KQZ i hoqi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës pasi u dënua për blerje votash, presidenti Begaj takim me Celibashin për caktimin e datës së zgjedhjeve

KQZ i hoqi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës pasi u dënua për blerje votash, presidenti Begaj takim me Celibashin për caktimin e datës së zgjedhjeve

Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i hoqi mandatin Fredi Belerit, presidenti i Republikës Bajram Begaj ka takuar Ilirjan Celibashin, për të caktuar datën e zgjedhjeve në këtë bashki.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka shpallur sot (5 korrik) të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm dhe vetë Fredi Beleri, i dënuar me dy vite burg për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023, i cili u paraqit në sallë me pranga në duar dhe i shoqëruar nga efektivët e burgjeve.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, argumentoi se nuk do të kishte kuptim ligji i dekriminalizmit nëse nuk i hiqej mandati vetëm sepse ai ishte dënuar pasi ishte shpallur fitues i garës për bashkinë.
Ndër të tjera, ai u shpreh se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes.
“Kemi një kryetar të zgjedhur që nuk është në detyrë për ato arsye që janë bërë publike dhe pse me KQZ është shpallur fitues. Nëse ndalojmë dikë të kandidojë dhe i themi vazhdo qëndro në detyrë edhe pse ke kryer një nga ato vepra për të cilat ligji të ndalon të kanidosh, nuk ka kuptim ligji i dekriminalizimit. Duhet ta pranoj se kaq qartë dhe literale në ligj nuk është e shkruar, por në kuptim dhe interpretimit të qëllimit të atij ligji mendoj se kjo është shumë e qartë.
Nuk jam në pozitën për të komentuar sesi kemi ardhur në këtë situatë, por kjo është situata, që ai ka një vendim të formës së prerë. Mendoj se jemi ne kushtet e humbjes se mandate të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh Celibashi.
Kujtojmë se pak pas vendimit, Këshilli i Ministrave ka nisur procedurën për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës.
Me anë të një kërkesë zyrtare drejtuar Presidentit Bajram Begaj, Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, ka njoftuar kreun e shtetit për krijimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, duke kërkuar kështu caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.
“Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ju njoftojmë për krjimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor”, thuhet në kërkesë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi