Skandali tek Spitali i Onkologjikut, Berisha: Është denoncuar me qindra herë! Çdo gjë vidhet nga ministria e antishëndetit, e vdekjes dhe hajnive
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reguar lidhur me skandalin e bërë publik ditën e sotme, ku mjekë të spitalit në Onkologjikut pranë QSUT-së përdornin skema për të mos i ofruar shërbimin pacientëve në QSUT dhe i drejtonin në spitalet private ose në klinika ku ata punonin.
Berisha u shpreh nga ballkoni banesë së tij, se kjo që japin mediat sot është denoncuar me qindra herë dhe se sipas tij, “rrënjët e saj janë te Rama, Manastirliu dhe Beqaj”.
Demokrati u shpreh se shqiptarëve me shëndetësinë falas u ndodhi detyrimi për të paguar 60 përqind për kujdesin shëndetësor nga xhepi i tyre, ndërsa shtoi se “çdo gjë vidhet nga ministria e antishëndetit, nga ministria e vdekjes dhe hajnive”.
“Është e pafalshme, është çnjerëzore kur mendon se njerëz, vajza, djem, burra, gra, prindër i merr sëmundja sepse nuk ekzistojnë ilaçet. Dorëzohen para vdekjes sepse nuk blejnë dot ilaçet”, u shpreh Berisha.
Fjala e plotë e Berishës
Mirëmbrëma dhe mirënjohjen më të pakufishme për protestën, qëndresën tuaj qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur për një kauzë të drejtë, kauzën e lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt oratorëve që kanë shndërruar këtë platformë në platformën e mendimit të lirë, fjalës së lirë.
Protesta dhe fjala juaj kanë tmerruar, i kanë kallur datën gjer në palcë Edi Ramës dhe lakejve të tij.
Si kurrë ndonjëherë, mbi ju është vendosur një censurë totale nga mediat e kontrolluara nga Edi Rama sepse këtu thuhen të vërtetat më të hidhura.
Këtu damkoset narkoshteti.
Këtu mbrohet interesi kombëtar dhe interesat e çdo qytetari shqiptar që jeton me mundin, djersën e tij dhe që e do këtë vend një vend të lirë.
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Sot nga thellësitë e shpirtit dhe zemrës të çdo shqiptari që e do Shqipërinë, të çdo qytetari që do lirinë, vjen një thirrje për secilin prej jush, të bashkohemi në mosbindje civile dhe protestë për të çelur për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e mbyllura të shpresës.
Dyert e mbyllura të begatimit.
Dyert e mbyllura të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Sot, çdo shqiptar është i thirrur të ngrihet në sakrifica dhe të mos lejojë që vendi i tij të tretet, të shkretohet, të pakësohet dhe varfërohet çdo ditë e më shumë.
Miqtë e mi, sot të përcjellësh me indiferencë këto zhvillime dramatike, të cilat me tërësinë e tyre nuk i pëson asnjë vend tjetër në botë.
Unë nuk di një vend tjetër në planet që në 8 vite të ketë humbur në dhera të tjera 35 përqind të popullatës.
Unë nuk di një vend tjetër në planet që në 10 vite numri i maturantëve të ketë rënë me 42 përqind.
Unë nuk di një vend tjetër në planet që në arsimin e tij të ketë rënë, të jetë rrokullisur në mënyrë vertikale me 62 pikë në 8 vite.
Unë nuk di asnjë vend tjetër në planet në të cilin të ardhurat për frymë janë krejt tjera, kurse 18 përqind e fëmijëve të tij nuk sigurojnë dot më shumë se një apo dy vakte në ditë. Dhe 47 përqind e fëmijëve janë në uri të moderuar.
Nuk ekziston pra asnjë vend tjetër, pikërisht se këtë gjëmë të regjimit e përjetojnë shqiptarët.
Ata rrokullisen më poshtë në dije se të gjitha vendet e tjera në shkolla.
Se ata rrokullisen për ushqimin e fëmijëve të tyre 6 vende ndër Ugandën që përjetoi luftën e tmerrshme civile. 5 vende ndër Çadin. 18 vende ndër Serbinë.
Çfarë duhet të na ndodhë ne? A nuk janë këto të këqija të mëdha që trokasin derë më derë në këtë vend dhe në këto shtëpi?
Çdo ditë, ju dëgjoni skandale. Por gjithçka përcaktohet mbi të gjitha nga vjedhjet e Edi Ramës dhe ministrave të tij.
Sot mediat paraqitën raste dramatike në trajtimin e të sëmurëve me sëmundje malinje.
Miq, po kjo që japin mediat sot është denoncuar me dhjetëra e qindra herë dhe rrënjët e saj janë tek Edi Rama, Ogerta Manastirliu, Ilir Beqa, ish-kunata e Edi Ramës.
Miq, po sa herë është denoncuar në media se të sëmurët me neuroplasira nuk marrin dot ilaçet se mungojnë?
A ka krim më të shëmtuar se sa kobalto-terapia që ka të paktën 40 vite e instaluar në atë spital, të mos funksionojë sot? Sepse vjedh Odeta, sepse vjedh Rama, se këta faqezinj nuk kanë nder e moral, nuk kanë shpirt.
Miqtë e mi, çfarë u ndodhi shqiptarëve me shëndetësinë falas?
Shqiptarëve me shëndetësinë falas u ndodhi detyrimi për të paguar 60 përqind për kujdesin shëndetësor nga xhepi i tyre.
Po pse? Po çdo gjë vidhet nga ministria e antishëndetit, nga ministria e vdekjes dhe hajnive.
A e dini ju se nga Kovidi për shkak të vjedhjes së qindra milionë eurove me tendera të fshehtë nga ajo zonja që meriton të quhet Zonja Vdekje, a e dini ju se ne patëm dy herë më shumë vdekje se Kosova. Dy herë më shumë vdekje se Maqedonia.
U ngjitëm në çatinë e botës për vdekjet nga Kovidi. Po pse? Se Rama dhe Odeta bënin tendera sekrete, tenderonin 50 respiratorë dhe merrnin vetëm 5.
Se blinin me çmime stratosferike për të ndarë paratë.
Se e shndërruan Tiranën dhe Shqipërinë në spital dhe nuk shtronin të sëmurët në spitale.
A e dini se ajo situatë ekziston sot në të gjithë sektorët e shëndetësisë. Po, po!
Për arsye se kur vjedh ministrja, kur vjedh kryeministri, kur vjedh drejtori, të tjerët ndjekin rrugën e tyre.
A janë bërë sot çështjet e shëndetit, çështje emergjence për këtë komb? Sigurisht, për ata që janë të shëndetshëm, nuk janë. Për ata që nuk kanë të sëmurë, nuk janë.
Por për çdo familje që ka të sëmurë, sot problemet e shëndetit janë problemet më të mprehta, më të dhimbshme, më dramatike se në çdo vend tjetër.
Edhe në këtë kontekst është emergjencë e të gjitha emergjencave përmbysja e kësaj qeverie. Qeveria teknike, zgjedhjet e lira, zgjedhjet e ndershme, opozita në pushtet.
Miqtë e mi, nuk ka krim më të shëmtuar se të lësh fëmijët, të lësh 18 përqind të fëmijëve të vendit tënd me një apo dy vakte në 24 orë.
Nuk ka krim më të shëmtuar se të lësh 47 përqind të fëmijëve tënd në uri.
Na thuaj Edi Rama, ato paratë që merr zonja jote për studimet nga UNICEF-i, çfarë të thonë apo majmeni si derra dhe fëmijët vdesin urie, largohen nga Shqipëria. Turp të keni!
Miqtë e mi, duhet të jap besën dhe fjalën çdo shqiptari se brenda muajit të parë do të vendoset sistemi që çdo fëmijë kudo që të jetë të mos ketë asnjë problem për ushqimin dhe vaktet që i takojnë.
Qeveria e ardhshme e konsideron këtë emergjencë të të gjitha emergjencave.
Një vend me fëmijë të uritur është një vend i lemeritur.
Një vend me fëmijë të uritur është një vend ku nuk mund të jetohet.
Ja pra pse ikin shqiptarët, sepse nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre.
Vetëm ky faktor, vetëm kjo e dhënë është e vlefshme për çdo rebelim, për çdo kryengritje, për çdo sulm, për çdo përmbysje.
Nuk premtojmë shëndetësi falas, por premtojmë shërbim dinjitoz. Shërbim shëndetësor në të cilin shteti do të marrë përsipër të gjithë koston spitalore të mjekimit dhe të gjithë ilaçet e sëmundjeve të rënda, pavarësisht janë apo nuk janë në listën e OMS-it.
Është e pafalshme, është çnjerëzore kur mendon se njerëz, vajza, djem, burra, gra, prindër i merr sëmundja sepse nuk ekzistojnë ilaçet.
Dorëzohen para vdekjes sepse nuk blejnë dot ilaçet.
Edi Rama udhëton me avion taksi, në dy vite 140 herë, të mjaftueshme këto për të gjitha ilaçet e sëmundjeve të rënda. Edhe ato më modernet.
Po nuk ka shpirt që të ndjejë dhimbjen, klithmën e jetës së qytetarëve shqiptarë.
Nuk ka shpirt të ndjejë dhimbjet e urisë të fëmijëve shqiptarë.
Prandaj të gjithë së bashku në protesta, të gjithë së bashku në betejë.
Sepse ju dhe vetëm ju jeni shpresa e fundit e shqiptarëve.
Jeni shpresa e vetme e shqiptarëve.
Mos mendoni se kurrë se zgjidhje tjetër përveç jush.
E dini ç’po ndodh në Skrapin e partisë?
Ministrat çojnë strajcat me para para se të shkojnë.
Hyjnë dhe dalin serbes, të sigurt se kanë paguar haraçin Zamanëve që nuk kanë ligj dhe as moral. Llum njerëzor që shkelmojnë Kushtetutën dhe çdo parim.
Kriminelë që amnistojnë vjedhjen e votave, duke vrarë shpresën e shqiptarëve për rotacion.
Kriminelë që amnistojnë vjedhjet e shekullit dhe janë bërë mburojë kriminale e shëmtuar e hajdutëve qeveritarë, e narkoshtetit.
Shpresa e vetme jeni ju, është guximi juaj, është aftësia juaj për t’u bashkuar me të gjithë shqiptarët.
Ne jemi në betejë, beteja jonë do triumfojë.
Asgjë nuk mund të na ndalë ne, asgjë në botë nuk do mund të na ndalë pa realizimin e qëllimeve tona.
Edhe njëherë, të premten në ora 11:00 te bashkia për të nxjerrë për zverku jashtë Erion Veliajn dhe për ta varur në shtyllën e turpit të historisë këtë monstër vjedhje që e ka shndërruar bashkinë në pronë personale.
Që pasuron vëlla, bashkëshorte, vjehërr, dajë, teze, stërteze, kë nuk ka.
11-a është dita e shqiptarëve. Dita e shqiptarëve në Shqipëri, diasporë, në mbarë botën, kudo që janë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
<a class=”source-link” href=”http://www.panorama.com.al/skandali-tek-spitali-i-onkologjikut-berisha-eshte-denoncuar-me-qindra-here-cdo-gje-vidhet-nga-ministria-e-antishendetit-e-vdekjes-dhe-hajnive/”>Burimi</a>