
PD sot në protestë për mbylljen e “TikTok” para Kryeministrisë, ja orari kur do të zhvillohet! Masat e policisë për tubimin
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje të rinjve që të protestojnë ditën e sotme kundër mbylljes së platformës TikTok. Ai e cilësoi mbylljen e Tik Tok si censurë dhe për këtë arsye iu kërkoi të rinjve të lënë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë e të protestojnë nesër në orën 19:00.
“Të protestojmë kundër censurës. Edi Rama censuron, TikTok, mjetin aktualisht më modern, bazuar fund e krye në intolerancën ndaj tij, të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit, gjimnazistët dhe të rinjtë e tjerë se më datë 12 TikTok do ta kenë në telefonat e tyre. Do ndëshkohet rëndë për megakrim të masave gjigante për këtë akt. Të lënë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë, të protestojmë nesër në orën 19:00 në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, të gjithë të rinjtë. Ju kalorës mbrojtës të saj, të mblidhemi të gjithë në mbështetje të tyre”, tha Berisha.
Vendimi i qeverisë u sulmua menjëherë nga opozita si akt censure para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në reagimin e asaj kohe Berisha tha se “në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij”, tha Berisha në një deklaratë për mediat.
Protesta për Tik Tok-un, qindra efektivë në terren
Protesta e thirrur nga opozita për pasditen e sotme kundër mbylljes së Tik Tok-ut ka vënë në gatishmëri Policinë. Leja e kërkuar në polici nga organizatorët e tubimit është 2 orë, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00. PD ka njoftuar se qytetarët do të mblidhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së kryeministrisë.
Që me nisjen e protestës e deri në përfundim të saj, nga Policia Rrugore do të bllokohen të gjitha rrugët që lidhen me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe do të ketë devijime në disa prej tyre.
Në terren do të jenë rreth 1 200 efektivë. Në gatishmëri do të jenë edhe forcat RENEA, nëse do të duhet ndërhyrja e tyre. Ndërsa punonjës të Gardës së Republikës do të marrin në ruajtje institucionet e rëndësisë veçantë. Si në çdo protestë, të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundërgaz.
Përgjatë bulevardit do të vendosen kamera me rezolucion të lartë, për të identifikuar tubuesit e dhunshëm. Detyrat e lëna nga drejtuesit e policisë për vartësit e tyre janë që të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të mbahen nën vëzhgim ata persona që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi