BASKETBOLL FEMRA/ Superkupa e 15 për Flamurtarin duke shkatërruar Tiranën në finale. Drejtoresha Hasanaj: Ky është vetëm fillimi

BASKETBOLL FEMRA/ Superkupa e 15 për Flamurtarin duke shkatërruar Tiranën në finale. Drejtoresha Hasanaj: Ky është vetëm fillimi

Flamurtari ka fituar trofeun e parë të rëndësishëm të edicionin 2024-2025 në basketbollin e femrave në Shqipëri. Vlonjatet shkatërruan dje Tiranën në finalen e Superkupës, duke i mundur kryeqytetaset me rezultatin e thellë 59-81 në takimin e zhvilluar në Fier. Një ndeshje e dominuar nga fillimi e deri në fund nga ekipi vlonjat, i cili koleksionon kështu trofeun e 15-të (rekord) të Superkupës. Finalja e zhvilluar në pallatin e sportit “Apolonia” vendoste përballë Tiranën me statusin e kampiones dhe Flamurtarin si fitues i Kupës. Ndryshe nga sa parashikohej, ndeshja ishte pa histori, pasi vajzat e drejtuara nga trajneri Agim Dalipi u treguan superiore në çdo aspekt të lojës.
Flamurtari e filloi vrullshëm, duke marrë shpejt epërsinë për ta fituar periodën e parë 10-17. Edhe e dyta foli për vlonjatet, fraksion që u mbyll 15- 19, ndërsa pas 20 minutash rezultati shënonte 25-36 për Flamurtarin. Pjesa e dytë nuk ndryshon asgjë, përkundrazi ekipi vlonjat e thellon edhe më shumë avantazhin, ndërsa vajzat bardheblu të trajneres Mirza Alibegaj ishin të pafuqishme për të reaguar, duke bërë shumë gabime në lojën e tyre.
Kështu Flamurtari i merr edhe dy periodat e radhës përkatësisht 16-23 dhe 18-22, për të vulosur suksesin final me 22 pikë diferencë, në shifrat 59-81. Në fund kishte vend për festën e merituar të vajzave të Flamurtarit, me kapitenen Tea Memushi që ngriti lart trofeun, që i dorëzoi presidenti i FSHB-së, Avni Ponari.

MVP e finales u shpall Jose Johnson, amerikania e afruar së fundmi në Vlorë, e cila regjistroi 20 pikë, 6 kërcime dhe 4 asistime. I gjithë formacioni vlonjat mbërriti në dopioshofër pikësh, ku u dallua gjithashtu edhe Samra Omerbasiç, me 18 pikë e 11 kërcime. Për Tiranën më e mira ishte amerikania Davis, autore e 17 pikëve dhe 10 kërcimeve.

Hasanaj në delir: Vetëm fillimi, ky është Flamurtari më i fortë Drejtoresha e klubit shumësportësh Flamurtari, Elona Hasanaj, u shfaq e gëzuar pas suksesit të vlonjateve në Superkupë: “Jam shumë e emocionuar që Superkupa erdhi në Vlorë. Basketbolli në Vlorë është traditë dhe të rikthehemi fuqishëm, siç u rikthyem në këtë ndeshje, është një ogur i mirë për kampionatin, për Ligën Unike, për të gjitha kompeticionet që na presin. Ky është vetëm fillimi”, u shpreh fillimisht Hasanaj, e cila më pas foli edhe për ndryshimin e madh me Kupën e Federatës, kompeticon ku Flamurtari u mund thellë nga Tirana.
“Bëmë një Kupë Federata relativisht të dobët dhe nuk u paraqitëm në nivelet që duhet të jetë Flamurtari. Ardhja e një lojtareje si Johnson, që është e niveleve shumë të larta, iu bashkua një grupi shumë të mirë, duke krijuar atë ansamblin”, deklaroi Hasanaj. Ajo e mbyll prononcimin e saj, duke theksuar se ky mund të jetë Flamurtari më i fortë i këtyre viteve: “Mendoj që ndër vite ky mund të jetë ekipi më i mirë që prodhuar Flamurtari ndonjëherë. Kjo ishte finalja jonë dhe duhet t’i gëzohemi këtij trofeu, ndërsa në fund 3-pikët e Tea Memushit ishin qershia mbi tortë”, u shpreh për “RTSH Sport” drejtuesja e klubit vlonjat.
LIBRI I ARTË I SUPERKUPËS 1999 SKËNDERBEU2000 SKËNDERBEU2001 FLAMURTARI2002 LUFTËTARI2003 TIRANA2004 LUFTËTARI2005 FLAMURTARI2006 FLAMURTARI2007 FLAMURTARI2008 FLAMURTARI2009 FLAMURTARI2010 FLAMURTARI2011 FLAMURTARI2012 FLAMURTARI2013 APOLONIA2014 FLAMURTARI2015 FLAMURTARI2016 TIRANA2017 FLAMURTARI2018 TIRANA2019 FLAMURTARI2020 (NUK U ZHVILLUA)2021 PARTIZANI2022 FLAMURTARI2023 PARTIZANI2024 FLAMURTARI
PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”
Burimi