Sekuestrimi i mbi 1 mln euro drogë/ GJKKO merr vendimin për bosin që “dirigjonte” grupin kriminal në Francë nga Shqipëria dhe dy të arrestuarit e tjerë
GJKKO ka caktuar masat e sigurisë “arrest me burg” për kreun e grupit kriminal të trafikut të drogës në Francë, Zabit (alias Artur) Fisniku, si edhe për dy pjesëtarët e tjerë të bandës, Redian (alias Refik) Doda dhe Fabi Isaku.
Ndaj tyre janë ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
NJOFTIMI GJKKO-së:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 02.07.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje, në respektim të nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, të personave nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku, dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, të caktuar me vendimin Nr. 66 Akti, datë 28.06.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 70, datë 03.07.2024 vendosi:
Vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale caktuar ndaj personit nën hetim Redian (alias Refik) Doda, Zabit (alias Artur) Fisniku, Fabi Isaku me vendimin Nr. 66, datë 28.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 e Kodit Penal, “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a/ i Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 03.07.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
Kush është bosi i drogës
Gjatë operacionit të përbashkët të autoriteteve franceze në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, u vendosën në pranga 19 anëtarë të një grupi kriminal të trafikut të drogës me bazë në Lion.
Në Shqipëri u arrestuan Zabit Fisniku, i cili ishte edhe koka e grupit kriminal, si edhe Redian Doda dhe Fabi Isaku.
Kreu i bandës rezulton i dënuar me 16 vite burg për trafikim femra dhe drejtonte grupin nga Shqipëria.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ky grup kriminal e kishte aktivitetin në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës dhe Savojës së sipërme.
Nga hetimet, sipas SPAK, është bërë e mundur të vërtetoheshin dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone, Ain, Savojë dhe Savojës së sipërme nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit.
Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, si edhe sekuestrimin një shumë prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve. Ndërsa GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat nën hetim me inciale R.D., Z.F., F. I., banues në Shqipëri.
“Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.”, informon SPAK.
Gjithashtu SPAK ka sekuestruar një llogari bankare në euro në emër të personit nën hetim me iniciale R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Ndërkohë sipas Prokurorisë së Posaçme vera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon shumën prej 1 milion euro.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, bazuar në materialin e referuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar (kryesisht) procedimin penal Nr. 38, të vitit 2023, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 28 pika 4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Byronë Kombëtare të Hetimit, si dhe me autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, janë ndërmarrë një sërë veprime të rëndësishme hetimore.
Rezultatet e hetimeve në Francë
Bazuar akteve që janë administruar për interesa të këtij procedimi penal ka rezultuar se, gjatë periudhës gusht-dhjetor 2022, autoritetet franceze të drejtësisë kanë filluar një hetim paraprak në qarkun e Albertville (73), në lidhje me veprimet e një grupi kriminal të organizuar i cili është marrë me trafikun e drogës. Kjo strukturë ishte e vendosur në qarkun e Lionit dhe furnizonte grupet e shitjes të vendosura në qarkun e Savojës (73) dhe Savojës së sipërme (74). Juridiksioni ndërkrahinor i posaçëm i Lionit ka marrë përsipër dosjen dhe ka hapur një hetim gjyqësor, drejtimi i të cilit i është besuar Seksionit të Kërkimeve të Lionit.
Hetimet e kryera, bënë të mundur të vërtetohen dërgesat me lëndë narkotike pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqet e Rhone (69), Ain (01), Savojë (73) dhe Savojës së sipërme (74) nga një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit (69).
Aktivitet i paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që zhvillohej në territorin francez, drejtohej nga një shtetas shqiptar i cili jetonte dhe banonte në Shqipëri.
Rezultatet e Hetimeve në Shqipëri
Nga hetimet e përbashkëta të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, është bërë e mundur identifikimi dhe procedimi në Francë dhe në Shqipëri i 19 personave (shtetas shqiptarë dhe të huaj), të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve, sekuestrimi i sasive të konsiderueshme monetare, lëndëve të ndryshme narkotike (heroinë dhe kokainë, si dhe lëndë përzierje), automjete, pajisje elektronike, etj.
Autoritetet franceze të drejtësisë kanë proceduar me arrestimin e 16 shtetasve shqiptarë dhe të huaj, sekuestrimin e sasisë monetare prej 20.000 euro dhe të 3 automjeteve.
Për interesa të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masave të sigurimit personal për 3(tre) persona në hetim, dhe gjykata me vendimin e saj Nr. 66, datë 28.06.2024 ka vendosur pranimin e kërkesës, caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për 3(tre) personat nën hetim.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Xhandarmërisë Franceze (pjesë e Skuadrës së Përbashkët Hetimore) janë ekzekutuar masat sigurimi personal për personat nën hetim që banonin në Shqipëri për shtetasit: R.D., Z.F., F. I.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për një llogari bankare në euro.
Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, është ekzekutuar masa e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për llogarinë bankare në euro, në emër të personit nën hetim R.D dhe të shtetasit J.H, të shumës monetare prej 20.000 (njëzetmijë) euro.
Prokuroria ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, edhe kryerjen e disa kontrolleve, kërkesa të cilat janë miratuar nga ana e gjykatës, dhe nga janë ekzekutuar 10 (dhjetë) vendimet e gjykatës dhe janë realizuar kontrolle (banesash, biznesesh, automjetesh, dhe personash).
Pas kontrolleve të ushtruara në territorin shqiptar, janë sekuestruar sendet e mëposhtme:
· 15 automjete,
· 34.270 euro cash,
· 1000 franga zviceriane,
· 180.000 lekë të reja,
· 9 aparate celularë,
· 3 tableta,
· 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, Xhandarmërisë Franceze, si dhe Atasheut të Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Franceze në Shqipëri, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi