Hillary Clinton: Trump vs Biden, një zgjedhje midis kaosit dhe kompetencës
Ndodh shpeshherë që t’i qasemi momenteve kryesore në politikë, siç është edhe debati televiziv i kësaj jave midis presidentit Joe Biden dhe sfidantit Donald Trump, si të ishim kritikë arti. Në fakt, ne amerikanët do të zgjedhim një president, dhe jo “aktorin më të mirë”.
Unë jam i vetmi person që kam debatuar me të dy këta burra (me Trump në vitin 2016, dhe në vitin 2008 me Biden në garën primare brenda Partisë Demokratike). Ndaj e njoh shumë mirë presionin sfilitës të daljes në atë skenë, ku është gati e pamundur të përqendrohesh tek thelbi, sidomos kur në debat përfshihet zoti Trump.
Në tre debatet tona në vitin 2016, ai lëshoi një lumë fyerjesh dhe gënjeshtrash ndaj meje, që hutuan moderatorët, dhe i bënë një shërbim të keq votuesve, të cilët ishin ulur para ekraneve për të mësuar rreth vizioneve tona mbi vendin, përfshirë një rekord prej 84 milionë shikuesish vetëm në debatin tonë të parë.
Është humbje kohe të përpiqesh të hedhësh poshtë argumentet e zotit Trump, si të ishte një debat normal. Po ashtu, është thuajse e pamundur të identifikosh se cilat janë argumentet e tij. Sepse ai e nis diskutimin me budallallëqe, dhe pastaj vazhdon të flasë për një kohë të gjatë duke thënë marrëzira.
Dhe qëkur kemi debatuar së bashku, zhargoni i tij vetëm sa është degraduar. Ndaj nuk u befasova që pas një takimi të fundit me të, disa krerë mediash thanë se Trump “nuk mund të shtjellonte dot një mendim të drejtpërdrejtë”. Megjithatë, Trump mund të shajë mbarë e prapë rivalin, dhe të mbetet ende i pëlqyer nga jo pak njerëz, pjesërisht sepse ai synon të shmangë dhënien e përgjigjeve të drejtpërdrejta mbi pozicionet e tij jopopullore, si kufizimet për abortin, lehtësirat fiskale për miliarderët dhe shitjen e planetit tonë tek kompanitë e mëdha të naftës në këmbim të donacioneve për fushatën e tij.
Ai e ndërpret dhe e ngacmon kundërshtarin në debat, pasi dëshiron të duket dominant dhe ta ç’ekuilibrojë psikologjikisht atë. Por këto marifete do të dështojnë, nëse presidenti Biden do të jetë po aq i drejtpërdrejtë dhe i vendosur sa u shfaq edhe në mars kur rrëmbeu duartrokitjet edhe të republikanëve në fjalimin që mbajti mbi Gjendjen e Shtetit.
Presidenti Biden ka faktet dhe të vërtetat në anën e tij. Ai udhëhoqi rimëkëmbjen e Amerikës nga një krizë shëndetësore dhe ekonomike historike, me më shumë se 15 milionë vende të reja pune, të ardhurat në rritje për familjet e klasës punëtore, ngadalësimin e inflacionit dhe rritjen e investimeve në energjinë e pastër si dhe prodhimin e avancuar në aspektin teknologjik.
Ai do të fitojë nëse kjo narrativë do të ketë sukses. Në vitin 2016, u përgatita shumë për debatet televizive, pasi e dija se duhej të gjeja një mënyrë për të demaskuar mashtrimet e zotit Trump, dhe ta ndihmoja popullin amerikan të kuptonte se çfarë ishte vërtetë në rrezik.
Në debatet simuluese 90-minutëshe në një skenë identike, u ushtrova të ruaja gjakftohtësinë përballë pyetjeve të vështira dhe gënjeshtrave të drejtpërdrejta ndaj karrierës dhe karakterit tim. Një këshilltari imi i vjetër luajti rolin e Trump, dhe bëri gjithçka që mundi për të më provokuar, tronditur dhe tërbuar nga inati.
Funksionoi. Mjerisht, zoti Biden e nis këtë përballje nga një disavantazh, pasi nuk ka mundësi të shpenzojë aq shumë kohë duke u përgatitur sa unë tetë vjet më parë. Të jesh president, nuk është vetëm një punë e përditshme. Është një punë që bazohet në moton “gjithçka-kudo-të gjitha-përnjëherë”.
Historikisht, kjo ka çuar në një paraqitje më të dobët të debatit të parë për presidentin aktual. Por si shikues, ne duhet të përpiqemi të mos jemi të varur nga teatri. Ja cilat janë tre gjërat ku unë mendoj se duhet të fokusohemi. Së pari, t’i kushtojmë vëmendje mënyrës se si kandidatët flasin për njerëzit, dhe jo vetëm për politikat.
Në debatin tim të tretë përballë Trump, ai premtoi të emëronte gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që do të rrëzonin vendimin historik “Roe kundër Wade”. Unë u përgjigja se ky hap do të kishte pasoja reale për gratë. Trump tha se gratë që abortojnë duhet të ndëshkohen. “Duhet të takohesh me disa nga gratë me të cilat jam takuar unë”- iu përgjigja.
Të enjten, Trump do të thotë me shumë gjasa se dëshiron t’ua lërë shteteve të vendosin mbi çështjen e abortit. Ai shpreson që kjo qasje të duket e moderuar. Në fakt ai premton të vendosë ndalimet më ekstreme të abortit, të vendosura tashmë nga shumë shtete. Por zoti Trump duhet të përgjigjet për vajzën 12-vjeçare në Misisipi, e cila u përdhunua dhe më pas u detyrua të mbante fëmijën.
