Vuçiç po i tradhton të gjithë, edhe vetveten!
Vuçiç dhe Thaçi /
Por, si mund të jenë të gjithë njëkohësisht tradhtarë? Çfarë janë mes vete Kurti, Rama, Vuçiç, miq apo armiq, apo janë veç pjesë e një plani të formësuar më herët e të shpalosur nga vizita të nivelit më të lartë nga SHBA dhe BE?
Ju kërkoj ndjesë pasi në këtë shkrim fjala tradhti do të përdoret shpesh. Më shpesh se në politikën ballkanike. Në një shoqëri demokratike ku secili ka të drejtë të shprehë opinionet e veta dhe të pozicionohet sipas interesave momentale apo afatgjata, besnikëria duket se është e barasvlershme me vetëvrasje, ndërsa fjala tradhti përfundimisht ka marrë kuptimin e fjalës së ndyrë. Është bërë sharje. Shaje dhe rrite…
Sot, të merresh me politikë e të mos e përdorësh këtë fjalë të ndyrë, duket e pamundur. Nisur nga akuzat publike duket se Presidenti Serb i ka tradhtuar të gjithë. Por të tradhtuarit, asnjëherë deri më tani nuk kanë qenë të kënaqur me të. Por t’i shohim me radhë.
Kush dhe pse po e akuzon presidentin serb për tradhti?
Shqiptarët për tradhti të Evropës, Serbët për tradhti të Kosovës, opozita pro ruse, për tradhti ndaj Rusisë. Ndërkohe perëndimi dhe NATO- asnjëherë që nga Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar me 1999, nuk ka pasur marrëdhënie më të mira me Serbinë, sikurse si duket as Rusia zyrtare nuk ka ndonjë vërejtje esenciale në sjelljen e Serbisë, përkatësisht qeverisë dhe presidentit serb. Kina po ashtu është shprehur e kënaqur me qëndrimin e Serbisë, sikurse edhe Turqia e cila i përkrah shqiptarët myslimanë kudo që janë. Nejse Edin nuk është e qartë përse e përkrahë, por Edi me siguri e di.
Shqipëria zyrtare po ashtu nuk ka ndonjë vërejtje esenciale ndaj Vuçiç, aq më tepër që vërejtjet e kryeministrit shqiptar i janë drejtuar kryesisht kryeministrit Kurti, i cili në të njëjtën kohë po e bën atë që kryeministrat e mëparshëm kosovarë as që kanë ëndërruar se mund ta bëjnë, pra po pi kafe në veri.
Deri tani në historinë e “çlirimit të veriut” si maksimum i arritjeve, njihet vozitja me motobarkë e ish presidentit Thaçi në liqenin e Ujmanit, e realizuar me lejen e strukturave paralele serbe, kuptohet.
Opozita kosovare, në projektin e ngritjes së kultit të Ramës, kanë filluar që nëpër kasabatë e Shqipërisë të promovojnë me “billboard” gjigand të Kryeministrit shqiptarë dhe të përcjellin mesazhet e tij plot kolorit, ku kritikat cilësohen si “lehje”.
Kështu karvani humoristiko- politik i opozitës kosovare vazhdon të zhvillojë fushatën elektorale … në Shqipëri. Kulti i Ramës, që po ngritët me ndihmën e opozitës shqiptare dhe asaj kosovare, fillimisht përmes akuzave të Berishës rreth ngjashmërisë së Ramës me statujën e Gjergjit, e cila ju shit arbëresheve si origjinale, pastaj edhe nga opozita kosovare e cila ka mbetur pa lider përballë Kurtit.
Në fund të fundit kështu e ka politika ballkanike, nuk të rrëzojnë dot pa të dhënë përmasat e përmendores. Të bëjnë gjigand, pastaj të rrëzojnë. Kështu po ngjet edhe me Albinin. Duke e sharë Vuçiç dhe Rama, e kanë rritur shumë, e kanë dalluar shumë nga masa e militantëve të tij politik. Ata tani po fshihen pas tij.
Por të kthehemi te Vuçiç dhe të pyesim si është e mundur kjo? Ka shpikur njëlloj militantizmi të ri, difenziv me pozicionimin e tij rreth Kosovës. Politika perëndimore dhe ajo serbe, që synojnë përfshirjen e Serbisë në BE, ashtu si e përshkroi qartë presidenti Makron në vizitën e fundit, kanë arritur limitet. Tutje nuk shkohet me Kosovën në kuadër të Serbisë. Në vend se të vajtojë për institucionet serbe të larguara nga Kosova, Vuçiç kërcënohet se do të instalojë me forcë autonominë e serbëve në Kosovë, në veri. Në vend se të shpallë Kosovën të okupuar, si e udhëzonin kleronacionalistët, ai shpalosi projektin e mbijetesës, për të cilin natyrisht se i duhej një arsyetim… Kurti synon të shpërngulë serbët nga Kosova, akuzon ai, duke e bërë këtë akuzë bazën e politikës së tij të “mbijetesës”.
Kështu, filloi një luftë e re e Vuçiçit për Kosovën. Ai do të instalojë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare institucionet kosovare të autonomisë serbe, dhe do të luftojë për demokratizimin e Kosovës, të cilën ai, nga shprehia e quan Kosovë dhe Metohi, i ngushëllon serbët se institucionet serbe do ti kenë menjëherë pak kilometra andej kufirit, ku sundon … NATO.
Menjëherë pas kësaj përbetohet se Serbia kurrë nuk do të hyjë në NATO, as nuk do ta tradhtojë Rusinë…
Në Serbi, opozita demokratike e ka humbur busullën, i ka mbetur në derë retorika nacionaliste e fetare serbe dhe lufta kundër litiumit, me çka e ka shpallur veten anti-evropiane.
Kur jemi te tradhtia, si fjalë e ndyrë në politikë, edhe Kurti, po akuzohet nga opozita në Kosovë për tradhti ndaj perëndimit, sidomos ndaj SHBA dhe kjo mbështetet për kritikat perëndimore drejtuar kryeministrit të Kosovës për moskordiinim me partnerët. Opozita mendon se nëse “moskordiinimi” bëhet dukuri, ajo njëkohësisht merr edhe kuptimin e fjalës së ndyrë. Për Edin të mos flasim. Kjo fjalë e ndyrë i është bërë si mbiemër kur kihen parasysh kritikat e opozitës shqiptare.
Por, si mund të jenë të gjithë njëkohësisht tradhtarë? Çfarë janë mes vete Kurti, Rama, Vuçiç, miq apo armiq, apo janë veç pjesë e një plani të formësuar më herët e të shpalosur nga vizita të nivelit më të lartë nga SHBA dhe BE?
U pa puna, në këtë lojë të gjithë po shahen për tradhti, por Vuçiçi, si duket do të arrij të mashtrojë edhe vetveten./Pamfletivuçiç po i tradhton të gjithë
Burimi