I moshuari tentoi vetëvrasjen para derës së SPAK, reagon prokuroria: Kërkoi takim me një hetues të BKH-së për një çështje të 2022
Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka reaguar pas incidentit para ambienteve të institucionit, ku një 63-vjeçar tentoi t’i jepte fund jetës duke pirë fotoksinë.
Në një njoftim zyrtar, SPAK zbardh dinamikën e asaj që ndodhi, duke thënë se qytetari është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së.
Ai ka kërkuar sqarim për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022.
Sipas SPAK, ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth aktit të ndërmarrë nga 63-vjeçari.
SPAK bën me dije se ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të institucionit.
Njoftimi i SPAK:
Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje.
Pas disa orësh, jashtë ambienteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj.
Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij.
Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.