Ajo e nisi klasën e shtatë me një të porsalindur, pikërisht për shkak të ndalimit të ashpër të abortit nga shteti i saj. Për shkak të zotit Trump, në Luiziana një vajzë e re që nuk mundi të abortonte, nisi të lindte duke mbajtur në duar një arush pellushi . Studimet tregojnë se gratë që jetojnë në shtete ku ndalohet aborti, kanë deri në tre herë më shumë gjasa të vdesin gjatë shtatzënisë, lindjes ose menjëherë pas lindjes.
Zoti Biden është një nga udhëheqësit më empatikë që kemi pasur ndonjëherë. Dëgjojeni sa sinqerisht flet për të drejtat e grave, betejat e familjeve të zakonshme për të përballuar jetesën, mundësitë për njerëzit me ngjyrë dhe guximin e burrave dhe grave në Ukrainë që rrezikojnë jetën e tyre për demokracinë. Trump nuk mund të jetë i ndjeshëm ndaj tyre, pasi ai kujdeset vetëm për veten e tij.
Së dyti, përpiquni që të kuptoni përtej sherrnajës së debatit, dhe të përqendroheni tek ajo çka është në lojë. Në vitin 2016, Trump refuzoi të thoshte nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve. “Unë do t’ju mbaj pezull”- tha ai. “Por kjo nuk është mënyra se si funksionon demokracia jonë”- u kundërpërgjigja.
Dhe më pas e patë çfarë ndodhi me rebelimin në Capitol Hill më 6 janar 2021. Këtë herë, prisni që ai të fajësojë zotin Biden për inflacionin, por të shmangë përgjigjet ndaj pyetjeve mbi planet e tij ekonomike. Ai do t’i shmangë ose do të gënjejë, pasi propozimet e tij – ulje taksash për të pasurit, anulimi i Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm , dëbimi i miliona punëtorëve dhe vendosja e tarifave të përbashkëta për mallrat e përditshme – do të shtonin inflacionin, do të rrisnin kostot për familjet amerikane dhe do të shkaktonin një recesioni të ri ekonomik.
Dhe ky nuk është parashikimi im; por i “Moody’s Analytics” në Wall Street. Ekspertët në Institutin e pavarur Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare, thonë se vetëm tarifat që premton të vendosë Trump do të nënkuptonin një rritje taksash prej 1700 dollarësh ose më shumë çdo vit për familjen mesatare amerikane.
Nga ana e tij, zoti Biden është qartazi i interesuar të flasë mbi planet e tij për të ulur kostot. Ai ka dalë kundër kompanive të fuqishme farmaceutike, duke e kufizuar koston e insulinës, dhe duke firmosur enkas një ligj qe e lejon qeverinë federale të negociojë çmimet e barnave me recetë.
Të enjten, do të dëgjoni mbi planet për të përballuar rritjen e çmimeve nga korporatat dhe për ta bërë më të përballueshëm gazin, sendet ushqimore dhe banesat për njerëzit e zakonshëm. Presidenti ka ndihmuar tashmë një në 10 amerikanë me kredi studentore federale. Dhe ka shumë të ngjarë të jetë gati të ofrojë më shumë ide se si do t’i ndihmojë të rinjtë ta nisin jetën, dhe të përballojnë koston e klasës së mesme.
Së treti, kur i shihni krah për krah këta dy burra, mendoni për zgjedhjen e vërtetë që ekziston në këto zgjedhje. Ajo është midis kaosit dhe kompetencës. Trump është dënuar për 34 krime, dhe është shpallur përgjegjës për sulme seksuale dhe mashtrime financiare. Ai e ka kaluar gjithë jetën, duke e vendosur gjithnjë veten në plan të parë.
Nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ne do të kemi më shumë inflacion dhe më pak liri. Dhe nuk do të jetë vetëm një përsëritje e mandatit të tij të parë. Që nga humbja në zgjedhjet e vitit 2020, Trump është bërë më agresiv në sjelljet e tij. Vetë ish-Sekretari i tij i Mbrojtjes thotë sot se ai është “një kërcënim për demokracinë amerikane”.
Ndërkohë ish-shefi i tij i kabinetit thotë se Trump “nuk ka asgjë tjetër, veçse përbuzje për institucionet tona demokratike, Kushtetutën tonë dhe shtetin e së drejtës”. Mos e harroni këtë të enjten, kur ta dëgjoni zotin Trump të recitojë ankesat e tij dhe të zotohet për ndëshkim.
Ndërkohë, zoti Biden është një njeri i mençur dhe i denjë, që po lufton shumë fort për të ndihmuar familjet që punojnë. Është e vërtetë, ai është sot 81 vjeç. Por është vetëm 3 vite më i madh se zoti Trump. Dhe shërbimi dhe përvoja e tij e jetës e ndihmon të ndërmarrë nisma që e bëjnë vendin tonë më të fortë dhe jetën tonë më të mirë, nga bashkimi i demokratëve dhe republikanëve për të rregulluar infrastrukturën e degraduar rrugore të SHBA-së, deri tek përballimi i agresionit rus në Ukrainë.
Zgjedhjet e nëntorit janë midis një krimineli të dënuar për hakmarrje, dhe një presidenti që po ofron rezultate të prekshme dhe pozitive për popullin amerikan. Pavarësisht se çfarë do të ndodhë në këtë debat, zgjedhja që kemi përpara është shumë e lehtë.
Shënim: Hillary Rodham Clinton, ishte kandidatja demokrate për presidente në vitin 2016, dhe ish-Sekretare Shteti e presidentit Barack Obama.
Burimi