“Saharaja” dhe poeti martir që u dënua me vdekje nga diktatura! Procesverbali i pushkatimit dhe disa dokumente sekrete në një libër

“Saharaja” dhe poeti martir që u dënua me vdekje nga diktatura! Procesverbali i pushkatimit dhe disa dokumente sekrete në një libër

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi dje poetin martir, Vilson Blloshmi (18 mars 1948-17 korrik 1977). Ishte poezia e tij, me titull “Saharaja”, që u konsiderua si vepër penale e “agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”.

Aktakuza, e cila dënoi me vdekje poetin, ndër të tjera lidhet edhe me këtë poezi për përqasjen e Shqipërisë me shkretëtirën e Saharasë. Familja e tij ishte etiketuar “kulakë”, një fjalë që e kishte origjinën në Bashkimin Sovjetik nën sundimin e Stalinit dhe përdorej për të përshkruar pronarët e tokës bujqësore në shkallë të vogël që konsideroheshin armiq të komunizmit. Vilson Blloshmi ndoqi Shkollën e Mesme Pedagogjike në Elbasan dhe pas mbarimit të saj edhe pse me rezultate të shkëlqyera nuk u lejua të vazhdonte shkollën e lartë.
Pas diplomimit në Elbasan punoi si bujk, druvar dhe minator. Gjatë kësaj kohe iu përkushtua shkrimit dhe përkthimit, por pa pasur mundësi t’i botojë për shkak të të qenit pjesëtar i një familje “kulakësh”. Duke qenë me biografi të “keqe”, Vilson Blloshmi përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. U arrestua në vitin 1977 me akuzën “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë”. Ditarët, përkthimet dhe poezitë iu sekuestruan dhe iu nënshtruan hetimit në detaje. Letërsia e tij do të përbente rrezik për regjimin komunist shqiptar. Në datë 13 qershor 1977 Gjykata e Rrethit Librazhd dënoi poetin Vilson Blloshmi dhe poetin Genc Leka me “vdekje me pushkatim”, vendim i cili u zbatua në datë 17 korrik 1977.
Edhe Genc Leka, gjithashtu, studioi në Shkollën Pedagogjike në Elbasan. Leka punoi disa vite si mësues, por pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk u lejua të kthehej në mësimdhënie dhe përkundrazi u dërgua të punonte në bujqësi. Kjo përfundoi kur ai u arrestua në gusht 1976. Të dy u akuzuan për “sabotim të ekonomisë” dhe “agjitacion dhe propagandë” kundër regjimit komunist. Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, i frikshmi Sigurimi, kreu një hetim dhe zbuloi se poezitë që të dy po shkruanin – të cilat u botuan vetëm pas vdekjes së tyre – ishin shumë të trishtueshme dhe për këtë arsye nuk përfaqësonin “realitetin”. Ndër ato që janë bërë vargjet më të njohura të Lekës janë vargjet: “Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë/ Mirë, pra, mí gjallë jam se çdo i vdekur”. Kërkesat për revokimin e dënimeve me vdekje të dy burrave u injoruan nga autoritetet dhe ata u ekzekutuan.
Në vitin 1994 Vilson Blloshmit iu dha dekorata “Martir i Demokracisë” dhe në vitin 2006, u shpall “Qytetar Nderi” i Librazhdit. Ai ishte poet, përkthyes, «Mësues i Popullit». Lindi më 18 mars 1948, në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse pedagogjiken në Normalen e Elbasanit (1966). Me gjithë kërkesat e shumta, bërë në Drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, nuk u lejua të fillonte punë si mësues. Ndaj dhe u shtrëngua të punonte në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit të Pyjeve në Stravaj. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, më 1970 filloi punë në kooperativë.
ARRESTIMI
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u ekzekutuan më 17 korrik 1977 mbi bazën e pretendimeve se poezitë e tyre përbënin një kërcënim për regjimin komunist të Shqipërisë, edhe pse ato nuk ishin botuar.
U arrestua më 5 gusht të vitit 1976 në vendin e quajtur Ura e Librazhdit. Që këtu u dërgua menjëherë në Tiranë, ku e izoluan në birucën nr.20 në burgun “Mine Peza”. Pas një viti torturash në hetuesitë e Tiranës dhe të Librazhdit, më 6 qershor 1977 u nxor përpara Gjykatës Popullore të Rrethit të Librazhdit, «akuzuar për krimin e agjitacionit e propagandës kundra pushtetit popullor». Një javë më vonë, më 13 qershor, gjykata e deklaroi fajtor dhe, së bashku me Genc Lekën e dënoi «me vdekje pushkatim, me konfiskimin e pasurisë dhe me humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë». Ky vendim u la në fuqi, si nga Gjykata e Lartë, ashtu dhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Dhe, më 17 korrik 1977 u zbatua urdhri i Ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e tij në orën 00. Autoritetet komuniste e shikonin artin dhe kulturën si të lidhura fort me ideologjinë politike dhe çdo vepër ekzaminohej nga afër. Pasojat e shkeljes së rregullave ideologjike ishin burgimi, internimi në kampet e punës, persekutimi dhe në disa raste edhe vdekja.Dy poetët janë “akuzuar nga Sigurimi i Shtetit, me prova të fabrikuara, si pjesë e të ashtuquajturit grup sabotatorësh në bujqësi”. Akuzat bazoheshin në fletoret e dy poetëve, sepse vepra e tyre ishte e pabotuar.
Në vitin 1994, ditën e rivarrimit, Presidenti i Republikës i akordoi medaljen «Martir i Demokracisë». Një vit më vonë, njërës prej shkollave 8- vjeçare në Librazhd iu vu emri «Vilson Blloshmi», dhe po këtë vit u dekorua «Mësues i Popullit». Më 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në prani të Presidentit të Republikës, në Librazhd u përurua memoriali i dy poetëve martirë të demokracisë, Genc Lekës e Vilson Blloshmit. Po këtë ditë ata u shpallën «Qytetarë Nderi» të Bashkisë së Librazhdit. Në janar 2009 iu dha çmimi «Lasgush Poradeci» për librin më të mirë poetik të vitit (postum). Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës i akordoi urdhrin «Nderi i Kombit».
BOTIMI
Para disa vitesh u botua një libër me dosjen sekrete të Sigurimit famëkeq të Shtetit kundër poetit të pushkatuar Vilson Blloshmi. Një seri dokumentesh provojnë manipulimin e qëllimshëm dhe akuzat e rreme të motivuara politikisht ndaj dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që u pushkatuan, më 17 korrik 1977. Autori i librit, Bedri Blloshmi, thotë se shoqëria shqiptare ka nevojë urgjente të ndahet nga regjimi komunist, por njerëzit e Sigurimit gjenden kudo dhe pengojnë zbardhjen e krimeve të diktaturës. Pas 44 vjetëve nga pushkatimi prej diktaturës i dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi vëllai i këtij të fundit Bedi Blloshmi arriti të gjejë në arkiva procesverbalin e vdekjes dhe një seri dokumentesh sekrete dhe i publikoi në një libër. Titulli i librit është vet titulli i dosjes sekrete: mbi përndjekjen, arrestimin, hetuesinë, gjyqin dhe ekzekutimin e Vilson Blloshmit: Dosja Formulare, Kategoria 2°, nr.840.
“Pas shumë vite kërkimesh, më në fund kam gjetur procesverbalin e pushkatimit të vëllait, ku ka firmosur Spiro Koleka, Haxhi Lleshi e disa të tjerë. Ata kanë diskutuar 5 orë për një dekoratë dhe në fund ishte pika e tretë, kur njëri prej tyre thotë se “kemi edhe disa të dënuar me vdekje, dhe si do të bëjmë me ta”. Aty është vetëm një shprehje e Haxhi Lleshit, që “këta janë familje armiqsh dhe nuk e duan socializmin”. Kaq ishte” – është shprehur fill pas botimit Bedri Blloshmi. Dy poetët u pushkatuan më 17 korrik 1977 për motive politike si kundërshtarë të regjimit. Vilsoni ishte 28 vjeç në kohën e arrestimit dhe pushkatimit dhe la pas jetime një vajzë të mitur vetëm 1 vjeç. Në dosjen formulare të Vilsonit gjenden dokumente të rralla e sekrete nga Sigurimi famëkeq i Shtetit, pseudonimet e spiunëve të tij, vendimi i arrestit, marrja në pyetje nga hetuesit, akt-ekspertimet e poezive të tij nga 3 studiues të letërsisë, akuza për agjitacion e propagandë, vendimet e komitetit të partisë së punës dhe të trupit gjykues për dënimin e tyre me vdekje.
“Kjo dosje ka tmerre, çudira e mashtrime kriminale. Këtu ka bashkëpunëtorë të Sigurimit me gjithë pseudonimet e dekoduara. Këtu ka shënime nga Hysni Kapo, nga Ramiz Alia, nga Miti Nito, nga Sako Rama, sigurimsa dhe komunistë nga Tirana dhe nga Librazhdi. Sekretari i parë i Librazhdit Sotir Koçollari ka mbledhur 18 sekretarë partie dhe kanë vendosur të dënohen maksimalisht dy poetët. Madje shprehja e fundit është e Sotir Koçollarit se “Vilsoni është më i zgjuar se të tjerët, e di që e pret pushkatimi, prandaj nuk e pranon aktin” – është shprehur zoti Blloshmi. Ai është një ndër shumë të paktët autorë librash me dokumente mbi diktaturën komuniste. Pas pushkatimit të vëllait, dënimi i tij me vdekje u shndërrua në vite të gjata burgimi në burgje, kampe pune torturuese.
Ai është shprehur se ende strukturat e Sigurimit të Shtetit janë në këmbë, pengojnë zbardhjen e krimeve të tyre, fshehin e zhdukin dokumente, me shpresën se gjithçka do të harrohet, duke i futur viktimat e tyre në një rreth vicioz, ku humbin shpresat. “Vetëm unë kam 33 informacione për vend-pushkatime. Të tjerët dinë shumë vende të tjera për mijëra të pushkatuar të pagjetur ende. Këta që janë sot nuk duan të veprojnë, se nuk duan të zbulohen krimet e baballarëve të tyre. Nuk i bën asnjeri këto gjëra. Dalin disa persona që nuk kanë lidhje fare me persekutimin, dhe thonë “na vjen keq për këta se kanë vuajtur”. Por këtë duhet ta them unë dhe të burgosurit e tjerë, ndërsa zyrtarët të zbardhin krimet e komunizmit” – ka theksuar Blloshmi. Sipas statistikave të pjesshme nga organizatat e të përndjekurve politikë, diktatura komuniste vrau si kundërshtarë politikë 5500 persona, burgosi rreth 30 mijë vetë për motive politike, internoi rreth 60 mijë persona. Diktatura vrau dhe burgosi 310 klerikë dhe besimtarë dhe shkatërroi 220 institucione fetare. Përveç vendasve, diktatura komuniste pushkatoi 95 shqiptarë të Kosovës, dhe 64 shtetas të huaj, si dhe burgosi 1 mijë e 250 persona me kombësi joshqiptare, mes të cilave 38 zonja nga shtete të tjerë.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente