
Dëbimi i Oficerit të Policisë Gjyqësore, agjencia amerikane, ICE: Hyri në mënyrë të ligjshme në SHBA
Agjencia amerikane e Emigrimit dhe Doganave, e njohur ndërkombëtarisht si ICE, ka reaguar pas ekstradimit të oficerit shqiptar në drejtim të Shqipërisë.
Në një njoftim zyrtar thuhet se ICE dëboi Fatbardh Lalën, i cili kërkohej në Shqipëri për mashtrim dhe ryshfet. Po ashtu, kjo agjenci thekson se Lala kishte hyrë në mënyrë të ligjshme në SHBA më 10 maj të vitit 2023 në aeroportin në Çikagos, edhe pse kërkohej me urdhërarrest nga Shqipëria.
Ai u arrestua kur iu refuzua hyrja në Kanada më 23 tetor 2024, pasi u zbulua se kishte një urdhër arresti ndaj tij. Referuar të dhënave që dalin nga ky njoftim bëhet me dije se: “Ne zbuluam se Lala kërkohej për ryshfet dhe mashtrim, të cilat janë akuza të rënda, dhe ai tani mund të mbahet përgjegjës për ato krime”, – tha drejtori i ICE në Detroit, Robert Lynch. “ICE mbetet e përkushtuar për dëbimin e të arratisurve të huaj, pavarësisht nga kombësia, në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë në vendet e tyre”. Ish-oficeri i Policisë Gjyqësore, Lala, akuzohet se ka kryer korrupsion dhe ka zbuluar të dhëna që përbëjnë sekret kundrejt ryshfetit. Ai ka marrë 50 mijë lekë të reja për të ndërhyrë tek prokurori dhe gjyqtari me qëllim shmangien e dënimit të Ermir Llagaçit.
VENDIMI I GJKKO-SË
Më 22 maj të vitit të kaluar Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar njoftoi se në përfundim të gjykimit për Oficerin e Policisë Gjyqësore, Fatbardh Lala, e ka dënuar këtë të fundit me dy vjet burg për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe një vit burg për “Zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete. Kujtojmë që Lala u akuzua nga SPAK, se në këmbim të 50 mijë lekëve ka premtuar se do të ushtronte ndikim te një prokuror dhe gjyqtar për të lehtësuar pozitat e shtetasit Ermir Llagaçi në një proces penal.
GJKKO ka dënuar po ashtu edhe Ermir e Tefta Llangaçin, të cilët i dhanë shumat monetare Lalës me nga 1 vit burg. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 20.03.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Fatbardh Lala, akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 4 dhe 295/a paragrafi i III Kodit Penal, si dhe të pandehurve Tefta Llagaçi dhe Ermir Llagaçi akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.
Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Etleva Deda dhe Erjon Çela, me vendimin Nr. 270, datë 22.05.2024 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatbardh Lala për veprën penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 K.Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatbardh Lala për veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a paragrafi i III të K. Penal, dhe bazuar ne këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
Bazuar në nenin 55 të Kodit Penal në bashkim të dënimeve i pandehuri Fatbardh Lala dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vjet burgim. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Fatbardh Lala i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e burgim.
Vuajtja e dënimit të kryhet nga i pandehuri Fatbardh Lala në një burg të sigurisë së zakonshme./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi