Ujë, gaz lotsjellës dhe konfrontime/ PD fut në kaos trafikun në Tiranë, militantët përplasen me policinë (Fotot/Video)
PD ka zbritur sërish në rrugë sot në kuadër të t¥ ashtuquajturës “mosbindja civile”, por policia nuk pranon bllokimin e rrugëve…
Ka nisur me tensione protesta e opozitës. Demokratët zbritën sërish sot në rrugë në kuadër të mosbindjes civile dhe sot plani ishte që të bllokohej qarkullimi i Tiranës. Në 5 pikat hyrëse të Tiranës kanë dalë deputetë dhe militantë, por policia ndryshe nga protesta e kaluar, vendosi të ndërhyjë.
Deputetët janë ndarë në disa grupe në pikat kyçe të Tiranës, si Bashkia, Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi”, “Rruga e Elbasanit”, “Sheshi Uillson” dhe “Pallati me Shigjeta”.
Fillimisht pati tensione te Rruga e Elbasanit. Efektivët ndërhynë duke larguar militantët dhe kjo bëri që të ndërhyjnë deputetët duke shkaktuar tensione.
E njëjta situatë po ndodh dhe te Bashkia e Tiranës dhe te “Pallati me Shigjeta”. Në një moment pati përplasje mes deputetit Flamur Noka dhe zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Sokol Bizhga, pasi është ky i fundit që po drejton operacionin.
Në terren kanë dalë forcat speciale, të pajisur me skafandra dhe mburoja. Aktualisht militantët po shtyjnë efektivët, ndërkohë që policia u bën thirrje që të largohen. Policia deklaron se bllokimi i rrugëve është shkelje ligjore. Megjithatë rrugët vijojnë të bllokuara.
Plani i PD për protestën e 26 nëntorit, pikat e bllokimit dhe deputetët:
1-Bashkia Degët 7, 9, 10 dhe 14Deputetë: Edi Paloka, Dhurata Cupi, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Ina Zhupa
2-Rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” Deget 11, Kamëz, Vore, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, KukësDeputete: Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Jozefina Topalli, Ferdinand Xhaferri, Andia Ulliri, Petrit Doda, Flamur Hoxha, Isuf Cela, Asllan Dogjani
3-“Rruga e Elbasanit”, Ura te Xhamia Degët 1, 2, 3, 4, Qarku Dibër, Qarku Elbasan, Qarku KorçëDeputete: Flamur Noka, Jorida Tabaku, Tomorr Alizoti, Xhelal Mziu, Kreshnik Collaku, Edmond Spaho, Sorina Koti, Andrea Mano, Qani Xhafa, Zheni Gjergji, Dashnor Sula
4-“Sheshi Willson”Degët 5, 12, Qarku Fier, Berat, VlorëDeputetet: Gazmend Bardhi, Bujar Leskaj Luan Baci, Bledion Nallbati, Lefter Geshtenja, Ilda Dhori, Eralda Bano, Saimir Korreshi,
5-Pallati me ShigjetaDegët 6, 13, 15, 16 Qarku Lezhë, Qarku Shkodër Deputetë: Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ramadan Lika, Greta Bardeli.
Reagimet e deputetëve
Policia u kërkoi protestuesve të zhbllokojnë qarkullimin, ndërsa Gazment Bardhi ka kundërshtuar. Bardhi debatoi me policët duke u thënë se ua njeh Kushtetuta të drejtën për tubim paqësor.
“Jemi në respekt të ligjit. Edhe ne po të respektojmë, ka një ligj të ndryshëm nga ky që them unë. E drejta kushtetuese e qytetarëve për të tubuar paqësisht garantohet nga Kushtetuta”, iu përgjigj Bardhi.
Ndërsa deputeti i PD Oerd Bylykbashi është përfshirë në një përplasje verbale me dy punonjës civil të policisë në rrethrrotullimin e Zogut të Zi.
Bylykbashi ka kërkuar të dijë se kush ka qenë personi që ka shoqëruar protestuesit, ndërsa punonjësit e policisë kanë kërkuar nga deptuteti që mos të preken nga ai.
Bylykbashi ka paralajmëruar policët që të mos shoqërohen protestuesit, ose “do të merret me ta”, ndërsa debati mes tyre ka vijuar më tej.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka, ka reaguar pas përplasjes fizike me policinë.
Noka sulmon efektivët e policisë duke thënë se banditët me uniformë kërcënojnë opozitën. Ai shprehet se askush nuk do ta ndalojë mosbindjen civile.
“Asgjë më shumë se sa po përmbushim misionin e opozitës. Banditët me uniformë, të rekrutuar nga rilindja, kërkojnë të kërcënojnë opozitën. Sokol Bizhga, njeriu që nxori në pritë Gjergj Mehmetin në vitin 1997 dhe u vra nga bandat, është shpërblyer për urrejtjen e tij ndaj PD dhe vjen këtu të drejtojë falangat e krimit.
I bëj thirrje nipit të Enver Hoxhës dhe nipit të Spiro Kolekës, Edi Rama, hiqni falangat e krimit nga policia dhe largoni duart nga qytetarët. Duart do t’ju djegin ju. Ky është një mesazh që u përcjell nga ky vend ku po ushtrojmë mosbindjen civile. Askush nuk e ndalon dot mosbindjen civile të opozitës. Unë e kuptoj se janë në panik, janë të tmerruar, prandaj po ndërhyjnë sepse vala e revoltës qytetare do mbërrijë në Surrel”, tha Noka gjatë fjalës së tij.