
“Do rriten pensionet, rroga mesatare do jetë 1200 euro”- Sali Berisha premton: Energjia për bizneset dhe nafta do të ulen
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka prezantuar programin e tij, duke u shprehur se do të nxjerrë Shqipërinë, sipas tij, nga honet e varfërisë ekstreme në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Berisha premtoi se do rriten pensionet për të moshuarit, ndërsa rroga mesatare do jetë 1200 euro.
“Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Do rriten pensionet. Rroga minimale do jetë 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro. Nuk do preket rroga maksimale sepse diferenca mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale është më e thella se në çdo vend tjetër që unë di në planet. Se kështu e bënë këta në mendësinë e tyre”, u shpreh kryedemokrati.
Ai shtoi se do të ulet çmimi i energjisë për bizneset, si edhe çmimi naftës.
“Ne do i rikthehemi fuqishëm në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta blejnë energjinë sa më lirë. Do ulet energjia për bizneset, do zbresë nga 24 lekë në 6 lekë. Do ulet energjia për qytetarët, do zbresë në 7 lekë. Do ulet nafta”, deklaroi kreu i PD-së.
Sali Berisha: Programi i Shqipërisë Madhështore në pamje të parë duket si një program i ekazgjëruar, si një epitet i ekzagjeruar, por është shumë real. Se sa nuk ka pasur gjë më madhështore që të vendosësh pluralizmin në Shqipëri, në vendin e monizmit ekstrem.
Nuk ka pasur më madhështore se sa të nxjerrësh Shqipërinë nga honet e varfërisë ekstreme në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Nuk ka pasur akt më madhështor se Shqipërinë, vendin më të pasigurt, ta anëtarësosh në aleancën me të fuqishme politike dhe shtarake, aleancën e Atlantikut të Veriut.
Nuk ka pasur akt më madhështor, se sa Shqipërinë që në vitin 2055 kishte përdorimin e internetit 4.5 përqind dhe ta 14-fishosh brenda një kohe 7-8 vjeçare. Edhe kjo përbën një akt madhështor. Të dyfishosh rrogat dhe pensionet, edhe ky është një akt madhështor.
Ku e bazojmë ne këtë që flasim për Shqipërinë Madhështore? E bazojmë sepse ne kemi realizuar shumë momente madhështore. Por ato përsëri nuk krijonin atë që themi ne, Shqipërinë Madhështore. Jo, Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria që nuk do njohë varfëri ekstreme. Ne kemi gjetur çelësin e saj. Cili është çelësi? Ne do ua kthejmë paratë shqiptarëve.
Paratë që mblidhen nga të ardhurat e tyre, një pjesë e mirë do shkojë për rroga dhe pensione. Nuk u themi ne pensionistëve që nuk do vëmë para në fondin tuaj se shembet Shqipëria. Shqipëria shembet po t’i lësh ata në gjendje të mjerë. Ndaj ne do vendosim minimumin jetik.
Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Do rriten pensionet. Rroga minimale do jetë 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro. Nuk do preket rroga maksimale sepse diferenca mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale është më e thella se në çdo vend tjetër që unë di në planet. Se kështu e bënë këta në mendësinë e tyre.
Por përsëri kjo nuk është Shqipëria Madhështore. Kjo është Shqipëria jashtë dhimbjes. Shqipëria Madhështore është Made in Albania. Do e bëjmë Shqipërinë një hotel apo një vend që prodhon kudo të mira për qytetarët e saj, që pasuritë përrallore do ua kthejë qytetarëve të vet?
Shqipëria ka pasuri botërore në rezervat e saj nëntokësore. Ka një tokë ndër më pjelloret që mund të bëhet. Është një vend me më shumë ujëra se çdo vend i rajonit.
Shqipërisë ia shkatërruan prodhimin. Ia shkatërruan duke vendosur standarde që nuk ekzistojnë askund në tregti. Ia shkatërruan prodhimin me narkoeuro. Çdo javë mbyllen ndërmarrjet e eksportit për shkak të rënies së vlerës së euros me 35 përqind. Dhe çfarë euro është? Është narkoeuro! Imagjinoni ju, nga viti 2023-2024, eksportet ranë me 32 përqind.
Mijëra e mijëra shqiptarë mbyllën vendet e punës dhe u detyruan të largohen jashtë vendit. A ka mundësia t’i mbrojë? Plotësisht. Qeveria mbron kursin, kompenson kursin që droga ia uli euros dhe i kompenson eksportuesit për aq sa ka rënë euro dhe nuk humbasin qindra vende pune dhe nuk bllokohet prodhimi.
Pra, Made in Albania do jetë krenari kombëtare. Do jetë gjeneratori kryesor i punësimit tuaj. Do jetë vendi i suksesit tuaj. Startup-et tuaja do mbështeten me çdo mënyrë për suksesin e tyre. Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë. Shqipëria do ketë çmimin më të ulët të energjisë dhe do shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale.
Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme të prodhimit të energjisë nga dielli, uji, era dhe gazi. Të gjitha këto janë potenciale të ndaluara gjer sot për shkak të korrupsionit, arbitraritetit, mungesa e sistemit të drejtësisë.
Ne do i rikthehemi fuqishëm në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta blejnë energjinë sa më lirë. Do ulet energjia për bizneset, do zbresë nga 24 lekë në 6 lekë. Do ulet energjia për qytetarët, do zbresë në 7 lekë. Do ulet nafta. Çfarë i duhet pensionistit nafta, i thoshte Edi Rama një zonje që e gozhdoi në ‘Opinion’. Pse pensionisti nuk lëviz me autobus? Apo duhet të rrijë në shtëpi ai? Pra, ne kemi një program me të cilin ju mund të trokisni në çdo derë, në çdo zemër, në çdo mendje.
A është vetëm ky programi? Jo. Shqipëria do bëhet epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon e më gjerë. Do bëhet epiqendër e inteligjencës artificiale, kriptomonedhave, dataqendrave. Pra, kjo do jetë Shqipëria Madhështore, plotësisht e realizueshme. Por këto janë të gjitha fjalë në ekran.
Këto fjalë duhet të çohen në çdo derë. Këto fjalë duhet ët çohen te çdo qytetar. Dhe u them unë një gjë se nuk ka mesazherë më bindës, më të pëlqyer, më të besueshëm se sa ju të rinjve. Pra, kjo fushatë është në duart tuaja. Jeni ju mesazherët e saj, ne fitojmë. Do bëheni ju fytyrë e vërtetë e saj, ne fitojmë. Do bëheni ju njerëzia e saj, ne fitojmë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi