Denigronte drejtuesit e institucioneve në një portal, Gjykata cakton masën e sigurisë për ish-zyrtarin e AMP-së! Çfarë thuhet në dosjen hetimore

Denigronte drejtuesit e institucioneve në një portal, Gjykata cakton masën e sigurisë për ish-zyrtarin e AMP-së! Çfarë thuhet në dosjen hetimore

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje për ish zyrtarin e AMP, Kushtrim Selimi, i cili në bashkëpunim me disa persona të tjerë publikon lajme të rreme për drejtuesit e institucioneve.

Po ashtu, ndaj tij eshte caktuar edhe masa sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
DOSJA
Në dosje, referuar dëshmisë së Regina Omerit, një tjetër ish-zyrtare e AMP-së, sqarohet edhe roli që ka pasur Kushtrim Selimi.
“Regina Omeri është pyetur se kush është arsyeja që Kushtrimi kërkonte dhe publikonte lajme të tilla në portalin Shqipnews.info dhe ka deklaruar se nuk e ka idenë se përse e bënte Kushtrimi një gjë të tillë, por në disa biseda të shkurtra që ka kryer me të pa interes nga ana e saj i bënte për arsye personale pune.
Është pyetur nëse ka dijeni për ndonjë person tjetër të përfshirë në administrimin, futjen ndryshimin apo fshirjen e të dhënave në portalin Shqipnews.Info dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni dhe as nuk ka qënë e interesuar që ta dinte. Siç ka deklaruar dhe më sipër di që me këtë portal merret Ervisi dhe lajmet ia dërgonte Kushtrimi”, thuhet ndër të tjera  në dosje.
Hetimet lidhur me publikimin e lajmeve apo shkrimeve kanë nisur pas denoncimit të bërë nga Dritan Pjetri, drejtues i AMP në Tiranë, figura e të cilit është denigruar nga portali në fjalë.
Gjithashtu dosja përfshin dëshminë e gazetarit, që është paguar me një pagë mujore 500 mijë lekë të vjetra,  për të publikuar shkrime apo artikuj, të botuar edhe nga media të tjera, ku sulmoheshin drejtuesit e Policisë së Shtetit, përfshi këtu edhe Neritan Nallbatin, Muhamet Rrumbullakun, Florjan Sulejmani, Rebani Jaupi etj.
Vendimi
Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit Kushtrim Selimi, i biri i Hasan dhe Farie, i datëlindjes 05.07.1985, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, pallati “Isha Poliklinika e Udhëheqjes”, me gjendje gjyqësore i padënuar, me shtetësi shqiptare, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim kompjuterik” parashikuar nga neni 186/a/2 i Kodit Penal.
Detyrimin e personit nën hetim Kushtrim Selimi që të paraqitet në Policinë Gjyqësore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, të hënën e dytë dhe katër të çdo muaji, ora 10:00
Urdhërohet policia gjyqësore që t’a ekzekutojë këtë vendim.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit.
Skema 
Ndaj ish zyrtarit të AMP kanë ngritur kallëzim penal drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati dhe Drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Rebani Jaupi.
Kallëzimet ndaj tij janë bërë lidhur lajmet e publikuara nga Kushtrim Selimi së bashku me vëllain e tij në SHISH, për denigrimin e drejtuesve të institucioneve të Policisë së Shtetit.
Ish-shefi i Sektorit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Kushtrim Selimi akuzohet se përmes një portali publikonte shkrime denigruese ndaj drejtuesve të Policisë.
Kushtrim Selimi mësohet se financonte portalin shqipnews.info, që e kishte hapur së bashku me zyrtaren tjetër të AMP, Rexhina Omeri dhe gazetarin Ervis Hasanaga.
Ata publikuan shkrime të rreme për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun, drejtorin e Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike, Rebani Jaupin, dhe kreun e AMP-së, Florjan Sulejmani me qëllim denigrimin e tyre në publik përmes lajmeve të rremë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi