“Lajmi për vdekjen u mbajt i fshehtë”/ Haxhi Kroi: Natën e mortit në shtëpinë e Enverit
Vdekja e Enver Hoxhës /
Pasmesnata e 11 prillit 1985, kur pushoi së rrahuri zemra e Enverit. Ngushëllimet e para në Vilën 31. Lajmi për vdekjen e Enverit u bë publik të nesërmen në mëngjes…
Pjesa e Nëntë dhe e Fundit
Vijon nga Pjesa e Tetë
Vdekja e Enver Hoxhës në prill të vitit 1985, ka qenë ngjarja më e rëndë për Haxhi Kroin, njeriun që punoi 40 vite në zyrën e tij. Pavarësisht se për të ka qenë e paralajmëruar, sekretari personal i Hoxhës, siç shkruan në ditar, nuk e kishte menduar asnjëherë se për shefin e tij dhe kreun e Partisë do të kishte vdekje.
Në shënimet e Kroit për fundin e Hoxhës bëhet e ditur se shefi i tij ka hequr dorë nga drejtimi i Partisë disa muaj para se të ndërronte jetë, madje më herët. Kanë qenë sëmundjet e njëpasnjëshme ato që e kanë detyruar ta dorëzojë pushtetin në heshtje, por pa e deklaruar zyrtarisht. Përtej këtij fakti të pëshpëritur lart e poshtë nën zë në vitet e diktaturës, Haxhi Kroi në ditar ka dokumentuar me stilin e vet “mënyrën paqësore” të kalimit të pushtetit nga Hoxha tek Alia.
Në shënimet e tij bëhet e qartë se kreu i regjimit, qysh pas goditjes nga ishemia cerebrale, në shkurt të vitit 1984, mbeti një mysafir i rrallë në zyrën në KQ.
Në një shënim të datës 26 mars 1985, Haxhi Kroi vë në dukje se së fundi shoku Enver ka humbur dhe shikimin dhe gjithçka ia lexon Nexhmija. Njëherazi me pohimin që Hoxha e drejton Partinë nga shtëpia, shefi i kabinetit shënon në ditar se në pjesën më të madhe të kohës detyrat në aparatin e KQ i komunikon Ramizi, “kuptohet, shton nga vetja Kroi, pasi konsultohet më parë me shokun Enver, të cilit i shkon shpesh në shtëpi”.
Mirëpo mesazhet që vinin ditë pas dite nga Vila 31, ku Hoxha lëngonte në shtrat, ishin gjithnjë e më tronditëse, aq sa edhe vetë Kroi i ambientuar më së fundi më shumë se kushdo me mungesën e tij në krye të Partisë, një moment uron me shpirt “të paktën ta kemi me frymë se Partinë dhe vendin po i udhëheq shoku Ramiz dhe shokët e tjerë kryesorë, të cilët kanë përvojë si udhëheqës Partie e shteti”.
Duke u ndalur në situatën e rëndë kur Enveri përpëlitej midis jetës dhe vdekjes në shtrat, zyrtari besnik që ka punuar 40 vite në zyrën e tij, shpjegon me detaje rolin e veçantë që ka luajtur në këtë periudhë Nexhmije Hoxha, e cila, siç shkruan Kroi, arrin deri aty sa të flasë edhe në emër të të shoqit jo thjesht për çështje rutinë, por edhe për probleme të rëndësishme shtetërore, që deri në atë kohë ishin në tagrin e Sekretarit të Parë të KQ.
Në ditarin e Kroit, për arsye të kuptueshme nuk shpjegohen rrethanat si u ngjit Alia në postin e Hoxhës, por aty-këtu ka shënime që vërtetojnë afrimin e tij në oborrin e Zeusit, fill pas vdekjes së Kapos, e ca më shumë pas vetëvrasjes në kushte të dyshimta të Shehut. Interesante në kujtimet e njeriut diskret të Hoxhës janë çastet kur ky i fundit ka ndërruar jetë. Përveç përjetimeve personale, Kroi sjell aty çast pas çasti situatën në aparatin e KQ dhe në vilën e udhëheqësit në Bllok, njerëzit e parë që ngushëlluan Nexhmijen dhe rolin që mori në këto momente Ramiz Alia, ku gati u shfaq i zyrtarizuar si kreu i vendit pas Enverit…
E martë 9 prill 1985
Sot ishte caktuar për t’u bërë mbledhja e Byrosë Politike. Para katër ditësh më 5 prill u bë mbledhja e Sekretariatit të KQ në të cilën shoku Enver natyrisht nuk mori pjesë. Ai qysh më 12 shkurt nuk ka ardhur në Aparat të KQ, bile edhe atë ditë e mbante fort për krahu shoku Ramiz. Pas dy-tri ditësh shoku Ramiz më tha se shokut Enver nuk i mbajnë këmbët fare.
Edhe shoqja Nexhmije më tregoi më vonë për gjendjen e tij shëndetësore të vështirë, që nuk ecën dot dhe në shtëpi lëviz vetëm me karrocë. Herë pas here i shkon shoku Ramiz në shtëpi, patjetër për konsultime, për t’i marrë këshilla për probleme nga më kryesoret dhe gjë tjetër nuk dimë për të. Anëtarët e Byrosë Politike u mblodhën dhe po bisedonin në paradhomën e mbledhjeve, kurse shoku Adil qysh në orën 09:30 kishte shkuar në zyrën e shokut Ramiz.
Gjashtë shtatë minuta më para ata dolën. Shoku Adil u drejtua te shokët, kurse shoku Ramiz shkoi te shoku Enver. Kuptohet qartë që shoku Enver nuk ka për të ardhur e s’ka si të vijë në këtë mbledhje dhe me siguri e ka thirrur shokun Ramiz për të biseduar me të, ndofta për çështje me rëndësi që do të marrë në shqyrtim Byroja Politike, mbase edhe për mënyrën si do të zgjidhet çështja e pjesëmarrjes së shokut Enver vetëm nëpërmjet bisedave e këshillave që ai do t’u japë shokëve nëpërmjet shokut Ramiz, apo duke gjetur ndonjë mënyrë tjetër për të ardhur e për t’u takuar me shokët.
Dikur, deri në vitin 1953-1954, shoku Enver i thërriste në shtëpi mbledhjet e Byrosë Politike e të Sekretariatit të KQ. Atje i bënte ai takimet me shokët që kishte nevojë të konsultohej. Një gjë e tillë, them unë, ndofta mund të praktikohej edhe tani, po është pastaj çështja e pjesëmarrjes në mbledhjet e Plenumit të KQ, por sidomos edhe e daljes para publikut, se u bënë kaq kohë që njerëzit nuk e kanë parë dhe kanë dëshirë të madhe ta shikojnë, të paktën në televizor.
Të gjitha këto sa shkrova më sipër do të ishin e keqja më e vogël, se mora vesh që mbledhja e Byrosë Politike u bë edhe pa shokun Ramiz. Shqetësimi për shëndetin e shokut Enver bëhet kështu edhe më i madh. Me këtë merak të madh shkova në shtëpi. Kur sa kisha ngrënë darkë, telefonoi dezhurni i Aparatit të KQ dhe më njoftoi se, me porosi të shoqes Lenka, duhet të vija në punë. U përpoqa mos ta bëja veten në familje dhe shkova menjëherë në Aparat. Në zyrën e shokut Piro Kondi ishin mbledhur ndihmësit dhe kuadrot e tjerë kryesorë.
Qëndruam aty rreth një orë. Pastaj na thanë të prisnim në zyra. Shoku Leka Shkurti më pyeti: More, si është gjendja shëndetësore e shokut Enver? Iu përgjigja si ishte realiteti, se nuk dija gjë, por dyshimi e shqetësimi m’u shtuan, kur oficeri i katit më tha se sekretarët e KQ dolën nga drejtimi i shtëpisë së Partisë dhe, të gjithë ne që prisnim nëpër zyra, na u tha të largoheshim. Unë që e di prej më se një viti gjendjen shëndetësore të shokut Enver, u largova me një lëmsh të madh në gjoks dhe mblodha forcat të mos jap asgjë të kuptohej në familje dhe nuk më kuptuan. Po gjumë natën nuk bëra.
E mërkurë 10 prill 1985
Në orën 06:55 isha në zyrë. Për orë të tëra nuk më bëhej të lexoja diçka. Paraditja iku kështu në tension e ankth. Pasdite u ktheva përsëri në zyrë. Në orën 16:30 më telefonoi shoku Piro Kondi dhe më tha që me gjithë shokët e sektorit do të na takonte shoku Ramiz. U thashë edhe shokëve. Të tre rrinim në heshtje dhe nuk i thoshim gjë njëri-tjetrit, por ndjenim se diçka serioze na priste. Pas pak erdhi shoku Ramiz në zyrën time dhe na dha lajmin e tmerrshëm, se qysh dje shoku Enver është në një gjendje shumë të rëndë, aq të rëndë, theksoi ai, sa që organizmi nuk vepron, ai jeton vetëm me aparatura. Po ua tregoj juve si bashkëpunëtorë të afërt të shokut të shtrenjtë Enver, shtoi ai, siç janë njoftuar edhe disa nga kuadrot drejtuese të KQ, siç u njoftua mbrëmë Plenumi dhe sot sekretarët e parë të rretheve. Vetëm një mrekulli mund ta kthejë këtë gjendje shumë të rëndë, na tha shoku Ramiz, se në fakt u la të kuptohej se ai nuk ka asnjë shpresë. U përlotëm e na dridhej trupi. Shoku Ramiz na këshilloi të bëheshim të fortë.
E enjte 11 prill 1985
Në orën 02:40, kur isha duke fjetur, ra telefoni. Shoku Sulo Gradeci kishte marrë porosi të shkoja në shtëpinë e shokut Enver. E kuptova menjëherë si qëndronte çështja, por nuk e dhashë veten.
Në orën 02:55 kalova në Shtëpinë e Partisë, ku Skënder Tafaj më tha se Byroja Politike kishte shkuar në shtëpi te shoqja Nexhmije. U takova me oficerët e shërbimit me zë e zemër të dridhur nga dhembja e madhe dhe qëndroja në pritje sa të vinin shokët Shefqet Peçi, Haki Toska, Spiro Koleka e Pilo Peristeri që u njoftuan dhe ata, si nga shokët më të afërt e më besnikë të shokut Enver. Pas shokut Spiro, hyra edhe unë.
Shoqja Nexhmije e lodhur dhe e drobitur nga dhembja e thellë dhe lodhja e madhe sidomos e këtyre dy ditëve të fundit, priste te dera dhe më dha dorën. E përqafova si shoqen e motrën time. “Na la Enveri, shoku Haxhi, me të cilin edhe ti kalove një jetë të tërë”, më tha ajo. M’u shkrep të qarët, po e mbajta veten. Përqafova me radhë Pranverën që mbahej e fortë, Ilirin, Sokolin dhe Klemin dhe u mata të largohesha, kur u ngrit në këmbë shoku Adil dhe më rroku për qafe… Në orën 07:00 u mblodh Aparati i KQ dhe shoqja Lenka komunikoi lajmin e kobshëm. Në orën 12:00 Radio Tirana dha komunikatën e KQ që u dëgjua në gjithë vendin në heshtje të madhe./Pamfletivdekja e enver hoxhës haxhi kroi nata e mortit
screenshot 87
enveriok 1
Burimi