
Shpërbleu besnikët me listat e mbyllura? Ja si përgjigjet Sali Berisha! Kreu i PD: Asnjë kandidat nuk është hequr…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha hedh poshtë të gjitha pretendimet se ka shpërblyer besnikët duke i vendosur në lista të mbyllura për kandidat për zgjedhjet e 11 majit.
Në konferencë me gazetarët, ish kryeministri tha se ata kanë të drejtë të mendojnë ashtu, por nuk është e vërtetë.
Kyredemokrati theksoi se askush nuk është hequr nga listë për shkak të mendimit ndryshe, por sepse tha se “më pëlqen diversiteti”.
“Po të ndalesh si politolog nuk do të gjesh ndonjëherë në 34 vite në skenën politike shqiptare një njeri si Sali Berisha që jo vetëm e pranon por e parapëlqen diversitetin. Asnjë njeri nuk është hequr dhe nuk mund të hiqet, se Sali Berisha nuk mund ta toleronte për mendime ndryshe, nuk ndodh kjo. Ndonjë që mendon se nuk është në listë për këtë arsye, e ka gabim. Mund të mendojnë, por nuk është e vërtetë. Unë këtë jetë politike e kam nisur për motivin më themelor të pranimit të mendimit ndryshe ”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe listën e Elbasanit, që sipas tij është me kandidatë të shkëlqyer dhe se janë optimist për fitoren në 11 maj.
“Siç ke konstatuar këto zgjedhje janë konceptuar si betejë, fushë beteje. Rrethanat ngushtuese, koalicioni etj., kanë diktuar në këto qëndrime. Unë po vij nga një takim me përfaqësuesit, me deputetët e këtyre zonave. Të garantoj se në sytë e tyre, unë pashë vetëm fitore. Përfaqësues të shkëlqyer, njohës të mirë të qytetarëve, nevojave të terrenit,
Pra mund të them se, pas urimeve me qytetarët e Elbasanit, pjesa tjetër e festimeve të Ditës së Verës për mua në Elbasan, kaloi me një mbledhje pune me ata kandidatë të shkëlqyer të Peqinit, Gramshit, Dumresë, Cërrikut, Librazhdit, Përrenjasit. Me kandidaturat e koalicionit.
Pra pashë aty një ansambël. Nuk mbaj mend ndonjëherë të ketë patur para qytetarëve të atij qarku një ansambël të tillë.
Nga forca natyrale në fushata, tek njëri prej zërave dhe këngëtarëve më të mirë, më virtuoz të Shqipërisë, siç është Armando Kllogjeri, etj. Zonja të nderuara të gatshme për të sakrifikuar në pozicionin që janë emëruar. Pra u largova nga Elbasani me kënaqësi të veçantë nga takimet që para në rrugë me burra e gra fisnikë në këtë ditë feste, por edhe me përfaqësues të tyre që do jenë në parlamentin e Shqipërisë”, tha Sali Berisha.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi