“Detyroi narkosin e kallëzuar t’i bënte kallëzim për…”- Rama ironizon Bardhin pasi vëllai i tij u paraqit në SPAK: Le të presim deri në fund nëse Prokuroria do të gjejë provat e pretenduara nga çingija

“Detyroi narkosin e kallëzuar t’i bënte kallëzim për…”- Rama ironizon Bardhin pasi vëllai i tij u paraqit në SPAK: Le të presim deri në fund nëse Prokuroria do të gjejë provat e pretenduara nga çingija

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi vëllai i tij Olsi Rama u mor sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me dosjen Xibraka.

Kreu i qeverisë ka ironizuar kreun e  Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhin duke thënë se ai “kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallëzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallëzuar, t’i bënte kallëzim për kallëzim të rremë”.
Ndër të tjera Rama shkruan se nuk ka qenë hiç kallëzim, por “një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon”.
Rama në fund të reagimit të tij në platformën X shprehet se “le të presim deri në fund nëse SPAK do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër”
Reagimi i Ramës:
A ju kujtohet kur thoshte “kallzim more kallzim kam bërë” duke tundur ndenjësen mbi karrige?! Kishte zbuluar një narkotrafikant në familjen time, që e kishte kallzuar në SPAK dhe aq shumë e bëri ajrin vrimë me gisht sa e detyroi narkosin e kallzuar, t’i bënte kallzim për kallzim të rremë.
Mirëpo ja që s’paska qenë kallzim i rremë sepse s’paska qenë fare hiç kallzim, po një tjetër kërcim i çingijes në prehërin e tutorit të ri lart në ballkon.
Orë të tëra në parlament, intervista të tëra nëpër kanale, tituj e fjali të tëra nëpër portale, pa asnjë turp e asnjë respekt për miletin që e kanë bërë si mish në pazarin e neveritshëm të kujeve e kuisjeve të tyre, dhe si përfundim një tallje e madhe për një kallëzim që nuk ekziston!
Fatmirësisht SPAK-u megjithatë e ka rihapur dosjen e tundur nga çingija si dajre mbi prehërin e tutorit dhe le të presim deri në fund nëse do të gjejë provat e pretenduara nga çingija do të duhet t’i gjejë vendin gishtit të akuzës që e ka mbajtur aq shumë në ajër, për të argumentuar kallzimin e paqenë!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi