
Celibashi takon Prodën, në fokus zgjedhjet e 11 Majit: Policia do të parandalojë dhe ndëshkojë krimet zgjedhore!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda zhvilloi sot një takim zyrtar, në ambientet e KQZ-së, me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe diskutimi mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, duke vënë theksin tek siguria, transparenca dhe respektimi i standardeve demokratike.
Në fokus të diskutimeve ishte roli i Policisë së Shtetit në mbështetje të një procesi zgjedhor të qetë dhe të besueshëm.
Palët ritheksuan në takim angazhimin për të luftuar çdo përpjekje për të cenuar integritetin e zgjedhjeve, duke siguruar se çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm.
Gjatë takimit, Drejtor Proda u shpreh: “Policia e Shtetit do të zbatojë me përpikmëri detyrimet e saj ligjore dhe do të ndjekë çdo rast të denoncimit të krimeve zgjedhore, duke bashkëpunuar ngushtë me KQZ-në dhe me institucionet e tjera. Askush nuk mund të cenojë procesin zgjedhor, pa u përballur me pasojat ligjore.”
Gjithashtu, Drejtori konfirmoi se strukturat policore janë të përgatitura për të përmbushur detyrimet e tyre, me profesionalizëm dhe neutralitet të plotë.
Ai theksoi se Policia do të jetë aktive, jo vetëm në sigurimin fizik të procesit zgjedhor, por dhe në identifikimin dhe adresimin e çdo shkeljeje të ligjit zgjedhor, në bashkëpunim me organet e drejtësisë.
Ndërkaq, Komisioneri Celibashi theksoi: “Policia e Shtetit është një partner i rëndësishëm në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve tona është jetik për të krijuar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë votuesit”.
Më tej, gjatë takimit u diskutuan në mënyrë të detajuar, aspekte të rëndësishme si:
-Parandalimi dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore, siç janë blerja e votave, presionet ndaj votuesve dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës.
-Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë, KQZ-së, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar dhe ndëshkuar çdo shkelje të ligjit zgjedhor.
-Zbatimi i masave të shtuara të sigurisë gjatë periudhës parazgjedhore, ditës së votimit dhe numërimit të votave, duke parandaluar çdo incident të mundshëm.
-Trajnimi i strukturave policore mbi detyrimet ligjore dhe procedurat që lidhen me procesin zgjedhor, duke përfshirë identifikimin dhe raportimin e veprave të paligjshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi