INSTAT publikohen të dhënat e Censit, ja sa banorë jetojnë në Shqipëri

INSTAT publikohen të dhënat e Censit, ja sa banorë jetojnë në Shqipëri

Në Shqipëri jetojnë 2.4 milionë banorë. Këto janë të dhënat e bëra publike sot nga drejtuesja e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli.

Konkretisht, Dhuli tha se “ky cens, vlerësoi në territorin shqiptar në datë 18 shtator 2023, 2 402 113 banorë, të cilët përbëjnë 755 950 familje, me madhësi mesatare 3.2 anëtarë për familje, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme”.
“Censi i Popullsisë dhe Banesave është një fotografi e çastit që i referohet mesnatës së datës 17-18 shtator 2023 të organizuar nga INSTAT. Gjatë tre dekadave të fundit, në demografinë e Shqipërisë kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme, të dallueshme nga njëra-tjetra dhe kjo e fundit e shoqëruar dhe me zhvillime në sferat socio-ekonomike.
Censet kanë siguruar të dhëna të vlefshme për të informuar politikë bërjen dhe për të hartuar strategji kombëtare, për të udhëhequr zhvillimin mbi arsimin, punësimin, aftësinë e kufizuar, kushtet e banimit, karakteristikat etno-kulturore dhe për të ndihmuar në kuptimin e nevojave në ndryshimet popullsisë tonë.
Ky aktivitet ofron informacion thelbësor për matjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, për të t’i integruar përmes statistikave zyrtare si një domosdoshmëri dhe një gjuhë e përbashkët për matjen e progresit të çdo vendi, në familjen e madhe europiane.
Kryerja e censit plotësoi një nga kushtet për hapjen e negociatave , rezultatet do të përdoren për të siguruar që statistikat të bëhen pjesë e planit statistikor europian në të ardhmen.
Ky cens në fakt u realizua përgjatë disa sfidave të ndodhura përgjatë 2019-2022,  ku tërmeti dhe Covid-19 apo kriza e luftës, impaktuan faza të ndryshme të këtij aktiviteti”, tha drejtuesja e INSTAT.
Në krahasim me censin e vitit 2011, ku në Shqipëri jetonin 2.821.977 shqiptarë, sot janë 409 mijë banorë më pak.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi