
Guvernatori Gent Sejko: Si po riformëson inovacioni, shërbimet financiare shqiptare në 2025 dhe më tej! SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin vitin e parë
Guvernatori Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, mbajti sot fjalën në forumin e biznesit “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni, shërbimet financiare shqiptare në 2025 dhe më tej”.Gjatë fjalës së tij, Sejko tha se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global.
Ai tha se teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
Sejko vuri në pah avancimin e vendit tonë për pagesat online.
“Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike”, tha Sejko.
Guvernatori tha se përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.
Sipas Sejkos, numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015.
Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015.
Sejko foli ndër të tjera edhe për SEPA.
Guvernatori tha se përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.
“Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë. Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse. Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor”, tha Sejko.
Gent Sejko: Kam kënaqësinë të jem pjesë e këtij forumi, për të diskutuar së bashku mbi inovacionet financiare në tregun shqiptar, një temë kjo mjaft aktuale dhe e rëndësishme për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Të gjithë jemi dëshmitarë të një transformimi thelbësor për mënyrën se si ofrohen, konsumohen dhe kuptohen shërbimet financiare. Risitë teknologjike po ndryshojnë peizazhin financiar në Shqipëri, duke nxitur zgjerimin e shërbimeve dhe përfshirjen financiare, si dhe duke ofruar mundësi të reja për bizneset dhe konsumatorët. Inovacioni nuk është më një luks apo diçka që i përket së ardhmes. Ai është një realitet i domosdoshëm që po revolucionarizon mënyrën se si mendojnë bankat për pagesat, kreditë, investimet dhe më tej.
Më lejoni t’ju risjell në vëmendje se ekosistemi i pagesave ka përjetuar transformime të rëndësishme në dy dekadat e fundit në nivel global. Teknologjitë e reja kanë transformuar produktet dhe shërbimet e ofruara në tregun e pagesave me vlerë të vogël, ndërkohë që ekosistemi është zgjeruar me aktorë të rinj, të cilët janë kthyer në hallka të rëndësishme në zinxhirin e vlerës së pagesave.
Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend. Transformimi digjital ka sjellë mundësi të reja për rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare dhe rritjen e përfshirjes së popullatës në financë.
Një nga ndikimet më të dukshme të inovacionit në shërbimet financiare të Shqipërisë është transformimi digjital i pagesave dhe i bankingut. Vendi ynë po përjeton një rritje të shërbimeve bankare digjitale, duke i bërë shërbimet financiare më të përshtatshme, më të sigurta dhe më të aksesueshme. Falë përdorimit në rritje të teknologjisë celulare, internetit dhe promovimit të produkteve inovative, konsumatorët po fitojnë akses në shërbime financiare dhe mund të menaxhojnë financat e tyre, të transferojnë para, të paguajnë faturat, në mënyrë elektronike.
Përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke ndihmuar në reduktimin e përdorimit të cash-it dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë. Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 2 pagesa për frymë në vitin 2015.
Gjithashtu, përfshirja financiare – e matur si përqindje e popullsisë që zotëron të paktën një llogari financiare – ka arritur në 78%, nga rreth 40% në vitin 2015. Infrastruktura për pranimin e instrumenteve digjitale të pagesave gjithashtu ka njohur rritje të përshpejtuar. Instrumente të reja, si pagesat nëpërmjet portofoleve elektronike, po gjejnë përdorim gjithnjë e më të gjerë, duke u shtrirë edhe në popullsi ku aksesi bankar është më i rrallë.Banka e Shqipërisë ka qenë pararojë në revolucionin që po riformëson mënyrën se si ne aksesojmë dhe ndërveprojmë me shërbimet financiare.
Nga njëra anë, ne kemi qenë aktivistë të promovimeve teknologjike në treg, dhe nga ana tjetër kemi siguruar mbrojtjen e nevojshme rregullatore për konsumatorin, stabilitetin financiar dhe mbikëqyrjen e subjekteve financiare.
Shqipëria ishte vendi i parë në rajon, i cili transpozoi kuadrin evropian të shërbimeve të pagesave të njohur si PSD2. Kjo paketë rregullatore i hapi rrugën aktorëve të rinj fintech për ofrimin e produkteve të pagesave të përshtatura sipas nevojave të klientëve, me kosto më të ulëta dhe lehtësisht të përdorshme. Ajo solli dhe një koncept të ri, atë të “open banking”, duke nxitur konkurrencën në treg.
Gjithashtu, kemi siguruar ofrimin e infrastrukturave të reja të pagesave, siç është sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi përmes bankave korrespondente.
Operimi i këtij sistemi ka gjeneruar kursime të konsiderueshme, të cilat përllogariten në rreth 100 milionë euro. Vetëm nga zerimi i komisioneve për pagesat deri në 20,000 lekë në vitin 2020, konsumatorëve dhe bizneseve u janë kursyer përafërsisht 700 milionë lekë.
Sot, dua të ndalem në dy momente kryesore, ku kemi përqendruar vëmendjen tonë për adoptimin e standardeve më të mira në rritjen e efikasitetit të shërbimeve financiare.
Sikurse jeni në dijeni, më 21 nëntor 2024, Këshilli Evropian i Pagesave (EPC) mori vendimin për të pranuar Shqipërinë në juridiksionin e zonës gjeografike SEPA. Ky vendim shënon një hap konkret drejt integrimit të vendit në tregun evropian. Miratimi i aplikimit evidentoi nivelin e lartë të pajtueshmërisë ligjore të vendit tonë me atë të Bashkimit Evropian në fushën e pagesave dhe mbikëqyrjes financiare. Përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në SEPA pritet të reflektohen në uljen e komisioneve ndërkufitare në euro, në zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, në zgjerimin e investimeve të huaja në vend etj.
Komisionet për kryerjen e transaksioneve SEPA pritet të jenë ndjeshëm më të ulëta sesa ato aktuale. Vlerësojmë se vetëm nga ulja e komisioneve, kryerja e transaksioneve nëpërmjet skemave SEPA do t’u kursejë agjentëve ekonomikë rreth 20 milionë euro në vitin e parë. Këto përfitime do të jenë të prekshme, pasi secili institucion financiar të aplikojë dhe të pranohet individualisht në skemat SEPA. Banka e Shqipërisë po udhëheq procesin e aderimit të çdo institucioni financiar, duke vepruar si urë lidhëse komunikimi dhe informacioni dhe duke monitoruar plotësimin e kritereve përkatëse. Institucionet shqiptare pritet të nisin aplikimet pranë EPC-së duke nisur nga muaji prill 2025. Bankat vendase janë angazhuar maksimalisht për plotësimin e kritereve teknike dhe ligjore, ku duhet të them, disa prej tyre kërkojnë investime të konsiderueshme financiare. Megjithatë, mbetemi besimplotë se qytetarët dhe bizneset shqiptare do të mund të kryejnë transaksione SEPA duke nisur nga muaji tetor.
Së dyti, kam kënaqësinë të ritheksoj se “Open banking” është një realitet, për të cilin renditemi po ashtu ndër vendet e para në rajon. Tashmë dhe në Shqipëri bankat nuk janë të vetmet kontrolluese të të dhënave financiare të klientëve. Falë iniciativave të Bankës së Shqipërisë dhe pas disa zhvillimeve të njëpasnjëshme ligjore dhe rregullative, të dhënat financiare të klientëve të bankave ndahen me palë të treta.Klientët shqiptarë mund të autorizojnë palët e treta të transferojnë fondet nga llogaritë e tyre bankare për të kryer pagesa dhe për të marrë shërbime të ndryshme. I gjithë ky proces realizohet në mënyrë të sigurt, nëpërmjet ndërfaqeve të aksesit të standardizuara. Këto risi burojnë nga ligji për shërbimet e pagesave (që transpozoi PSD2) të vitit 2020 dhe nga aktet nënligjore që pasuan, të hartuara dhe të implementuara brenda harkut kohor 2021-2024.
Deri më sot, janë autorizuar për të kryer veprimtarinë e ofruesit të shërbimit të inicimit të pagesave dhe atë të informimit të llogarisë, 2 institucione të parasë elektronike dhe 4 të tjera janë në proces shqyrtimi dhe vlerësimi. Sikurse jeni në dijeni, janë shënuar dhe transaksionet e para të suksesshme, ai i inicimit të pagesës dhe i informimit të llogarisë, ndërmjet një banke dhe një institucioni të parasë elektronike, të cilat presim të rriten në volume dhe të shtrihen në më shumë subjekte.
Padyshim që vënia në jetë e Open Banking kërkonte një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve financiare banka dhe atyre jobanka, agjencive qeveritare dhe ofruesve të teknologjisë, të cilat gjej rastin t’i falënderoj. Bankat dhe subjektet e licencuara Fintech kanë kryer investime të konsiderueshme, kanë përmirësuar sistemet e tyre të TI-së dhe kanë marrë certifikimet e nevojshme për të lehtësuar shkëmbimin e sigurt të të dhënave ndërmjet palëve. Nuk mund të lë pa përmendur dhe Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit, e cila pati një rol të rëndësishëm në testimin dhe integrimin e këtyre shërbimeve sipas standardeve më të fundit evropiane të sigurisë.
Ne jemi besimplotë se “bankingu i hapur” do të ulë kostot e shërbimit, rrisë shpejtësinë e pagesave elektronike, si dhe përmirësojë përvojën e përdoruesve në një sektor të avancuar bankar. Përtej sa rendita më sipër, kemi kontribuuar dhe në rritjen e ndjeshme të konkurrencës, dhe vijojmë të jemi në linjë me prioritetet e tjera të Bankës së Shqipërisë, atë të rritjes së përfshirjes financiare dhe nxitjen e rritjes ekonomike.
Ndarja e të dhënave financiare në një shkallë më të gjerë krahasuar me banking-un tradicional patjetër që përtej përfitimeve shoqërohet edhe me rreziqe të mundshme. Për këtë arsye, kuadri ligjor dhe rregullativ aktual, krahas lehtësimit të kryerjes së pagesave elektronike, përfshin rregulla për mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë e tij dhe mbrojtjen kundër mashtrimit.
Krahas rritjes së popullaritetit të bankingut të hapur, Banka e Shqipërisë do të vijojë të ndjekë me kujdes dhe në kohë reale zhvillimet në këtë drejtim në vendet e Bashkimit Evropian.
Në përfundim, më lejoni ta mbyll duke cituar temën e këtij forumi: E ardhmja është tani, dhe inovacioni është në qendër të transformimit të shërbimeve financiare në Shqipëri. Roli ynë si rregullator, politikëbërës dhe udhëheqës i industrisë është të sigurojmë që këto ndryshime të përqafohen me përgjegjësi dhe në mënyrë të qëndrueshme. Teksa ecim përpara, është e domosdoshme të krijojmë një mjedis që nxit përparimin, duke mbrojtur interesat e të gjithë aktorëve dhe duke synuar të ndërtojmë një sistem financiar që jo vetëm i përgjigjet nevojave aktuale, por gjithashtu hedh themelet për një të ardhme më të begatë dhe gjithëpërfshirëse.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi