
“Betejat nuk më trembin”- Ndër më të votuarat në Primare, Jorida Tabaku në listën e hapur: Sot nis një sfidë të re! Në PD asgjë nuk më është falur, por e kam fituar me punë
Edhe pse në primaret e PD doli ndër më të votuarat në Tiranë, deputetja demokrate Jorida Tabaku u pozicionua në listat e hapura në Tiranë.
Me anë të një reagimi në Facebook, Tabaku shkruan se sot nis një sfidë të re, betejën për Tiranën në listën e hapur.
Ajo thekson së në Partinë Demokratike asgjë nuk i është falur, por e ka fituar me punë dhe përkushtim.
“Betejat nuk më trembin! Nuk më trembi komisioni hetimor, as pronarët e inceneratorëve që sot janë në arrati apo në qeli. Nuk më trembi as beteja për profesionet e lira dhe të drejtat e qytetarëve. Ndaj nuk do të më trembë as kjo sfidë!”, shkruan deputetja e PD.
Reagimi i Tabakut
“Faleminderit demokratëve të Tiranës për besimin! Fitova primaret me mbështetjen tuaj dhe isha ndër më të votuarit, por sot nis një sfidë të re—betejën për Tiranën në listën e hapur!
Në Partinë Demokratike asgjë nuk më është falur. Çdo betejë e kam fituar me punë dhe përkushtim, dhe ashtu do të ndodhë edhe tani! Do të jem në Parlamentin e ri për të përfaqësuar jo vetëm demokratët që më votuan, por edhe ata që ende nuk e shohin veten të përfaqësuar. Për një ekonomi më të mirë, për shtresën e mesme, për familjet shqiptare, për integrimin Europian dhe për luftën ndaj korrupsionit!
Betejat nuk më trembin! Nuk më trembi komisioni hetimor, as pronarët e inceneratorëve që sot janë në arrati apo në qeli. Nuk më trembi as beteja për profesionet e lira dhe të drejtat e qytetarëve. Ndaj nuk do të më trembë as kjo sfidë!
Për mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë privilegj më të madh sesa të jem zëri i demokratëve dhe të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet dhe vendosmëri!”
NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
© Panorama.al
Burimi