“Shqipëria ka një mundësi historike për të arritur”- Ambasadori Gonzato: Mbështesim ambiciet për mbylljen e negociatave! Të përshpejtohen reformat për të përfituar nga fondet e BE

“Shqipëria ka një mundësi historike për të arritur”- Ambasadori Gonzato: Mbështesim ambiciet për mbylljen e negociatave! Të përshpejtohen reformat për të përfituar nga fondet e BE

Shqipëria ka një mundësi historike për të arritur. Në kontekstin e turbullt aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm për BE-në dhe për Shqipërinë. Ne mbështesim ambiciet e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ndan në një intervistë të posaçme për Monitor, vizionin e tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, sfidat që duhen adresuar dhe mbështetjen e BE-së për të përshpejtuar këtë rrugëtim.
Ai thekson rëndësinë e reformave në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe përafrimin me standardet europiane si faktorë kyç për avancimin e negociatave.
Ambasadori Gonzato flet gjithashtu për Projektin e Mbështetjes së Integrimit në BE (EUIS), një nismë prej 7.2 milionë eurosh që synon të ndihmojë Shqipërinë në procesin e negociatave dhe përafrimin ligjor me BE-në.
Ai vë në pah suksesin e projekteve të financuara nga BE-ja në Shqipëri, duke përfshirë programet e bashkëpunimit territorial dhe investimet në infrastrukturë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në një kontekst më të gjerë, Ambasadori trajton rolin e Shqipërisë në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar reformat e nevojshme për tërheqjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Ai nënvizon sektorët me potencial të madh për investime nga BE-ja, si energjia e rinovueshme, turizmi dhe teknologjia. Gjithashtu, z. Gonzato ndan perspektivën e tij mbi rolin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare, duke vlerësuar kontributin e saj në organizatat multilaterale dhe angazhimin e saj si një partner i besueshëm i BE-së në çështje gjeopolitike.
Duke marrë në konsideratë përvojën tuaj të gjerë diplomatike dhe rolin aktual si ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri, cilat janë prioritetet tuaja kryesore për të avancuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE? Cilat janë disa nga sfidat kryesore që Shqipëria duhet të adresojë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE?
Shqipëria ka një mundësi historike për të arritur. Në kontekstin e turbullt aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE-së nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm për BE-në dhe për Shqipërinë. Ashtu si Komisionerja Marta Kos e bëri të qartë gjatë vizitës së saj në Shqipëri javën e kaluar, ne mbështesim ambiciet e Shqipërisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Perspektiva për anëtarësim në BE është reale dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë është plotësisht i mobilizuar për ta mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim. Megjithatë, zgjerimi mbetet një proces i bazuar në merita.
Kjo do të thotë se Shqipërisë do t’i duhet të intensifikojë më tej ritmin e reformave të orientuara nga BE-ja, duke filluar me sundimin e ligjit, luftën efektive ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicat.
Në fushën ekonomike, Shqipëria duhet të përshpejtojë përgatitjet për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, BE-ja synon të japë një shtysë të madhe drejt mbylljes së hendekut të konvergjencës ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Së fundi, një sfidë e madhe për Shqipërinë është përafrimi me standardet e BE-së në të gjitha fushat që mbulohen nga ligjet e BE-së. Kjo kërkon jo vetëm ndryshime në ligje, por edhe kapacitete administrative, buxhete, investime.
Shqipëria ka arritur tashmë hapa të rëndësishëm në muajt e fundit. Në tetor 2024, ne hapëm negociatat për Grup-kapitullin 1, të ashtuquajturat “Themeloret” e procesit të anëtarësimit, të cilat përfshijnë shtetin e së drejtës, të drejtat themelore, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.
Progresi në këto fusha thelbësore do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave. Në dhjetor 2024, ne hapëm bisedimet për Grup-kapitullin 6, i cili mbulon Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, si dhe politikën tregtare.
Shqipëria e arriti këtë, ndërsa vazhdon të jetë një partnere e besueshme e sigurisë për BE-në në skenën globale, e lidhur fort me BE-në në kontekstin e paqëndrueshëm aktual gjeopolitik. Dhe tani jemi duke diskutuar për hapjen e grup-kapitujve të tjerë, gjë që shpresoj se do të ndodhë në muajt në vijim.
Më lejoni të shtoj edhe dy elemente të rëndësishme. Së pari, procesi i anëtarësimit nuk është një “ushtrim me plotësim kutizash”;
Shqipëria do të duhet të tregojë se reformat po zbatohen, se ato janë të qëndrueshme dhe se po ndërtohen kapacitete administrative afatgjata. BE-ja shikon një pamje më të gjerë: si po funksionojnë institucionet demokratike të Shqipërisë? A janë nismat e politikave në përputhje me angazhimet e anëtarësimit në BE?
Së dyti, ndërsa negociatat përshpejtohen, është edhe më e rëndësishme që qeveria të vendosë mekanizma efektivë për të komunikuar, për të konsultuar, si dhe për të marrë parasysh pikëpamjet dhe interesat e shoqërisë civile, biznesit dhe aktorëve të tjerë shoqërorë.
Kjo nuk është vetëm një çështje transparence, llogaridhënieje, por edhe e qasjes në ekspertizën e duhur. Proceset e mëparshme të zgjerimit kanë treguar se qeveritë kanë nevojë për ekspertizën e aktorëve joshtetërorë për të kuptuar ndikimin e harmonizimit me acquis të BE-së në sektorë të ndryshëm.
BE-ja ka nisur së fundmi Projektin e Mbështetjes së Integrimit në BE (EUIS), një nismë prej 7.2 milionë eurosh për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë. Çfarë përfitimesh konkrete pritet të sjellë ky projekt për institucionet shqiptare dhe qytetarët?
BE-ja e nisi këtë projekt për ta mbështetur Shqipërinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, në mënyrë të synuar. Projekti do të ofrojë ekspertizë nëpërmjet ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë për ta mbështetur Shqipërinë në koordinimin e procesit të negociatave dhe harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së në të 35 kapitujt e negociatave.
Projekti do të ndihmojë Shqipërinë për të përfituar nga të gjitha mundësitë e disponueshme të paraanëtarësimit, të tilla si pjesëmarrja në programet e BE-së dhe strukturat e ndryshme të BE-së, edhe para se të bëhet zyrtarisht shtet anëtar i BE-së.
Ne duam gjithashtu të përgatisim dhe trajnojmë stafin e administratës publike për t’u siguruar që institucionet shqiptare janë plotësisht të përgatitura për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit në BE.
Së fundi, ndërsa Shqipëria i afrohet anëtarësimit të plotë në BE, si qeveria ashtu edhe BE-ja në Shqipëri duhet të sigurohen që procesi t’u komunikohet qytetarëve në mënyrë transparente dhe të kuptueshme.
Nëpërmjet projektit EUIS, ne do të mbështesim përpjekjet për të forcuar komunikimin dhe transparencën mes qeverisë dhe aktorëve joshtetërorë.
 
Në kontekstin e bashkëpunimit territorial, cilat janë disa nga projektet më të suksesshme të financuara nga BE-ja në Shqipëri dhe si kanë ndikuar ato në zhvillimin e komuniteteve lokale?
BE-ja është donatori më i madh i Shqipërisë – që nga viti 2007, kemi angazhuar mbi 1.4 miliardë euro në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore, demokracinë dhe qeverisjen, transportin dhe energjinë, mjedisin dhe veprimin klimatik, bujqësinë dhe zhvillimin rural, konkurrueshmërinë dhe inovacionin, arsimin, punësimin dhe politikat sociale, si dhe bashkëpunimin rajonal.
Sigurimi i solidaritetit dhe reduktimi i hendekut ekonomik dhe social midis vendeve, si dhe midis rajoneve brenda të njëjtit vend, mbeten në qendër të projektit europian. Shqipëria merr pjesë në nëntë programe të bashkëpunimit territorial të BE-së, të cilat synojnë nxitjen e zhvillimit rajonal dhe kohezionit në mbarë Europën.
Këto përfshijnë bashkëpunimin ndërkufitar, që inkurajon bashkëpunimin midis rajoneve fqinje për të trajtuar sfida të përbashkëta si mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i infrastrukturës; bashkëpunimin transnacional, që bashkon disa vende për të adresuar çështje më të gjera si ndryshimet klimatike, inovacioni dhe planifikimi i qëndrueshëm urban; dhe bashkëpunimin ndër-rajonal, që u mundëson rajoneve të shkëmbejnë njohuri dhe praktika më të mira për të nxitur inovacionin dhe rritjen ekonomike.
Disa projekte të suksesshme të financuara nga BE-ja në Shqipëri tregojnë ndikimin e këtyre programeve në komunitetet lokale.
Një shembull është një nismë e bashkëpunimit ndërkufitar me Malin e Zi për krijimin e një Rezervati Ndërkufitar të Biosferës së UNESCO-s rreth Liqenit të Shkodrës, duke garantuar mbrojtjen afatgjatë të ekosistemeve të tij.
Një tjetër projekt fokusohet në trajtimin e ndotjes kimike në liqen për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të ruajtur këtë ekosistem jetik.
Në fushën e zhvillimit social, projekti Wonder ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e hapësirave urbane për fëmijët, duke përfshirë krijimin e një Këshilli të Fëmijëve në Elbasan. Projekte të tjera ndërkufitare, veçanërisht me Greqinë, kanë punuar për të rritur aksesin dhe lidhjet e transportit përgjatë Bregdetit Jonian dhe për të financuar lidhje të reja rrugore në zonat malore rurale, duke reduktuar izolimin dhe duke përmirësuar aksesin në shërbimet thelbësore.
Si e shihni rolin e Shqipërisë në kontekstin e Planit të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor? A ka ndonjë pengesë që sipërmarrjet europiane hasin kur duan të investojnë në Shqipëri? Si mund të adresohen këto probleme?
Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i BE-së për Ballkanin Perëndimor është një nismë madhore. Ai ka potencialin të sjellë rreth 1 miliard euro për Shqipërinë në formën e granteve dhe investimeve në infrastrukturë. Suksesi i tij varet nga angazhimi i secilit vend për të zbatuar reformat e nevojshme, të cilat janë të përfshira në Agjendat Kombëtare të Reformave.
Në rastin e Shqipërisë, Agjenda e Reformave, e miratuar nga qeveria shqiptare në tetor 2024, përfshin hapa kyç për përmirësimin e klimës së biznesit.
Unë besoj fort se shumë nga reformat e përcaktuara do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e biznesit në Shqipëri.
Për shembull, investitorët e huaj i cilësojnë si pengesat kryesore pasigurinë mbi të drejtat e pronësisë, por edhe probleme të tjera si informaliteti i përhapur, dobësitë në qeverisje dhe sundimin e ligjit, hendeku i madh i pjesëmarrjes në tregun e punës dhe mungesa e infrastrukturës.
Parimi kyç, sipas mendimit tim, është krijimi i një terreni të favorshëm për investitorët vendas dhe të huaj. Bizneset duhet të ndihen të sigurta se Shqipëria ofron një mjedis biznesi të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të drejtë, i mbështetur në rregulla dhe ligje të qarta e transparente. Sigurimi i këtij stabiliteti është thelbësor për të tërhequr investime afatgjata dhe të qëndrueshme.
Në cilët sektorë shihni potencialin më të madh për tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte nga BE-ja?
Fillimisht, më lejoni të theksoj se BE-ja është donatori më i madh, partneri kryesor tregtar që mbulon 72% të eksporteve shqiptare dhe 51% të importeve në Shqipëri, si dhe lider i Investimeve të Huaja Direkte në vend, me më shumë se 55% të totalit të hyrjeve të tyre për periudhën janar-shtator 2024.
Thënë kjo, ka një potencial të lartë për më shumë investime në Shqipëri. Vendi ka potencial të madh në sektorin e energjisë, veçanërisht në energjinë e rinovueshme, ku investitorët europianë mund të luajnë një rol kyç.
Turizmi është një nga sektorët me rritje më të shpejtë dhe një kontribuues i madh në ekonominë e Shqipërisë. BE-ja ka ekspertizë të gjerë në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit që mund t’ia ofrojë Shqipërisë.
Me një fuqi punëtore të re dhe dinamike, Shqipëria është e pozicionuar mirë për t’u bërë një qendër për inovacionin digjital, zhvillimin e softuerëve dhe shërbimet IT, duke u bërë një destinacion tërheqës për kompanitë europiane në sektorin e teknologjisë.
Ka një potencial në rritje në industrinë përpunuese dhe në prodhimin industrial, veçanërisht pasi Shqipëria integrohet më tej në zinxhirët europianë të furnizimit.
Megjithatë, nevojiten investime të mëtejshme kapitale dhe teknologjike.
Secili prej këtyre sektorëve paraqet një mundësi për thellimin e lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe BE-së, duke sjellë investime, inovacione dhe vende pune në vend.
Perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe bashkëpunimi i shtuar rajonal janë faktorë të rëndësishëm për investitorët europianë. Investitorët e rinj të mundshëm duhet ta shohin Shqipërinë si një ekonomi të ndërlidhur me tregjet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe me një perspektivë të qartë integrimi në BE dhe në Tregun e Tij të Përbashkët.
Në këtë kontekst, investimet në shkallë të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës bëhen thelbësore për rritjen e sigurisë, përmirësimin e efikasitetit të eksporteve dhe forcimin e lidhjeve rajonale. Mekanizmi i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ofron stimuj të rinj të rëndësishëm në këtë drejtim.
Duke pasur në konsideratë përvojën tuaj të mëparshme si Zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në Kombet e Bashkuara, si e vlerësoni rolin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe kontributin e saj në organizatat multilaterale?
Nga eksperienca ime si Zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, Shqipëria – e cila në atë kohë ishte anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – është një partner shumë i besueshëm për BE-në, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në kohë të përballjeve të shtuara gjeopolitike.
Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe po zbaton të gjitha sanksionet e BE-së. Po ashtu, Shqipëria ndjek një politikë konstruktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke promovuar marrëdhënie të mira fqinjësore.
Orientimi i qartë strategjik i Shqipërisë është reflektuar edhe në rolin e saj gjithnjë e më aktiv në arenën ndërkombëtare, përfshirë nivelin shumëpalësh, si gjatë Presidencës së saj në OSBE në vitin 2020; roli i saj i rëndësishëm si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në periudhën 2022-2023; si dhe puna e saj aktuale në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së deri në vitin 2026.
Në fushën e tregtisë, Shqipëria ka harmonizuar ngushtë politikat e saj me ato të BE-së, përfshirë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe Mekanizmit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve. Në rajon, Shqipëria luan një rol konstruktiv në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe punon për zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.
 
Programi “Erasmus+” ka ofruar mundësi të shumta për të rinjtë shqiptarë në fushën e arsimit dhe trajnimit. Si e vlerësoni pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë program dhe çfarë mund të bëhet për të rritur përfitimet nga ky bashkëpunim?
“Erasmus+” është një nismë kryesore e BE-së që mbështet arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në të gjithë Europën dhe më gjerë. Ndërsa është i njohur gjerësisht për ofrimin e bursave për studentët që të studiojnë në universitetet europiane, ndikimi i tij shtrihet përtej kësaj.
Programi promovon gjithashtu shkëmbimet e stafit akademik dhe mësuesve, shkëmbimet rinore dhe vullnetarizmin, bashkëpunimin në fushën e sportit midis vendeve europiane, si dhe projektet e përbashkëta midis universiteteve dhe shkollave.
Shqipëria është përfshirë në këtë program që nga viti 1992, duke e bërë atë vendin e parë në rajon që ka përfituar nga “Erasmus”. Gjatë viteve, mijëra studentë, mësues, punonjës rinorë dhe organizata arsimore kanë marrë pjesë, duke fituar përvoja të vlefshme dhe duke forcuar lidhjet me institucionet europiane.
Aktualisht, shumë projekte bashkëpunimi drejtohen nga ose përfshijnë universitetet shqiptare si partnerë. Këto projekte mbulojnë një gamë të gjerë temash, nga integrimi europian dhe të drejtat e njeriut tek angazhimi i të rinjve, ndryshimet klimatike dhe më tej.
Qëllimi i tyre është modernizimi i kurrikulave dhe përmirësimi i cilësisë dhe rëndësisë së mësimdhënies. Duke lidhur universitetet shqiptare me partnerë europianë, “Erasmus+” mundëson shkëmbimin e njohurive dhe praktikave më të mira, duke ndihmuar në përafrimin e sistemit të arsimit të lartë në Shqipëri me standardet europiane.
Besoj fort se Shqipëria duhet të vazhdojë ta shfrytëzojë këtë program – si tani ashtu edhe pas anëtarësimit – jo vetëm për të krijuar mundësi më të mira për studentët, studiuesit dhe stafin akademik, por edhe për t’i inkurajuar ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
“Erasmus+” mund të shërbejë si një shtyllë kryesore në parandalimin e largimit të trurit dhe emigracionit, duke ndihmuar në mbajtjen e individëve të talentuar që do të kontribuojnë në zhvillimin dhe prosperitetin e Shqipërisë.
Në një intervistë të fundit, ju përmendët se mungesa e një linje hekurudhore që lidh Shqipërinë me rrjetin europian ka ndikuar në vendimin e djalit tuaj për të mos vizituar vendin. Si e shihni zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri dhe çfarë hapash mund të ndërmerren për të përmirësuar këtë situatë?
Mungesa e një lidhjeje të drejtpërdrejtë hekurudhore me rrjetin europian ka qenë prej kohësh një sfidë, duke kufizuar lëvizshmërinë dhe aksesin për qytetarët, bizneset dhe vizitorët. Megjithatë, progresi është duke u bërë dhe sektori hekurudhor po fillon të shohë zhvillime të rëndësishme.
Një sistem modern, i gjelbër dhe i mirëlidhur hekurudhor jo vetëm që do të rrisë potencialin ekonomik të Shqipërisë, por gjithashtu do ta bëjë vendin më të aksesueshëm për turistët dhe banorët, më tërheqës për investime dhe në përputhje me standardet europiane të transportit.
BE-ja ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e hekurudhave në Shqipëri, duke njohur rolin kyç të transportit të qëndrueshëm dhe efikas. Disa projekte kryesore, të financuara përmes granteve dhe ndihmës teknike të BE-së, janë aktualisht në zbatim:

Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës, i cili do të modernizojë një nga rrugët më të ngarkuara të transportit në vend.
Ndërtimi i një lidhjeje të re hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke përmirësuar aksesin për udhëtarët.
Puna e ardhshme për linjën Vorë–Hani i Hotit, e cila do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me rrjetin europian përmes Malit të Zi.

Për të avancuar më tej sektorin hekurudhor, është thelbësore të forcohet bashkëpunimi me BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për të tërhequr investime shtesë, për të siguruar zbatim efikas të projekteve dhe për të zgjeruar lidhjet – veçanërisht drejt Maqedonisë së Veriut, si pjesë e Korridorit VIII.
Këto zhvillime do të financohen nëpërmjet mekanizmit kryesor të financimit të infrastrukturës së BE-së, Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Për të përfituar plotësisht nga ky partneritet, nevojitet një lidership i fortë nga Shqipëria, duke përfshirë zhvillimin e një portofoli të fortë projektesh të mirëpërgatitura për të siguruar financim, mobilizimin e ekspertizës teknike brenda ministrive përkatëse dhe sigurimin e prokurimit, ekzekutimit dhe monitorimit efektiv të projekteve hekurudhore.
 
Në përvjetorin e 5-të të krijimit të SPAK-ut, ju e përshkruat këtë institucion si një element kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Cilat janë sfidat kryesore që has SPAK dhe si mund të mbështetet më tej nga BE-ja?
SPAK-u përballet me sfida të ngjashme me ato të homologëve të tij në shtetet anëtare të BE-së, veçanërisht në kompleksitetin e hetimeve dhe natyrën në zhvillim të krimeve të rënda.
Hetimi i rrjeteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar është shumë kompleks dhe kërkon një koordinim të qetë dhe efikas me shumë subjekte, përfshirë partnerët ndërkombëtarë dhe europianë.
Ai kërkon gjithashtu aftësi të forta analitike për të përpunuar në mënyrë efektive vëllime të mëdha të dhënash, duke përfshirë të dhënat financiare të mbledhura gjatë hetimeve.
Krimi i rëndë evoluon vazhdimisht, duke kërkuar përshtatje të vazhdueshme. Rrjetet kriminale shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e errët dhe Inteligjenca Artificiale po bëhet një faktor në rritje në aktivitetet e paligjshme.
Këto zhvillime theksojnë nevojën për zhvillim të vazhdueshëm profesional për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët për të siguruar që ata të mbeten të pajisur për të trajtuar kërcënimet e reja.
SPAK-u luan një rol kyç në luftën e përgjithshme të Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur pavarësinë dhe efektivitetin e tij, duke forcuar kapacitetet e tij operative.
Kjo përfshin shkëmbimin e praktikave më të mira të BE-së, trajnimin e specializuar dhe mentorimin e prokurorëve në fusha kyçe si Mjetet Speciale të Hetimit dhe analiza e të dhënave.
Gjithashtu, ne promovojmë në mënyrë aktive përdorimin e hetimeve financiare paralele, të cilat janë mjete thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në kuadër të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE, ne mbështesim gjithashtu bashkëpunimin operativ të SPAK-ut me shtetet anëtare të BE-së dhe entitete të BE-së, si EUROPOL, EUROJUST, Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) dhe OLAF.
Për më tepër, ne mbështesim pjesëmarrjen e saj në Ekipet e Përbashkëta Hetimore të BE-së dhe nismat si Platforma Multidisiplinare Europiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT), e cila nxit bashkëpunimin e strukturuar dhe shumëdisiplinor për të luftuar krimin e rëndë ndërkombëtar.
 
Z. Ambasador, çfarë këshillash do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që aspirojnë për një karrierë në shërbimin diplomatik ose institucionet europiane?
Unë me të vërtetë pres me padurim ditën kur qytetarët e parë shqiptarë do të bëhen nëpunës civilë të BE-së dhe do të punojnë për të sjellë një ndryshim në Europën – kjo do të thotë se Shqipëria ka hyrë në Bashkimin Europian, çka është qëllimi ynë i përbashkët strategjik.
Administrata publike e BE-së është një mjedis pune unik. Zyrtarët e BE-së formojnë një ekip të larmishëm, shumëkulturor dhe shumëgjuhësh, si asnjë tjetër në botë. Qytetarët shqiptarë do të kontribuonin shumë në këtë ekip me përvojat dhe forcat e tyre.
Përvoja ime personale – pasi kam kaluar një pjesë të madhe të karrierës sime si zyrtar në Parlamentin Europian, më pas në Shërbimin Europian të Veprimit të Jashtëm dhe në Delegacionet e BE-së – është se të qenët zyrtar i BE-së është një punë jashtëzakonisht shpërblyese, ku mund të luash një rol aktiv në një larmi të madhe fushash të politikave, duke kontribuuar për sigurinë, prosperitetin dhe mirëqenien e rreth 450 milionë europianëve.
Këshilla ime për të rinjtë shqiptarë që aspirojnë për një karrierë të ardhshme në BE është të studiojnë fort dhe të zhvillojnë përvojën dhe aftësitë profesionale në fushat që u pëlqejnë më shumë.
Institucionet e BE-së nuk kërkojnë vetëm juristë, ekonomistë apo të diplomuar në administratën publike, por specialistë nga shumë fusha të tjera si kërkues shkencorë, teknikë, zyrtarë financiarë, përkthyes. Etj.)./Monitor
 

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi