
EMRAT/ Gara për kreun dhe anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH, Komisioni i Medias përzgjedh kandidatët! Pritet miratimi i tyre në Kuvend
Komisioni i Medias ka zgjedhur emrat e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH.
Kandidatët e përzgjedhur për kryetar janë Helion Haliti dhe Fatjon Hoxhalli, ndërsa për anëtarë të Këshilli Drejtues janë; Petrit Beci, Rajmonda Bulku, Osman Mula, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Eno Civici, Alket braho, Lorenc Vangjeli, Pano Xhixho dhe Zamira Kita.
Emrat tashmë pritet të kalojnë për votim në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë seancës së të enjtes (13 mars).
SHKARKIMI NË BLLOK
Më 13 shkurt, Kuvendi i Shqipërisë shkarkoi 11 anëtarët e këshillit drejtues të RTSH për shkeljen e procedurave në garën për drejtor të përgjithshëm të televizionit dhe një sërë shkeljesh të tjera për konflikt interesi deri në kufijtë e shpërdorimit të detyrës, Kuvendi ka nisur procedurat për përzgjedhjen e bordit të ri.
Ishte Komisioni i Medias, ai që i kërkoi Kuvendit shkarkimin nga detyra të të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Paraprakisht, Komisioni i Medias zhvilloi përgjatë disa ditëve dëgjesa me anëtarët e Këshillit të RTSH, ku ata pretenduan se i kishin denoncuar vazhdimisht shkeljet në RTSH, por nuk ishin marrë parasysh.
Ndërkohë, disa ditë më parë dhanë dorëheqje dy prej anëtarëve, Gëzim Podgorica dhe Genc Përmeti.
Procedurat e shkarkimit vijnë pak ditë pas debatit në lidhje me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH ku me shumicë votash u shkualifikuan 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim.
Ndërkohë pesë kandidatë të tjerë ishin shkualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit duke lënë në garë vetëm Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon.
Gjatë këtij procesi përzgjedhje që duhej të ishte me votë të fshehtë u zbulua se anëtari Mevlan Shanaj kishte votuar nga Vietnami. Ai kërkoi që të vijonte punë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi