
“Nuk i trembem votës”- Kandidon në listën e hapur të PD, Ilir Alimehmeti: Lista nuk është perfekte, por është e mirë! Shqipëria ka nevojë për rotacion
Kandidati për deputet në listën e hapur të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti ka shprehur besimin e tij se koalicioni “Shqipëria Madhështore” do të dalë fitues në zgjedhjet e 11 majit.
Alimehmeti theksoi se nuk trembet nga vota dhe mbështet demokracinë e drejtpërdrejtë, duke shpjeguar se qytetarët duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit që duan.
Ai deklaroi se Shqipëria ka nevojë për rotacion politik dhe vlerësoi listën e koalicionit, duke thënë se ajo nuk është perfekte, por është e mirë. Gjithashtu Alimehmeti kritikoi listën e Partisë Socialiste, duke pohuar se shumë kandidatë të PS kanë “dosje të hapura” dhe po konkurrojnë për të mbajtur pushtetin dhe për të mbrojtur veten nga drejtësia.
Alimehmeti foli edhe për problemet e rinisë, duke theksuar se shumë të rinj po largohen nga Shqipëria për shkak të pakënaqësisë me pagat dhe mundësitë e pakta. Ai shprehu shqetësimin se një mjek 25-vjeçar punon pa pagë për katër vite dhe kjo mund të çojë në korrupsion për të mbijetuar. Alimehmeti e mbylli fjalën e tij duke theksuar se “shëndetësia falas” është një gënjeshtër dhe buxheti për shëndetësinë është shumë i ulët.
“Nuk i trembem votës. Unë jam për demokracinë e drejtpërdrejtë, prandaj nuk është se i shoh me problem listat e hapura. Qytetarët të zgjedhin atë përfaqësues që ata duan. Shqipëria ka nevojë për rotacion politik. Lista e Koalicionit Shqipëria Madhështore është fituese. Lista nuk është perfekte, por është e mirë. Kandidatët janë, ajo që na duhet është programi i Partisë Demokratike. Në listën e PS ka njerëz me dosje të hapura dhe ata konkurrojnë, me qëllim që të kenë pushtet dhe të jenë të mbrojtur nga drejtësia. Shumë njerëz po ikin nga vendi, sepse janë të pakënaqur edhe me pagat. Nëse një 25-vjeçar punon për katër vite pa pagesë, normalisht ai më pas do të shkojë tek korrupsioni, se do të jetojë. Shteti duhet të paguajë mjekët e rinj. Është e paligjshme, që të mbash një njeri në punë pa rrogë dhe kjo ndodh në mjekësi. Të rinjtë nuk kanë faj pse atdheu është në këtë derexhe, duhet punë e denjë dhe pagë e denjë. Nuk ka shëndetësi falas, është gënjeshtër, buxheti për shëndetësinë është tepër i ulët. Edhe buxheti nuk përdoret siç duhet në mjekësi. Buxheti të ndahet drejt dhe kush fut duart në buxhet, “t’ja presim dorën””, tha ai në News24.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi