Abantët dhe gjurmët në histori, dëshmitë e autorëve antikë! Çfarë shkruante Homeri tek “Iliada” për tiparet fizike të tyre

Abantët dhe gjurmët në histori, dëshmitë e autorëve antikë! Çfarë shkruante Homeri tek “Iliada” për tiparet fizike të tyre

ILIR CENOLLARI/ 1.Të ndjekësh historinë e Labërisë në një farë mënyre do të thotë të shkruash historinë e Shqipërisë. Thënë ndryshe, historia e Shqipërisë nuk ndiqet më mirë se sa kur shfletojmë historinë e Labërisë, që nga epokat e mjegullta të shoqërisë njerëzore e deri në ditët e sotme. Nuk kemi të bëjmë me një pohim romantik, por në një të vërtetë shkencore. Nga ky pohim rrjedh detyrimi për t’u thelluar sa më tepër në historinë e afërt dhe të largët të kësaj krahine të lavdishme të Shqipërisë, pasi në këtë mënyrë shkruajmë dhe historinë e Shqipërisë.

Labëria është vendi ku lindi etnonimi “ilir” nga fjala shqipe hyll-yll, i miteve dhe fesë dodonase, institucioneve politike, shoqërore e shtetërore, i heronjve me famë botërore, si Herkuli, Abasi, Faetoni (Fatoni), Mesapi, Kadmi, Elpenori, Hylli, Kliniku ose Kleodeu, i traditave dhe zakoneve origjinale, i kostumeve kombëtare, folklorit dhe artit të oratorisë. Në këtë shkrim do të flasim shkurtimisht për abantët dhe gjurmët e tyre në histori sipas dëshmive të autorëve antikë. Emri i fisit të abantëve rrjedh nga Abas, stërgjyshi i tyri. Studiuesit e huaj etimologjinë e Abas e lidhin me ujin,2 por ky pohim mund të jetë i vërtetë nëse trajta e saktë e emrit është “apas”, “ap”, nga mesap, “mes ujrave” sikurse mendon Eqrem Çabej. Homeri “Iliada”, II, 542, etj., përshkruan në mënyrë të shkëlqyer tiparet fizike dhe karakteriale të abantëve, natyrën e tyre të rrëmbyer dhe gjaknxehtë, guximin e rrallë, shpritmadhësinë dhe bujarinë, temperamentin e gjallë, trimërinë e pashoqe, mënyrën e qethjes së flokëve, ritin fetar të dhurimit të një xhufke flokësh hyjnisë së lumenjve, marrjen me metalurgji dhe me shpikjen e armëve, mënyrën e luftimit, dhënien pas kalorësisë dhe dyluftimeve me shpata. Heroi abant, Elpenori, sipas poetit mbeti i vrarë në Luftën e Trojës, ndërsa Plini i Vjetër, varrin e tij e vendos në Labëri.3 Të njëjtin përshkrim për abantët e gjejmë dhe tek Arkiloku, shekulli VIII-VII p.e.s. (712-664).
Ndërsa Plutarku ne librin “Tezeu”, vëllimi 2, shkruan: “Abantët qenë të parët që praktikuan këtë mënyrë qethje flokësh, këtë zakon nuk e morën as nga arabët dhe as nga mizët, si mendojnë disa, por e krijuan vetë nga që luftonin trup dhe ishin stërvitur të kapnin prej flokësh armikun, sikurse dëshmon tekstualisht Arkiloku”. Për këtë arsye, – vazhdon Plutarku -Aleksandri i Maqedonisë urdhëroi gjeneralët e vet të qethnin mjekrën e ushtarëve që shkonin në luftë pasi ajo përbënte rrezik për jetën e tyre. Këtë mënyrë qethje e praktikoi dhe Tezeu, i cili ndonëse banonte në Athinë, mbante marrëdhënie të ngushta me abantët e Eubesë. Tezeu shkoi për t’u falur në orakullin e Delfit, qethi kokën nga para dhe i fali një xhufkë floku hyjnisë (sipas traditës labe). Tradita e qethjes së kokës nga para u trashëgua deri vonë nga arbëreshët dhe shqiptarët luftarakë. Apollodori, që i njihte abantët e Eubesë, thekson se ata që fëmijë hidhnin vallen e shpatave dhe visheshin me një tunikë të gjatë (njëlloj si Tezeu kur shkoi për herë të parë në Athinë dhe u përqesh nga ustallarët vendas).
Hesiodi, sipas Stefan Bizantinit, shkruan se ishulli hyjnor Abantis u quajt me këtë emër nga zotat e pavdekshëm, më pas Jupiteri e quajti Eube, që do të thotë buall. Nuk ka dyshim se abantët në kohra shumë të vjetra lëvizën nga Labëria drejt Italisë, Fokidës, Beotisë, Azisë së Vogël dhe Armenisë, duke përhapur etnonimin “abas” dhe “alba”, por mbas Luftës së Trojës, një pjesë e tyre u rikthye në atdhe, sikurse provohet nga dëshmitë e autorëve të vjetër, duke themeluar sipas gjasave disa qytete, si Orikumin, Amantian dhe Thronin. Në këtë rast abantë, amantë, kaonë dhe hyllionë janë etnonime sinonime. Kallimaku në “Himn Delit” shkruan se ata më të zellshmit, hiperborenët, për të sjellë kallzat e grurit dhe fidanët e shenjtë, të lindur në vise të largëta dhe që rojtarët e rreptë të unrës fatsjellëse, së pari e morën në Dodonë, për t’ua dhuruar më pas malianëve, të cilët kapërcyen detin dhe ua dhanë abantëve në fushat e hijshme të Lelas. Mbiemri “lela” ruhet sot në Labëri, sikurse “mandro”, emri i një hyjnie të lashtë, apo Olimpia, Tartari, etj. Apollonius i Rodit, libri IV, vargu 1175, thekson se eubeasit kanë banuar në tokën përballë Korfuzit, pra në bregdetin thesprot dhe kaon. Disa eubeas të tjerë sipas PseudoSkymnit (442-443) themeluan qytetin e Orikumit pas kthimit nga Ilioni i Trojës. Historiani i Piros së Epirit, Prokseni (703, frag. H, 6), informacion i përcjellë nga Stefan Bizantini, thekson se abantët janë një nga fiset epirote, krahas kaonëve, tymfejve, paraujve, amymonëve, kasopëve, etj. Pra, amantët dhe abantët janë i njëjti fis. Emile Isambert vëren se emri i abantëve dhe kaonëve kaloi në Itali shumë shekuj përpara luftës së Trojës. Thesprotët në jug të Kaonisë kanë të njëjtën origjinë me kaonët dhe s’janë veçse një ndarje e tyre. Emri i abantëve ruhet në qytetin Bantia të Italisë së Jugut dhe në toponimin Bënça në afërsi të Tepelenës. Amantinët ose Abantët shtrihen në trevën e Kurveleshit, Nivicës, Plloçës dhe malit të Tartarit.4 Pausanias (V, 22, 2-4) thekson se abantët morën pjesë në Luftën e Trojës dhe së bashku me disa lokrianë u kthyen në malet e Vetëtimave dhe prapatokën e tyre.
Plutarku në librin (Quast. Gr., 11, 293) thekson se eubeasit e dëbuar nga korinthasit në fillim të shekullit të VIII p.e.s. (rreth vitit 733 p.e.s.) u vendosën në Korkyrë (Korfuz).5 Dëshmitë për abantët janë kaq të shumta sa nuk mund të përmblidhen në një shkrim. Homeri (Katalogjet akene, Iliada, II, 536-545) thekson se abantët janë një popullatë ose grup etnik parahelen dhe barbar. Herodoti nga Halikarnasi, i thumbon bashkatdhetarët e vet jonianë duke u thënë se mes jush ka dhe shumë abantë të Eubesë, fis i huaj, njëlloj si minianët, arkmenët, kadmenët, dryopët, fokianët, molosët, pellasgët e Arkadisë, dorianët e Epidaurit dhe shumë fise të tjera që janë përzierë me ishullorët e Egjeut. Tukididi, Libri I, V, 3, shkruan se abantët e shekullit të V p.e.s. janë fis arkaik dhe gjysmë barbar, të përjashtuar nga civilizmi helen, pasi ky është “fati i barbarit”. Joni i Hios, shekulli i V p.e.s., bashkëkohës i Herodotit, hartues i historisë së ishullit të Hios, thekson se abantët mbërritën në ishull nga Eubeja. Mbretërit vendas, sidomos Hektori, u shpalli luftë atyre duke i masakruar dhe dëbuar nga ishulli. Këtë fitore ai e festoi së bashku me jonianët në Paniom. Ky autor është njohës i mirë i historisë së ishullit dhe marrëdhënieve me abantët pasi ka qendruar në Athinë në kohën e sundimit të Perikliut, që u shpalli luftë të egër abantëve. Efori dhe Aristoteli shekulli i IV p.e.s., Straboni shekulli i parë i e.s. dhe Pausanias, Libri VII, 4, 8-10, theksojnë se abantët ndonëse banojnë në tokën greke, konsiderohen barbarë dhe duhen shfarosur si popull armik. Aristoteli thekson se abantët janë inferior ndaj helenëve për arësye se janë barbarë dhe sundimi athinas ndaj tyre është i përligjur pas shumë lufrave të përgjakshme ndaj eubeasve. Euripidi, sipas Aristotelit thekson: “Është normale që heleni të komandojë mbi barbarin!”. Sipas Eforit, thekson Straboni, trakët arritën një marrëveshje me beotët, por pakti u prish dhe palët në konflikt, përfshirë dhe pellasgët që u vendosën në Athinë, rendën në Dodonë për të kërkuar një zgjidhje kompromisi. Beotia, për shkak të pozitës së përshtatshme gjeografike, në mënyrë fare të natyrshme mund të ushtronte një hegjemoni mbi gjithë Helladën, por për shkak të mungesës së kulturës dhe njohurive filozofike, prijësit e saj, megjithë sukseset e dukshme, nuk mundën të siguronin një fuqi mbizotëruese politike.
Kjo u duk me rrëzimin nga pushteti të Epaminondës, pas kësaj kohe fuqia e tyre perëndoi. Gjithmonë sipas Eforit, dobësia e beotëve qëndronte në faktin se ata nënvleftësuan letërsinë, filozofinë, artet dhe jetën sociale, duke u dhënë tërësisht pas vetive luftarake. Efori me këto shpjegime – thekson Straboni – kërkon të thotë se kultura shpirtërore dhe mendore triumfon mbi fuqinë fizike, qytetërimi mbi barbarinë. Pikërisht këtë kuptuan romakët, epërsinë dhe fuqinë e diturisë, popujt e tjerë ata i mposhtnin me dituri dhe mençuri, me kulturë intelektuale dhe qytetërim. Këtë bëri dhe Athina e qytetëruar për të asimiluar fiset e lashta “barbare”, përkatësisht abantët e Beotisë dhe Eubesë. Në origjinë, në Kaoni, Labëri, në këtë kështjellë madhështore natyrore, karakteri etnik mbeti i pacenuar, shprehje e vitalitetit të madh të banorëve të kësaj krahine të lavdishme.
(Footnotes)
1
Albert Carnoy professeur à l ’Université de Louvain “Dictionnaire étymologique de la mythologie gréco-romaine”.
2  Albert Carnoy professeur à l ’Université de Louvain “Dictionnaire étymologique de la mythologie gréco-romaine”.
3 Gjuhëtarët e ndryshëm emrin e këtij heroi e shpjegojnë me greqishten e vjetër dhe i japin një kuptim pexhorativ, njeri i racës së Marsit, d.m.th. i hyjnisë së luftës, d.m.th. “mashtroj me fjalë të bukura e premtime”, me qëllim shkatërrimin e të tjerëve. Pra, barbar, gjakatar, sinonim i skllavit, etj. Ilir Cenollari
4 Emile Isambert “Itineraires descriptif, historique et archeologique de l ’Orient, volmi 1 –4.
5 Pierre Cabane “Disa çështje mbi amantët”, botuar në “Iliria”, 2011/35/, f.75-98.
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”

© Panorama.al
Burimi