Vrasja e biznesmenit Behar Sofia, GJKKO dënon me 35 vite burg Jemin Sherën, organizatorin e ekzekutimit

Vrasja e biznesmenit Behar Sofia, GJKKO dënon me 35 vite burg Jemin Sherën, organizatorin e ekzekutimit

GJKKO ka shpallur fajtor dhe ka dënuar në mungesë me 35 vite burg, Jemin Sherën, i akuzuar si organizator i vrasjes së biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur në shkurt 2021.

Në njoftimin zyrtar GJKKO thote se llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Shera akuzohet për “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturor kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturor kriminal”
Po kaq vite burg kërkoi edhe SPAK, e cila tha se nga hetimet ka rezultuar se Shera i njohur ndryshe edhe si ‘Bajlozi’ në qarqet e krimit në vend,  e ka marrë porosinë nga persona ende të paidentifikuar për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe më pas ka vënë në zbatim planin, duke krijuar një grup të posaçëm kriminal.
Për ekzekutimin mafioz Gjykata e Posaçme ka dhënë 127 vite burg gjithsej për 5 pjesëmarrësit. Janë dënuar nga 30 vite burg 4 Bujar Leza, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Xhuljano Visha, ndërsa ekzekutuesi Ernejt Shyti u dënua me vetëm 7 vite burgim për shkak se u bë bashkëpunëtori i drejtësisë dhe zbardhi të gjithë ngjarjen.
Hetimet e SPAK
Referuar të dhënave zyrtare të dala nga SPAK-u, bëhet me dije se është Jemin Shera i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së biznesmenit Behar Sofia. Dhe për këtë fakt, SPAK-u ka nxjerrë një urdhërarrest ndaj tij pikërisht në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, që ka rezultuar si pjesëmarrës në vrasjen e Sofisë. Duke iu referuar dosjes hetimore bëhet me dije se nga kamerat e sigurisë është parë dhe fiksuar fakti se Shera është i ulur në një tavolinë me Skënder Vathin, personin e dyshuar si organizator i vrasjes dhe më pas i jep një letër.
Më herët, teksa dolën të dhënat e kësaj dosjeje, Prokuroria theksoi se është bërë këqyrja e pjesshme e pamjeve filmike të DVR-së sekuestruar te bar “Komiteti”, i cili gjendet në kryqëzimin e rrugës “Fatmir Haxhiu” me rrugën “Papa Gjon Pali II”. Kjo këqyrje është kryer me objekt konstatimin e lëvizjeve të personit të ndaluar Skënder Vathi për datën 25.2.2021.
Gjatë këqyrjes, është konstatuar se ky person është shfaqur në lokalin në fjalë rreth orës 08:26:48, sipas orës së shënuar në DVR, e cila mësohet se është një orë para orës lokale. Në orën 08:27:03 shtetasi i dyshuar ulet në tavolinë në prani të një personi tjetër i njohur si Jemin Shera.
Pas 11 minutash, pra në orën 08:38:20, shtetasi Jemin Sheraj duket se i jep diçka, në dukje letër, shtetasit të dyshuar Skënder Vathi, i cili largohet nga lokali. Është bërë paraqitja për njohje nga ana e shtetasit Ernejt Shyti të personave që ai njeh me emrin “Daja” dhe personi, i cili i ka dhënë foton e viktimës.
Sipas të dhënave në kërkesën e paraqitur nga akuza, theksohet ndër të tjera se në analizë të rezultateve hetimore, duke marrë në konsideratë aktet e administruara deri më tani, provat shkencore dhe deklarimet rezulton se në ngjarjen e datës 25.02.2021 ku ka mbetur i vrarë shtetasi Behar Sofia, deri më tani, kanë qenë protagonistë shtetasit e ndaluar me këto role konkrete: Ernejt Shyti në rolin e ekzekutorit, i cili ka kryer vrasjen.
Për këtë fakt ai është kontaktuar dhe bindur nga ana e shtetasit Xhuljano Visha, i cili e ka shtyrë të bëjë këtë vrasje kundrejt shpërblimit, si dhe ka siguruar armën dhe mjetin biçikletë me të cilën ka lëvizur ekzekutori ditën e ngjarjes së rëndë.
Organizator i vrasjes, deri në këtë fazë të hetimit është konsideruar shtetasi Skënder Vathi, në bashkëpunim dhe i ndihmuar edhe nga shtetasi Leonard Xhixha, të cilët kanë kontaktuar shtetasin Xhuljano Visha dhe ky ka gjetur edhe ekzekutorin që tashmë është i prangosur.
SPAK pretendon se me arrestimin e Sherës do të mundësohet edhe gjetja e motivit të asaj vrasjeje, pasi deri më tani ende prokuroria nuk ka një version të saktë se përse u vra ai person. Madje në kohën e vrasjes, u dhanë versione të shumta, por që asnjë nuk është konkretizuar nga ana e grupit hetimor.
Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Jemin Shera, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendimin”, e kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armeve shpërthyese dhe i municionit” kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Etleva Deda, me vendimin Nr. 24, datë 12.03.2025 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës B.S, parashikuar nga nenet 78, pg 2 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe në bazë të këtyre dispozitave dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Jemin Ali Shera, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i ameve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278, pg 1 në lidhje me nenet 28/4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja d) të K.Pr.Penale, pasi nuk provohet që e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Jemin Ali Shera, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 4 (katër) vite burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Jemin Ali Shera dënohet me një dënim të vetëm prej 35 (tridhjetë e pesë) vite burgim.
Llogaritja e dënimit fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit dhe dënimi me burgim nga i pandehuri Jemin Ali Shera do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në referim të parashikimeve të nenit 16, pika 1, të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në bazë të nenit 190, pika 1 të K.Pr.Penale, sendet e sekuestruara provë materiale, te bashkohen me fashikullin e gjykimit.
Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit përkatës, si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës, i ngarkohen të pandehurit të deklaruar fajtor me këtë vendim.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente