
Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avadiaj, Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin me 18 vite burg për policin Arjan Tase
Gjykata e Apelit, ka lënë në fuqi dënimin me 18 vite burg për policin Arjan Tase, i cili përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avadiaj në plazhin e Potamit, gushtin e vitit 2022.
Tase kishte apeluar dënimin e gjykatës së shkallës së parë në Vlorë që e kishte dënuar me 18 vite burg, por Apeli e la në fuqi.
Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen e tij dhe i mori jetën të miturës.
Si ndodhi ngjarja tragjike
Tragjedia u shkaktua nga polici Arjan Tase, i cili po lundronte në mes të pushuesve teksa po laheshin dhe për shkak të një manovre të gabuar i mori jetën të miturës. Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të Policimit në Elbasan.
Familja Avdia, me origjinë nga Tropoja, kishte ardhur për pushime në atdheun e tyre, pasi prej vitesh jetonin në Angli. Tragjedia solli reagimin e gjithë opinion publik, ku disa ditë me radhë u zhvilluan edhe protesta.
Kjo tragjedi solli edhe reagimin e policisë, e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese në të gjithë vijën bregdetare, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar dhe ka një kontroll të imtësishëm nga policia.
Më 11 korrik, Prokuroria e Vlorës mbylli hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish efektivin dhe 8 policë të tjerë.
Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi