Dënimi i Salianjit/ Mbledhja e Kryesisë së PD me dyer të mbyllura, zbardhen propozimet e Nokës: Protesta në çdo qark dhe bllokim të rrugëve, porteve e universiteteve
Pas fjalimit të kryetarit të PD-së Sali Berisha, mbledhja e Kryesisë së kësaj partie, e cila u thirr pas dënimit me një vit burg të deputetit Ervin Salianji, vijoi me dyer të mbyllur.
Burime për gazetarin Osman Stafa, bëjnë me dije se Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka ka propozuar protesta në çdo qark, bllokim të rrugëve, porteve dhe aeroporteve.
Gjithashtu ai ka propozuar dhe bllokim të universiteteve.
Kujtojmë se Berisha u drejtua anëtarëve të Kryesisë së PD-së që të lënë çdo gjë dhe t’i përkushtohen nga mëngjesi deri në darkë betejës për mobilizim, duke theksuar se do t’i përgjigjen dhëmbë për dhëmbë regjimit.
“Qëndrimi ynë do të jetë një opozitë me të madh e të vogël, me të gjithë atë që guxon, në protestë, protestë.
Qëndrimi ynë do të jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh, të përballjes dhëmbë për dhëmbë, si objektivi më madhor absolut, me këtë regjim, që nuk njeh kushtetutë. Me këtë regjim që bën gjithçka të mos ketë opozitë. Që trajton Shqipërinë si plaçkë personale, si çiflig.
Pa një opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm. Po të ishte puna për sovranitet të jashtëm, Enver Hoxha nga mëngjesi deri në darkë, sfidonte gjithë botën, por Shqipëria ishte pa sovranitet të brendshëm. Beteja nuk duhet të jetë për individin, por për një opozitarizëm”, tha ndër të tjera Berisha.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi