
Ishte Papa i 243 i Kishës Katolike! Amaneti i Klementi XI Albani: Në gurin e varrit më shënoni prejardhjen shqiptare
Më 19 mars të vitit 1721 u nda nga jeta Papa Klementi XI, i mbiquajtur Albani. Emri i tij para se të bëhej papë ishte Gjon Françesk Albani.
Ai ishte nga Urbino dhe pohonte vazhdimisht prejardhjen e tij shqiptare, madje kërkoi që edhe në gurin e varrit t’i shkruhej prejardhja e tij. Që kur ishte prift i ri mblodhi materiale për historinë kishtare ilire. Papa Klementi XI ishte Papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si Papë nga 23 nëntori i 1700-ës deri më 19 mars 1721. Papa Klementi XI, Albani, e drejtoi kishën katolike për 21 vjet dhe rreshtohet i katërti për nga vitet mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet. Në vitin 1660 pas kryerjes së shkollës fillore ai shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak.
Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti do të emërohet si sekretar i dekreteve papnore dhe në shkurt 1690 do emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet Papë i kishës katolike. Ndihmesa ndaj Shqipërisë, shpresa e vazhdueshme e Papës me origjinë shqiptare Klementit të Nëntë, për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” të vitit 1703, i njohur si Kuvendi i Arbrit, i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvnore. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar.
Vdiq më 19 mars 1721 në Romë. Gjenealogjia e kësaj familjeje shumë të lashtë, nga Shqipëria e Veriut, për fat të keq njihet vetëm duke nisur nga Kapedani Mëhill Laca e të bijtë, Filipi e Gergji. Dihet se, pasi luftuan kundër turqve përkrah Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shqipëri, deri më 1464, kur ra kështjella e fundme, ajo e Rozafës, e mbrojtur me gjakun e mijëra trimave, u detyruan të largoheshin nga vendi, si shumë të krishterë të tjerë, për të ruajtur fe e zakone, që në atme dalëngadalë “do të bdareshin e do të bastardoheshin” nën thundrën e huaj. Zgjodhën si vend mërgimi Italinë, ku u pritën nga zoti i Montefeltro, Duka i Urbinit. Ikën pa mburojë tjetër, veç shpatave. S’ kishin, pra, ç’të ruanin si kujtim i atmes në flakë, prej nga vinin në tokën italiane. Vendosën, atëherë, të ruanin ç’kishin më të shtrenjtë: emrin e Atdheut.
Për zotërinjtë mikpritës, ata ishin albanë, prej këndej, e ndërruan llagapin Laca, që në Shqipëri vijon të ruhet edhe sot e kësaj dite, me Albani. Kështu nisi historia e familjes së madhe Albani, në djepat e së cilës u përkundën jo një, por shumë shqiptarë të famshëm, deri tek Papa Klementi XI, që mund ta quajmë Papë “me gjak të holluar” shqiptar, sepse nip e stërnip dyersh të mirënjohura fisnike italiane, sipas lisit të tamblit.
Shumë shpejt Albanët nisën të ngjiten njëri pas tjetrit në shkallët e karrierës, në fillim diplomatike e pastaj edhe politike, duke nisur nga Orazio Albani (1576 – 1653), që e la Urbinin për Romën, ku u bë senator. I biri, Annibale, iu kushtua karrierës kishtare e u bë Prefekt i Bibliotekës së Vatikanit. I vëllai, Karli (1623 – 1684), u martua me markezën e Pesaros, Elena Mosca, me të cilën pati dy djem: Horacin (1652 – 1712) dhe Giovanni Francesco-n, apo Gianfrancesco-n (1649 – 1721), papa i ardhshëm Klementi XI. Horac Albani (1652 -1712) u martua me Maria Bernarda Ondedei, e cila i lindi një Karl tjetër, princ i Sorianos në Cimino e, pas tij edhe Annibale Albanin ( 1682 -1751) kardinal i ardhshëm. Familja Albani pati edhe tre kardinalë të tjerë, të tre, nipa të Papës Klementi XI: Aleksandrin, Gjon Françeskun dhe Jozefin, të cilët qenë proaustriakë e kundërshtarë të Risorgimentos, kur Italia luftonte për bashkim kombëtar. Albanët e Romës nuk duhen ngatërruar me Albanët e Bergamos. E ndoshta edhe me familje të tjera që, duke ikur nga Shqipëria e pushtuar, mbillnin farën e gjenialitetit shqiptar nëpër botë, ku ndërtuan edhe banesat e tyre, njëlloj të famshme si zotërinjtë, që i banonin. Kështu edhe Villa Albani, në Romë. U ndërtua në rrugën romake Salaria për kardinalin Aleksandër Albani, nip i Papës Klementi XI, nga arkitekti Carlo Marchionni, rreth vitit 1758, duke u bërë menjëherë qendër e mirënjohur kulture e botës perëndimore. Në këtë vilë, gjithnjë me emrin Albani, kardinali mblodhi koleksionin e tij me objekte të lashta, të cilat pastaj nuk i grumbulloi mbi sergjene, si në muzetë e kohës, por i përdori si orendi, për të zbukuruar mjediset e vilës, krijuar si vend kënaqësie, i vizituar nga një rreth i ngushtë njerëzish, që dinin ta shijonin këtë mrekulli, duke e soditur me sy të mësuar. Më 1761 Anton Rapael Mengs realizoi, për sallonin e vilës, afreskun e famshëm të Parnasit, ndoshta manifesti më i rëndësishëm pikturesk i lindjes së neoklasicizmit. Programi ikonografik u diktua nga Winkelmanni i famshëm, bibliotekar i kardinalit.
Ai u kujdes edhe për katalogimin e koleksioneve të lashtësisë të mbrojtësit të tij. Për shkak të shpenzimeve të mëdha (rreth 400.000 skude) që iu desh të bënte sa për vilën, aq për koleksionin e famshëm të veprave antike, duke krijuar një nga gliptotekat më të pasura private të kohës, kardinali shkriu gjithë pasurinë aq, sa u detyrua, pastaj, t’i shiste disa nga objektet e çmuara të koleksionit, po pjesa tjetër mbeti, ashtu si biblioteka, me 40 mijë vëllime, ku Winkelmann-i i madh mundi ta shuajë etjen e tij të pashuar për lexim. Shqiptarët mund të krenohen me shtatoret helenike të Vilës së kardinalit Albani, që është përsëri aty ku ishte, e zhytur në heshtje, me kopshtet e harlisura, me shatërvanët e shtatoret, që flasin për lavdinë e perënduar. Ndërsa “albanë” të rinj vijojnë ta përhapin farën e gjenialitetit të tyre nëpër botë, në pritje të ditës kur t’u krijohen kushtet për ta mbjellë, më në fund edhe në trojet e tyre pjellore!
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi