullueshëm kemi që nuk kanë ku ekspozojnë. Kemi probleme nga më të ndryshmet si vend që kanë të bëjnë me ekonominë, me jetesën, me probleme jetësore, por mendoj që nuk vlerësohet sa duhet kultura, po flasim për artin pamor. Nuk është vlerësuar siç duhet, është një problem po aq i madh kulturor, jetik për popullin. Mendoj që institucionet kanë detyrim të bëjnë shumë më tepër. Ndoshta për muzikën bëhet, se bëjnë aktivitete, letërsia bëhen panaire, për artin pamor bëhet shumë pak. Është shumë gabim, është shumë formues arti pamor për njeriun, ne jemi popull me tradita të mëdha edhe në këtë fushë. Duke u nisur që nga arkeologjia, nga mesjeta me Onufrin me Shpatarakun, me artistë të mëdhenj, pastaj me artin modern me një plejadë artistësh të mëdhenj që na sollën deri në këtë nivel artin shqiptar. Por duhet zhvilluar dhe për të zhvilluar artin në shërbim dhe së bashku me shoqërinë duhen politika shtetërore shumë më të mira që mungojnë.”

Në vijim, gazetarja Egla Xhemalaj e pyeti mbi sugjerimet e tij për politikat shtetërore të nevojshme në mbështetje të artit pamor.

“E kam thënë edhe herë tjetër, ne jemi një vend ‘pëllëmbë dhe histori’, por mungojnë veprat e artit, mungojnë mozaikët, mungojnë skulpturat monumentale. Bëhen komplekse tregtare shumë të bukura, moderne, po si nuk vihet një pikë, si nuk ka një kërkesë nga Ministria, nga institucionet qendrore, apo nga Bashkitë qendrore, që ke një kompleks turistik të ketë edhe një vend për mozaik, të ketë edhe vende që përcaktohen nga arkitektët që kur e ndërtojnë atë, vend për një skulpturë apo ato marketet e mëdha tregtare që po zhvillohen e po bëhen. Njerëzit duhet ta ndjejnë, të jenë vazhdimisht në kontakt me artin. Mundësitë janë, se kemi artistë jashtëzakonisht të mirë.”

Kaceli theksoi se për një vend me një histori të pasur artistike si Shqipëria, mungesa e mbështetjes institucionale për artin pamor përbën një problem serioz që duhet adresuar urgjentisht.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente