“Janë grabitur 12 miliardë euro vetëm me Infrastrukturën! Do të bëhet audit”- Sali Berisha: Lubi Balluku, përgjegjëse kryesore e vjedhjeve të tmerrshme të fondeve publike

“Janë grabitur 12 miliardë euro vetëm me Infrastrukturën! Do të bëhet audit”- Sali Berisha: Lubi Balluku, përgjegjëse kryesore e vjedhjeve të tmerrshme të fondeve publike

Sali Berisha ka akuzuar ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku se është përgjegjëse kryesore e vjedhjeve të fondeve publike për ndërtimin e rrugëve.

Kreu i PD-së u shpreh se janë grabitur 12 miliardë euro vetëm me Infrastrukturën, ndërsa theksoi se pas 11 Majit do të bëhet audit për çdo qindarkë të investuar në ndërtimin e rrugëve.
“Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve”, deklaroi Berisha.
Sali Berisha: Sot jam këtu për të paraqitur elementët bazë të programit të PD-së për infrastrukturën e Shqipërisë.
PD, promotore e ndryshimeve më të fuqishme infrastrukturore të vendit, pas 11 majit merr përsipër kompletimin përfundimtar të ndërtimit të infrastrukturës më moderne që Shqipëria ka pasur në t gjitha kohërat.
PD gjatë viteve 2005-2013, ndërtoi dhe rindërtoi rrugë, autostrada, tunele më shumë se në të gjitha kohërat të marra së bashku në Shqipëri. Por krahas tyre, ajo në ato vite realizoi 220 studime dhe projekte, me të cilat Shqipëria transformohej tërësisht në rrafshin infrastrukturor.
12 vitet e qeverisjes së Edi Ramës janë vitet e ndalimit pothuaj të kohës për ndërtimin e infrastrukturës.
Janë vitet e plaçkitjes më të madhe, më të jashtëzakonshme të fondeve, buxhetit publik, të përcaktuara për ndërtimin e rrugëve dhe veprave publike. Do ndalem në disa shembuj për të ilustruar këto abuzime të tmerrshme dhe të paprecedent. Rruga Tiranë-Elbasan u kontraktua me çelësa në dorë, me një lot, me vlerën 255 milionë euro me tunel me dy kalime.
Në qershor të vitit 2013, segmenti Ibë-Elbasan përfshirë dhe tunelet ishte tërësisht i përfunduar. Mbetën 7 kilometër, e hapur plotësisht traseja Ibë-Farkë. Këto 7 kilometra u kushtuan qytetarëve shqiptarë 215 milionë euro. U kushtuan 30 milionë euro për kilometër. Kushtuan me vjedhje 2.2 herë më shumë se sa 1 kilometër në tunel, i cili u ndërtua me 14 milionë euro kilometri.
Shembull tjetër i kësaj infrastrukture janë rrugët e ndërtuara me 10-fishin, 12-fishin e çmimit të rrugëve të ndërtuara më parë, ndërkohë që indeksi i çmimeve në ndërtim dhe punë publike, për materiale dhe të gjitha, është rritur me vetëm 32 përqind.
Nuk janë shënuar kurrë në histori vjedhje kaq të papërmbajtura siç janë shënuar në infrastrukturën e Shqipërisë. Ka rrugë të cilat janë prokuruar dhe nuk ekzistojnë.
Ka rrugë që janë prokuruar me 73 milionë euro siç është rruga Qukës-Qafë Plloçë dhe ajo ka shkuar sot në 215 milionë euro dhe nuk është kurrkund në përfundim.
Për të mos thënë rruga Korçë-Kolonjë e cila në 18 kilometrat e para është ndërtuar me 800 mijë euro kilometri, kurse në pjesën tjetër, në 17 kilometrat e dytë, kostoja është rritur 7 herë. Mbi 5 milionë euro kilometri.
Nuk ka ndodhur, nuk mund të konceptohet një vjedhje e tillë. Për të mos thënë Sheshi Shqiponja, rimodelimi i tij, 40 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.
Unaza e Madhe, çmime stratosferike. 6 herë më shtrenjtë se sa 8 kilometrat e ndërtuara në kilometrat e ndërtuara para vitit 2013.
Pra, në infrastrukturë ku janë investuar 12 miliardë euro, ju garantoj se janë vjedhur më së paku 11 miliardë. Ju lutem, vepra të përfunduara, me 65 miliardë euro buxhet të 12 viteve, është vetëm tuneli i Llogarasë, 19 kilometrat e Unazës së Tiranës të mbetura nga viti 2013 e këndej.
Është vetëm zgjerimi i Unazës së Tiranës tek Sheshi Shqiponja. Janë 3-4 kilometra Elbasan-Librazhd. Nuk mund të imagjinoj se ku janë zhdukur paratë.
Lubi Balluku është përgjegjëse kryesore për këto vjedhje të tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve. Dhe jo më pak Edi Rama.
Mos harroni 2.3 miliardë euro kanë kushtuar pllakat e gurëve të shtruar në qytetet, por kostoja e tyre nuk mund të jetë kurrë më shumë se 3 milionë euro, janë vjedhur 2 miliardë euro nga korporata shtetërore e krimit që është qeveria. Një audit i përgjithshëm do të bëhet pas datës 11 Majit do të bëhet për çdo qindarkë të investuar në infrastrukturë dhe do u tregohet shqiptarëve se çfarë ka ndodhur, vjedhje e tmerrshme në kurriz të tyre.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente