Një parizien fisnik eksploron artin shqiptar! Marc Hostier, aventurë në Shqipërinë e hershme! Miqtë e tij, që nga pasardhësit e Bonapartit, Tolstoit apo familjes Romanof

Një parizien fisnik eksploron artin shqiptar! Marc Hostier, aventurë në Shqipërinë e hershme! Miqtë e tij, që nga pasardhësit e Bonapartit, Tolstoit apo familjes Romanof

Pas rënies së komunizmit, shumë vizitorë ndërkombëtarë të famshëm dhe shumë kureshtarë kanë ardhur në Shqipëri.

Ata vijnë për arsye të ndryshme. Disa prej tyre e vizitojnë për t’u njohur me vendin dhe për të parë nëse ofron një mjedis të mirë për të bërë biznes. Të tjerë duan të eksplorojnë këtë tokë të re, e cila ka qenë e izoluar nga bota për dekada me radhë. Shqipëria befas ngjalli kuriozitet. Shpesh herë këta vizitorë të huaj vinin dhe largoheshin pa u vënë re, por këtë herë ne kemi “pikasur” një parizien të veçantë, me shumë interesa dhe me përvojë, dashamirës të artit, historisë dhe kulturës. Një zotëri, miqtë e të cilit janë të shumtë që nga pasardhësit e Napolon Bonapartit, Tolstoit apo familjes Romanof dhe jo vetëm. Por ky njeri ndër të tjera ka edhe një veçori unike, talentin për të bashkuar njerëzit.
Ky është Zoti Marc Hostier nga Parisi. Marc Hostier është një konsulent arti që ekspozon në panaire në mbarë botën, kryesisht në Miami, New York, Milano, Londër, si dhe dy herë në vit në Paris. Ai tregon për gazeta “Panorama” interesin e veçantë në mbledhjen e fondeve për restaurimin e kishave dhe pikturave, afreskeve në Francë (Chapelle Ecole Militaire & Val de Grace në Paris) dhe në Gjeorgji, duke ndihmuar shkollat dhe muzikantët. Z.Hostier është shumë i përfshirë në promovimin e muzikantëve të rinj, promovimin e artistëve të huaj në Evropë. Kështu lindi edhe interesi i tij për Shqipërinë dhe artistët shqiptarë. Z.Marc Hostier tregon momentin kur e njohu Madhërinë e Saj të ndjerë, Mbretëreshën Geraldinë, e cila i la mbresa për elegancën dhe të folurën e saj të qetë e të butë. Gjithashtu ai flet edhe për takimin e fundit me shkrimtarin Ismail Kadare vetëm dy javë para se të ndërronte jetë.
Z.Marc, na trego diçka për veten dhe punën tënde përpara se të udhëtoje drejt Shqipërisë mbi 20 vjet më parë
Kam qenë tregtar sendesh antike dhe konsulent arti, duke ekspozuar në panaire arti në mbarë botën, kryesisht në Miami, New York, Milano, Londër, si dhe dy herë në vit në Paris. Gjithashtu, kam pasur gjithmonë një interes të veçantë në mbledhjen e fondeve për restaurimin e kishave dhe pikturave, afreskeve në Francë (Chapelle Ecole Militaire & Val de Grace në Paris) dhe në Gjeorgji, duke ndihmuar shkollat dhe muzikantët. Punoj së bashku me Princeshën Gaitzine, në disa kështjella përreth Parisit, me shoqatën e muzikantëve “Faites entrer les musiciens” në Paris dhe në kështjella historike në mbarë botën. Gjithashtu, kam qenë shumë i përfshirë në promovimin e muzikantëve të rinj, diçka që e shijoj shumë. Kam organizuar koncerte në shtëpinë time në Paris dhe në festivale muzikore në të gjithë Evropën. Si entuziast i artit, kam organizuar edhe promovimin e artistëve të huaj në Evropë. Kështu lindi edhe interesi im për Shqipërinë dhe artistët shqiptarë. Sapo Shqipëria u hap më në fund ndaj botës, pas periudhës së komunizmit, isha shumë kurioz për ta vizituar dhe eksploruar vendin dhe sigurisht peizazhin e tij artistik.
Kur dhe si ka qenë vizita juaj e parë në Shqipëri?
Vizita ime e parë në Shqipëri ishte një “coup de foudre”, një dashuri me shikim të parë, për të zbuluar njerëzit, peizazhin, malet, plazhet, muzikën dhe ushqimin. Më pëlqyen veçanërisht Durrësi dhe Apolonia me historinë e tyre të lashtë. Vizita ime e dytë ishte në 2014, me qëllimin për të takuar artistin shqiptar Gazmend Leka, për të cilin kisha dëgjuar në Paris nga miq dhe njohës të artit. Erdha për të takuar këtë artist dhe ndoqa ekspozitën e tij personale për rihapjen e Galerisë Kombëtare të Tiranës. Pikërisht në këtë ngjarje pata gjithashtu nderin dhe kënaqësinë të takoja mbështetësen e artit dhe e kulturës, Donika Bardha. I impresionuar nga puna e Gazmend Lekës, vendosa ta mbështesja për një ekspozitë personale dhe fillova organizimin e një ekspozite të rëndësishme të pikturave të tij në Paris, në Lagjen Nr.5 “Mairie du 5e arrondissement”.
Cilat janë përvojat e tjera që ke pasur me botën shqiptare?
Kam njohur mjaft personalitete dhe kam shumë kujtime të lidhura me botën shqiptare. Kur isha më i ri, pata nderin e madh të njihja Madhërinë e Saj të ndjerë, Mbretëreshën Geraldinë, e cila më la mbresa për elegancën dhe të folurën e saj të qetë e të butë. Kam qenë shumë i afërt me vëllezërit Mitterrand. Frederic Mitterrand kishte një dashuri të pakushtëzuar për Shqipërinë, gjë që ndikoi edhe në interesin tim për këtë vend. Gjithashtu, isha mik i Guy Cogeval, i cili shpesh fliste për Shqipërinë dhe shqiptarët me një admirim të madh për “Tokën e Shqiponjave”. Gjatë 45 viteve të fundit kam kaluar shumë kohë në Gjenovë me miq të lidhur me familjen e shquar Durazzo, me origjinë nga Epiri, dhe kam dëgjuar histori prej tyre. Ndër aventurat e mia të lidhura me njohjen e kulturës dhe artit shqiptar kam pasur kënaqësinë e veçantë të vizitoja Durrësin, Peimontin dhe Venedikun shoqërinë e kuratorit dhe drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve ne Tiranë, Artan Shabani, i cili drejtonte edhe pavijonin shqiptar në Bienalen e famshme të Venecias.
Kam organizuar gjithashtu ekspozita arti për artistë shqiptarë si Bujar Luca në Paris dhe në Torino, Itali. Kam gjetur një mik të mirë te Shkëlqesia e Tij, Dritan Tola, ambasadori shqiptar në Francë, i cili është një ambasador i mrekullueshëm dhe shumë aktiv këtu në Paris. Ai ka qenë shumë i sjellshëm duke më ftuar shpesh në kongrese, balete madhështore në Pallatin e Versajës dhe evente festive që organizohen për promovimin e turizmit në Shqipëri. Gjithashtu, jam i impresionuar nga Shkëlqesia e Saj, Besiana Kadare, ambasadorja shqiptare në UNESCO, e cila po punon me përkushtim për të promovuar Shqipërinë në art, kinematografi dhe kulturë me shumë sukses. Më ka ftuar shpesh në aktivitete të lidhura me Shqipërinë dhe ka qenë një kënaqësi ta pres edhe në shtëpinë time. Kam lexuar të gjitha librat e babait të saj të nderuar dhe jam ndier shumë i nderuar të prezantohesha me Ismail Kadarenë, përmes Donikës, në eventin e saj të pranverës në qershor.
Donika Bardha na tregoi që eventi i qershorit që organizoi ishte i frymëzuar nga ti dhe të dedikohej ty. Ajo donte të të nderonte ty dhe mbështetjen tënde për artin shqiptar dhe artistët…
Shumë bujarisht, Donika organizoi një festë të mrekullueshme për ditëlindjen time në qershor me “crème de la crème” (ajkën) të Shqipërisë. U ndjeva i prekur që isha i ftuari i nderit. Ky event nisi si një festë për ditëlindjen time, por u shndërrua në diçka më të madhe – një celebrim i marrëdhënieve kulturore franko-shqiptare, ku morën pjesë Ministria shqiptar i Turizmit, Mirela Kumbaro dhe Ambasadorja Francez në Shqipëri, Catherine Suard. U nderova nga prania e Princit, Leka Zogu II. Kam një admirim të thellë për historinë, modernitetin, karizmën dhe veprat bamirëse që ai zhvillon përmes fondacionit të tij. Ishte kënaqësi që në festë morën pjesë edhe miqtë e tij nga SHBA, James Figg III dhe Patricia Hearst.
Disa miq francezë të mi erdhën, gjithashtu, në këtë festë në Tiranë, si Comte Xavier de la Baume, një gjuetar i njohur i artit, dhe koleksionist arti, i cili mbajti një fjalim shumë argëtues. Gjithashtu, morën pjesë Princi dhe Princesha Max De Merode, Baron Leonard Decazes, Comte Melchior de Demandolx Dedon, si dhe Nikolai Peiterson nga Kopenhagen, e tjerë. U kënaqa pa masë që në këtë event morën pjesë mysafirë nga Parisi, Luksemburgu, Monako, Belgjika, Rome, dhe vende të tjera evropiane për të festuar dhe për të zbuluar Shqipërinë. Fatkeqësisht, vetëm dy javë pas këtij feste elegante, franko-shqiptar të organizuar nga Donika Bardha dhe Babajt e saj, Ekrem Bardha, Ismail Kadare u nda nga jeta. Jam mirënjohës që pata mundësinë ta takoja atë dhe bashkëshorten e tij, Helenën.
Kemi vënë re që jeni në kërkim të veprave shqiptare kur merrni pjesë në ankande.
Po, në fakt, vite më parë, në një shtëpi ankandesh, në Hotel Drouot, zbulova Portretin e Skënderbeut, i cili së shpejti do të dilte në shitje! Jam jashtëzakonisht i kënaqur që zoti Julien Roche, xhentëlmeni më “shqiptar” francez, e bleu atë për shtëpinë e tij elegante pranë Durrësit. Është një pikturë origjinale në vaj e luftëtarit të madh dhe figurës së rëndësishme historike. E kam vizituar Shqipërinë për dy dekada dhe e kam shijuar në shumë mënyra, gjithmonë me një interes të madh për historinë, artin, kulturën tuaj dhe verërat tuaja të shkëlqyera.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente