Pajtime Fetahu kërkoi ta eliminonte, reagon Arben Llangozi: Më kanë ndjekur djalin në shkollë! SPAK më njoftoi për përgjimet
Llangozi tha se është njohur pak kohë më parë me këto përgjime…
Avokati Arben Llangozi ka folur pas përgjimeve të dala në bisedat e kryera në SkyeECC të gjyqtares Pajtime Fetau, e lidhur me bandën e Suel Çelës. Sipas këtyre përgjimeve, kjo e fundit ka kërkuar nga anëtarë të grupit kriminal që të “zhduknin” avokatin.
Llangozi tha se është njohur pak kohë më parë me këto përgjime, teksa shtoi se nuk ka pasur kërcënime, por shtoi se pak javë më parë ka pasur dyshime se një person i ka ndjekur djalin në shkollë.
“Unë rashë në dijeni të këtij fakti përmes vendimit që ishte marrë për gazetarin dhe aty pashë dhe përgjimet që kishin të bënin me mua. Gjyqtarja kishte komunikuar me personazhe të ndryshme të botës së krimit ku kërkonte të hakmerrej sepse sipas saj unë kisha dhënë informacion një emisioni për t’i sjellë probleme saj, dhe pezullimi i saj nga detyra kishte ardhur prej tyre.
Në atë kohë nuk është se kam pasur problematika, por pak kohë më parë kam pasur disa dyshime që kanë të bëjnë me fëmijën tim që sipas personit që e shoqëron në shkollë, një person e ndiqte, e kam denoncuar dhe jemi në kuadër verifikimesh.
Jam njoftuar nga zoti Dumani dhe jam vënë në dijeni të këtij fakti për përgjime në fjalë. Na kanë thënë që mund të publikohen këto përgjime, por nuk duhet të shqetësoheni se drejtësia ka bërë tashmë punën e saj”, u shpreh ai në “Shqipëria Live”.
Kujtojmë se nga përgjimet e SPAK gjyqtarja Pajtime Fetahu kishte urdhëruar eliminimin e gazetarit Saimir Kodra. Krimi do kryehej nga anëtarë të bandës së Suel Çelës.
Sipas dosjes, në shënjestër të gjyqtares Pajtime Fetahu për t’u hakmarrë ishte edhe avokati Arben Llogazi, të cilin gjyqtarja e shihte si personin kyç që i jepte informacion gazetarit Saimir Kodra për aferat e saj.
Gjatë komunikimeve me Marjus Lulajn, pjesë e grupit të Suel Çelës, bashkë me Endri dhe Klejdi Çopja, Pajtime Fetahu thotë që të kenë parasysh edhe avokatin Arben Llangozi. Grupi kriminal i përgjigjet se avokat Llangozi do të përfundojë si avokati Ravik Gurra, i cili u ekzekutua në vitin 2019 në mes të Elbasanit. Pra, krahas Saimir Kodra, në shenjestër të gjyqtares dhe grupit kriminal të Suel Çelës ishte edhe avokati Arben Llangozi.
Prokuroria e Posaçme ka goditur organizatën kriminale të Suel Çelës e cila nga Elbasani menanxhonte trafikun e kokainës nga Amerika Latine në vendet e BE-së, Gjermani, Angli, Itali, Belgjikë dhe Holandë .
Me paratë e trafikut të drogës organizata kriminale kishte arritur të korruptonte shefin e krimeve të komisariatit nr 6 të asaj kohe Dedan Gjoni dhe gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu të cilët ndihmonin organizatën për t’i lehtësuar në çështjet penale ndaj tyre po kështu dhe të rëndohej dënimi për kundërshtarët e tyre, thotë SPAK.
Për 18 persona është dhënë masa ‘arrest me burg’ duke përfshirë drejtuesit e grupit, ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni dhe ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu. ‘Arrest shtëpie për avokatin e grupit të Çelës, Blerina Beqiri dhe ‘detyrim me paraqitje për 2 gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno. Ndërkohë, Suel Çela vijon të jetë në arrati.