
Restaurohet filmi ikonë “Ngadhënjim mbi vdekjen”, historia e dy vajzave! U torturuan nga gjermanët, nuk treguan lidhjet me lëvizjen komuniste
Pas realizimit 58 vite më parë vjen i restauruar në 4K, një nga filmat ikonë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Filmi, prodhim i vitit 1967, është vepër e dy regjisorëve, Gëzim Erebara dhe Piro Milkani dhe skenaristit Peçi Dado. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri të ditur se, “Ngadhënjim mbi vdekjen” do të vijë i restauruar nga Augustus Color me shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit. Premiera e filmit të restauruar do të bëhet në kinema “Millennium” në datën 25 mars.
“Ngadhënjim mbi vdekjen” në premierën e restauruar do të vijë me një cilësi më të mirë për publikun. Sipas AQSHF-së versioni i restauruar rikthen edhe shkëlqimin e plotë të imazhit. “58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967) me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani. I restauruar nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit me mbështetjen e ABI Bank dhe Harabel Contemporary Art Platform, ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit, duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit”,- thuhet në njoftimin e AQSHF-së. Premiera e filmit të restauruar do të jetë më 25 mars në kinema, por sipas arkivit hyrja është e lirë për publikun.
Ngjarjet e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist. Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri. Gjatë viteve ’60 – ’70 të shek ullit të kaluar, shkëmbimet politike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës ishin shumë të ngushta. Ish-kryeministri kinez Çu En Lai bëri tri vizita në Shqipëri, madje një herë ai e festoi Vitin e Ri në Shqipëri. Pikërisht në bazë të kushteve të njëjta ideologjike, filmat shqiptare me temën e luftës antifashiste, si “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz” etj., dhe filmat kinezë “Vajza me flokë të bardhë”, “Basketbollistja me numër 5” etj., janë bërë kujtimi i përbashkët i një brezi të kinezëve dhe të shqiptarëve.
Në kulm të Revolucionit Kulturor Kinez, filmat e dubluar shqiptarë ishin të vetmet produkte të pastra ideologjike të vlerësuara si të përshtatshme për milionat e spektatorëve kinezë të kinemasë. Versioni i dubluar i filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen” ishte jashtëzakonisht popullor për publikun kinez, duke u renditur si filmi më i suksesshëm edhe në shitje biletash deri në fillim të viteve 1990-të, kur u tejkalua nga filmi hollivudian aksion, “The Fugitive”, me Harrison Ford dhe Tommy Lee Jones. Filmi i Gëzim Erebarës dhe Piro Milkanit, një histori e rezistencës partizane, vazhdon të jetë edhe sot një moment historik në Kinë; impakti i madh e i shtrirë në kohë i këtij filmi në Kinë u ritregua në filmin e suksesshëm (blockbuster) të Jiang Xiao-s, Electric Shadows (Hije elektrike) (2004), i konsideruar si një nga versionet kineze të CINEMA PARADISO. Në ritregimin herë të hidhur, e herë të ëmbël të jetës kineze në kinematë e kohës së Mao Zedong nga Xiao, një punonjëse fabrike, shtatzënë dhe e turpëruar, vendos të mos vrasë veten pasi sheh një skenë filmi ku aktorja shqiptare Eglantina Kume marshon trimërisht drejt vdekjes tek “Ngadhënjim mbi vdekjen”.
Sipas rrëfimeve byroja komuniste kineze vendosi të mos i shkatërronte kitarat akustike të Kinës gjatë Revolucionit Kulturor, pasi personazhi kryesor shqiptar që luan Rikard Ljarja, mban një të tillë mbi shpatull e këndon këngë partizane gjatë filmit. Kinemaja shqiptare, mesa duket, paska fuqinë të parandalojë vetëvrasjet në film dhe e vetme të shpëtojë kitarën akustike në Kinë. Si reagoi audienca shqiptare ndaj revolucionit të papritur kulturor kinez? Një gazetar i huaj që vizitoi Shqipërinë në vitet 1960 (duke u shtirur si turist) shkruan: “Filmat kinezë shfaqen në kinematë e shumta të hapura (një vizitor tha në mënyrë ironike se Shqipëria ka ‘filma drive-in për këmbësorë’) dhe në errësirë studentët shpesh bërtasin dhe fishkëllejnë kundër propagandës mbytëse.” E qeshura në errësirë si formë rebelimi./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi