“Paketa e maleve”, 500 përfituesit e parë do operojnë 10 vjet pa taksa! Rama: Synoni edhe tregun e huaj

“Paketa e maleve”, 500 përfituesit e parë do operojnë 10 vjet pa taksa! Rama: Synoni edhe tregun e huaj

Nga takimi me përfaqësues të bizneseve të vogla në Kuçovë, duke folur për “Paketën e maleve”, kreu i qeverisë, Edi Rama, premtoi zero taksa për 10 vjet për 500 përfituesit e parë që zhvillojnë sipërmarrjet e tyre.

Sipas tij, emigrantët që duan të kthehen që të investojnë në tokat e të parëve të tyre për ndërtimin e strukturave të agroturizmit dhe zhvillimin e turizmit malor do të kenë këtë lehtësi fiskale bashkë me TVSH 6 për qind.
“Në shumë zona në veri apo në jug nuk është pranuar ligji 7501 dhe kanë qëndruar në tokat e të parëve. Nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin përgjithësisht, por e kanë të pamundur që të marrin tokën. Dihet se ka këtë territor dhe nuk ka konflikte me fqinjët, por edhe se nuk hyjnë te ligji 7501. Ligji 2020 u bë për këtë, por na ka shfaqur komplikime. Ndaj këtu hapim një korsi paralele, që mund të vazhdojë investimin e vetë pa pasur nevojë t’i ketë të gjitha dokumentet, që ndërkohë do t’i bëjë avashavash me ligjin 2020, por duke marrë me këshillin bashkiak konfirmimin se kjo është toka e tij”, vuri në dukje Rama vetëm disa ditë pas miratimit të “Paketës së maleve” në Kuvend. Mbi atë bazë, kryeministri theksoi se me projektin merr lejen direkt dhe fillon punën.
“Ndërkohë edhe me linjën e financimit kjo na jep mundësinë të shkojmë shumë më përpara me zhvillimin e agroturizmit dhe agropërpunimit”, – shtoi ai.
AGROTURIZMI
Me dy linjat e reja të financimit për bujqësinë, siç janë kreditë e buta dhe garancia sovrane plotësohet garancia e qeverisë për të ringritur sektorin e bujqësisë dhe mbështetjen e jetës në fshat. Kreu i qeverisë kërkoi nga bizneset që të jenë më ambiciozë për të synuar edhe tregun e jashtëm dhe kjo sipas tij, mund të bëhet duke ofruar cilësi dhe origjinalitet dhe jo masivitet. Rama kërkoi gjithashtu një vëmendje më të shtuar tek agropërpunimi.
“Ju sjell një shembull që më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme. Në Zvicër ishte një vaj ulliri i prodhuar në Shqipëri dhe kishte çmim 5-6 herë më të lartë. Ishte produkt special dhe tregu i kërkon këto dhe duhet të jeni ambiciozë edhe për tregun e jashtëm, jo për masivitet, por për supercilësi dhe origjinalitet. Kredia është fantastike, me 2 për qind, fantastike. Me 70 për qind të garancisë mbi kolateralin iu bën shumë punë. Ndërkohë që kemi edhe paketën e maleve në dispozicion dhe kemi kapërcyer me ligj të gjithë kalvarin e përpjekjes, sidomos atyre që janë në emigracion për të investuar në mungesë të letrave të pronësisë, pasi në shumë zona nuk është pranuar 7501 dhe kanë qëndruar në tokat e të parëve. Kemi bërë ligj të posaçëm që kushdo që do të investojë në tokën e vet, mund ta bëjë thjesht me një dëshmi të konfirmuar në këshillin bashkiak. Me linjën e re të financimit, do të na japë mundësinë të shkojmë më përpara me zhvillimin e agroturizmit dhe agropërpunimit. Do të fokusohemi shumë fort te agropërpunimi. Kemi tejkaluar gjysmë miliardin e eksporteve, por duhet të rrisim vlerat që të shkojmë në 1 miliardë”, – shtoi kryeministri teksa u ndalmë tej edhe te integrimi në BE. Sipas Ramës, Shqipëria është një “shining star” në këtë rrugë.
“Jemi sot afër mbërritjes në BE. 2027 nuk është merita jonë, thjesht kemi bërë shumë në aspektin diplomatik gjëra që janë nëpër libra, jo për t’u treguar kur je akoma në detyrë. E kemi bërë Shqipërinë një ‘shining star’, një yll që shkëlqen në këtë rrugë. 2027 na ka ardhur si fat. Është momenti i përputhjes së yjeve sepse janë përputhur rrethanat tona të brendshme, ëndrra dhe ambicia jonë për të qenë në BE me dëshirën e tyre për ta mbyllur këtë proces në 2027, jo thjesht për ne por edhe për veten e tyre”, – tha Rama.
FINANCIMI
Kredia e butë, me një linjë financimi prej 250 milionë eurosh dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me garancinë sovrane janë mundësi e artë për qytetarët që duan të ngrenë një sipërmarrje.
“Kredia është fantastike me 2%, kredi me 2% është vërtet fantastike me 70% të garancisë mbi kolateralin, që është diçka shumë e vlefshme për ju. Ky është një mesazh për të gjithë ata që ende kanë dyshime. Ndërkohë, tashmë kemi në dispozicion paketën e maleve. Do të bëjmë një prezantim të plotë dhe kemi kapërcyer me ligj, jo me fjalë, të gjithë pengesat, veçanërisht për ata që janë në emigracion dhe duan të investojnë, por që nuk kanë dokumente pronësie. Kjo për shkak se në shumë zona, veçanërisht në veri të Shqipërisë, por edhe në disa zona në jug, nuk është pranuar ligji 7501 dhe njerëzit kanë qëndruar në tokat e të parëve të tyre. Ata nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin, por nga ana ligjore nuk kanë pasur mundësi ta regjistrojnë pronën e tyre”, – vuri në dukje Rama.
Ndër të tjera, kryeministri deklaroi se Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm deficitin tregtar nga viti 2013 deri më sot. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet e frutave dhe perimeve kanë shënuar rritje të vazhdueshme, ku ndikimin më të madh e kanë pasur zarzavatet.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente