
Rikthehen reshjet e dëborës, si paraqitet situata në qarkun e Elbasanit
Gjatë fillimit të kësaj jave si rezultat i mbizotërimit të motit të keq edhe në Qarkun e Elbasanit kanë rënë reshje të dendura shiu, breshëri dhe dëborë, veçanërisht në zonat e thella malore të Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe Elbasanit.
Fenomenet atmosferike të rënduara kanë krijuar vështirësi të përkohshme për lëvizjen me automjete në disa fshatra ndërsa situata për pak kohë ka kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të autoriteteve dhe shërbimeve emergjente.
Në Fushë Studën të Librazhdit , mëngjesin e kësaj të marte, trashësia e dëborës ka arritur 3-5 cm, sipas Albert Kalecit, Kryetar i Njësisë Administrative Steblevë. Ndërsa ë Parkun Kombëtar Shebenik trashësia e dëborës ka qenë më e madhe duke arritur nga 15 deri në 25 cm. Situata ka qenë më e rënduar në fshatrat e tjerë të qarkut Elbasan që ndodhen mbi 900 metra lartësi mbi nivelin e detit ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 10 cm e shoqëruar edhe me ngrica.
Megjithatë për momentin reshjet kanë pushuar dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm duke krijuar një ndjesi të fortë të dimrit krahasuar me ditët e ngrohta të verës.
Në lidhje me pasojat e motit të keq burime zyrtare nga emergjencat civile raportojnë se nuk ka pasur probleme serioze në qarkun e Elbasanit si rezultat i kushteve atmosferike të dy ditëve të fundit. Përveç disa defekteve të shkaktuara në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike të cilat u riparuan gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur probleme të tjera.
Megjithatë autoritetet vendore po monitorojnë nga afër situatën dhe janë të gatshme për ndërhyrje të shpejtë në rast nevoje.
Në përgjithësi edhe pse reshjet intensive dhe temperaturat e ulëta kanë shkaktuar disa vështirësi gjendja është mbajtur nën kontroll falë ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës dhe bashkëpunimit të institucioneve lokale.
Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë angazhuar në pastrimin e akseve të rëndësishme dhe ruajtjen e sigurisë së përdoruesve të këtyre rrugëve veçanërisht në segmentet e rrezikshme sikurse janë ” Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” e “Kthesat e Pishkashit” si edhe në zonat malore që janë më të prekura nga reshjet e borës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi