
Tri kasaba osmane Vlora, Berati dhe Gjirokastra gjatë shekullit XIX! Historia e tyre, pas pushtimit osman u kthyen se qendra të ejaletit të Rumelisë
Për herë të parë në historiografinë shqiptare dhe turke, historia e këtyre tri qyteteve gjatë shekullit XIX, jepet e plotë nga pikëpamja e organizimit administrativ mbas pushtimit të tyre prej Perandorisë Osmane në vitin 1417, të cilat do të kthehen jo vetëm si qendra të ejaletit të Rumelisë dhe mbas vitit 1870 edhe qendra të vilajetit të Janinës…
NGA KUJTIM NURO*
Fondacioni ALSAR, nën drejtimin e Z. Mehdi Gurra, në vazhdimësinë e botimeve me vlera të mëdha në fushën e historisë dhe të kulturës mbarkombëtare shqiptare, ka botuar këto ditë në gjuhën shqipe edhe punimin mjaft interesant dhe shkencor të studiuesit turk Ilkay Erken (Ilkaj Erken) me titull: “Tri kasaba osmane Vlora, Berat dhe Gjirokastra” (Shek. XIX). Përkthimi i këtij studimi të thelluar është bërë nga përkthyesi i talentuar dhe mjeshtri i njohjes së kësaj gjuhe, Stefan Vuçani. Përsosmëria e këtij përkthimi është arritur edhe si rrjedhojë se përkthyesi i lartpërmendur njeh në shkallën më të lartë të dyja gjuhët: gjuhën shqipe dhe turke, duke i shtuar njëkohësisht edhe përkushtimin e tij, që publikut t’i japë në dorë një vepër sa tërheqëse në lexim dhe po aq kuptimplotë nga ana historike.
Studiuesi turk Ilkay Erkan është pedagog në departamentin e Historisë të Fakultetit të Shkencave Humane dhe Sociale pranë Universitetit “19 Maj”, Samsun (Turqi). Ky punim i tij, nuk është i vetëm në fushën e kërkimeve lidhur me historinë e Shqipërisë gjatë periudhës së administrimit osman. Ai, përveç artikujve në revistat shkencore të Republikës së Turqisë për arsimimin në vilajetin e Shkodrës gjatë periudhës 1870 -1912, ka botuar në turqisht edhe dy libra të tjerë me tituj: “Struktura sociale dhe administrative e vilajetit të Shkodrës (1867-1914” si dhe “Struktura administrative dhe njësitë e vendbanimit të sanxhakut të Janinës (1867-1913)”. Në kryerjen e këtyre studimeve, Ilkay Erkan, ka pasur edhe nxitjen dhe mbështetjen e pandërprerë të prof. dr. Nedim Ipek, prof. dr. Mucize Unlu dhe të prof. dr. Ibrahim Tellioglu. Bile, shtëpia botuese “Dituria” në vitin 2023, ka botuar edhe një studim të prof. dr. Mucize Unlu me titull; “Vilajeti i Kosovës 1877-1912”. përkthyer nga autori i këtyre rreshtave.
Botimi i librit “Tri kasaba osmane Vlora, Berati dhe Gjirokastra” është një studim krejtësisht origjinal dhe që për herë të parë në historiografinë shqiptare dhe turke, historia e këtyre tre qyteteve gjatë shekullit XIX – të jepet e plotë nga pikëpamja e organizimit administrativ mbas pushtimit të tyre prej Perandorisë Osmane në vitin 1417, të cilat do të kthehen jo vetëm si qendra të ejaletit të Rumelisë dhe mbas vitit 1870, edhe qendra të vilajetit të Janinës. Autori Ilkay Erken për realizimin e këtij studimi kaq të hollësishëm është mbështetur në radhë të parë në burimet e shumta arkivore osmane, të cilat ndodhen në arkivat e Stambollit, por edhe në burimet e pasura arkivore të dokumenteve osmane, që ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, si në regjistrat e gjykatave të Beratit, Gjirokastrës, Vlorës dhe të Janinës.
Burim tjetër me të dhëna të rëndësishme kanë qenë edhe vjetarët statistikorë osmanë, që kanë filluar të botohen nga Porta e Lartë në vitin 1847 dhe nga vetë vilajetet, në vitin 1870. Libri përbëhet nga një hyrje e zgjeruar lidhur me pushtimin osman në Shqipëri, kufijtë e territoreve shqiptare dhe organizimin administrativ të tyre, i cili gjatë shekujve ka ndryshuar sipas situatave dhe gjendjes politike që ato ndodheshin. Gjithashtu, libri është ndarë në tre kapituj, titujt e të cilëve janë: 1. Vlora, një kasaba në bregun e Adriatikut, 2. Berati, qendra e Toskërisë, 3. Gjirokastra, qendra e Labërisë. Studiuesi, këtë ndarje e ka bërë duke u mbështetur jo vetëm në veçoritë gjeografike, që ato kanë ndërmjet tyre, por edhe në veçoritë e kulturës, që i bën ato të dallojnë njëra nga tjetra, jo vetëm me Shqipërinë e Veriut, por edhe brenda Shqipërisë së Jugut, ku ato ndodhen. Për secilën nga këto qendra, si qendra të sanxhaqeve, autori në mënyrë të detajuar, duke shfrytëzuar burime të shumta bibliografike, ka dhënë prejardhjen dhe kuptimin e emrave të tyre që janë përdoruar që nga kohët e lashta dhe deri në vitet që ai ka marrë për të studiuar.
Njëkohësisht, lexuesi dhe studiuesi do të gjejnë një informacion të mjaftë për secilën nga këto qendra lidhur me kazatë që ato përfshinin, lagjet së bashku me emrat përkatës, kalatë e ndërtuara para dhe mbas pushtimit nga Pora e Lartë, shndërrimin e këtyre kalave edhe në qendra banimi, strukturën demografike të ndarë sipas viteve, kazave dhe kasabave, duke bërë krahasimin e rritjes apo uljes së numrit të popullsisë, duke filluar që nga koha e pushtimit osman dhe deri në fillim të shek. XXtë. Në mënyrë të hollësishme është dhënë edhe struktura fetare e këtyre kasabave, të popullsisë myslimane dhe jo myslimane, institucioneve të ngritura sipas besimit, që i përkisnin, si xhami, kisha, manastire, teqe. Por, krahas tyre është dhënë në mënyrë të detajuar edhe ndërtimi i shkollave fillore, të mesme dhe të liceve, si shkolla përgatitore për në shkollat e larta universitare, numrin e nxënësve, mësuesit dhe rrogat e tyre, të ngritura këto shkolla jo vetëm për fëmijët e besimit mysliman, por edhe të besimit jo mysliman, si për besimin ortodoks, për fëmijët e popullsisë së hebrenjve, vllehve, etj.
Vend të rëndësishëm në secilin prej kapitujve zënë edhe të dhënat e shumta për zhvillimin ekonomik të kasabasë së Vlorës, Beratit dhe të Gjirokastrës, por edhe të kazave që ato përfshinin, zejet, esnafet e tyre, prodhimet në fushën e bujqësisë dhe të blegtorisë, eksportin dhe importin e mallrave me vendet e tjera si me Austrinë, Francën, Greqinë, Gjermaninë, Italinë, etj. Autori thekson se këto tri qendra për Perandorinë Osmane kanë pasur një rëndësi të veçantë jo vetëm nga pikëpamja administrative dhe ushtarake, por edhe nga ana ekonomike, sepse ato, veçanërisht Vlora dhe Durrësi ishin edhe baza të rëndësishme të porteve detare. Studiuesi Ilkay Erkan, i cili ka përgatitur këtë studim kaq të rëndësishëm dhe me vlerë historike si dhe me një përkushtim të madh, përkthyesi i njohur Stefan Vuçani dhe fondacioni ALSAR, që e ka botuar këtë libër, meritojnë një falënderim dhe mirënjohje të veçantë.
*Studiues
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi