
Gjykata e Elbasanit kthen për plotësim dosjen e rusëve të dyshuar për spiunazh! Hynë me forcë në uzinën e armëve në Gramsh dhe sulmuan edhe rojet e objektit
Ndonëse prej dy vjetësh ata janë lënë të lirë, dy rusët dhe ukrainasi që u akuzuan për spiunazh vijojnë të jenë nën hetim për akuzën e ngritur ndaj tyre.
Gjykata e Elbasanit i ktheu për plotësim hetimesh prokurorisë dosjen e dy rusëve dhe një ukrainasi, të cilët u kapën në uzinën e armëve në Gramsh, pas përplasjes me rojet ushtarakë. Vendimi u mor tri ditë më parë në seancën paraprake gjyqësore, ku organit akuzues iu la afat kohorë deri në fund të muajit maj.
Prokurori Kreshnik Ajazi po heton tre shtetasit e huaj për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i informatave sekrete me karakter ushtarak apo të çdo lloji tjetër, me qëllim që t’i jepen një fuqie të huaj”, i parashikuar nga neni 214 i Kodit Penal, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “kundërshtim me forcë të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore”.
Svetlana Timofeeva, Mikahil Zorin të moshave 34 dhe 23 vjeç dy shtetas rusë si dhe Fedir Alpatov 24 vjeç ukrainas u arrestuan në datë 20 gusht të vitit 2022 pas një incidenti që u shënua brenda rrethimit të ish-Uzinës së Armëve në Gramsh. Pasi u arrestuan, ata thanë se janë blogerë të apasionuar pas godinave të braktisura dhe objekteve ushtruake për këtë arsye vizituan uzinën në Gramsh, duke mohuar të jenë spiunë. Prokuroria ngriti dyshimet për spiunazh me pretendimin se të tre ata kishin ardhur në vendin tonë për të mbledhur informacione ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare. Tre të huajt po hetohen nga organi i akuzës pa masë sigurimi personal.
PROVAT SIPAS DOSJES
Provat e siguruara ndaj dy shtetasve rusë dhe një shtetasi ukrainas bëjnë që organet ligjvënëse në vend të besojnë se ardhja e tyre në Shqipëri ishte pjesë e një misioni. Në dosjen e zbardhur ditën e djeshme thuhet se ka rezultuar sipas të dhënave se këta shtetas në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara.
“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara”, thuhet në dosje.
Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe 25-vjeçari ukrainas Fjodor Mihajlov, të cilët u vunë në pranga do të përballen sot me masën nga Gjykata e Elbasanit. Kjo e fundit u ka ngarkuar tri akuza “spiunëve” të Rusisë, sigurimi i informacionit të klasifikuar, goditje për shkak të detyrës ndaj efektivëve, si dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake.
LIRIMI
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar lirimin e tre “spiunëve” më 25 maj të 2 vjetëve më parë, përkatësisht dy shtetas rusë dhe një ukrainas, të arrestuar disa muaj më parë në uzinën e Gramshit. Sipas Prokurorisë, kjo kërkesë ka ardhur për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit. Pas marrjes së kërkesës në fjalë, gjykata e ka pranuar, duke liruar kështu tre rusët nga qelia.
Referuar vendimit, dy shtetasit rusë Mikhail Zorin dhe Zvetlana Timofeeva janë me “detyrim paraqitje”, ndërsa ukrainasi Fedis Alpatov do të jetë në “arrest shtëpie”. Po ashtu, këta të fundit do duhet të paraqiten një herë në muaj para oficerit gjyqësor për verifikimet përkatëse. Ata u ndaluan mbrëmjen e 20 gushtit të një viti më parë në Çekin të Gramshit, brenda uzinës së armëve në këtë qytet, pasi u pikasën nga 2 ushtarakë, duke filmuar ambientet e brendshme të uzinës.
Për të shmangur ndalimin, njëri prej tyre sulmoi me sprai paralizues ushtarët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici. E megjithatë, ky nuk është rasti i parë që në territorin e Republikës së Shqipërisë ka histori me spiunë. Në vitin 2021, 4 anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën në rrethana misterioze në një hotel në qerret të Kavajës.
/Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi