Asaj atje…
Në fund të ditës, të jesh e zonja e vetes dhe të kesh një jetë të ndershme dhe të lumtur është arritja më e madhe që mund të kesh. Dhe kjo është diçka që nuk mund të blihet, nuk mund të falsifikohet dhe as nuk mund të shitet…
Ky qershor i 2024-ës, fenomenal…Plotë xixa dhe filtra si Instagrami…Solar, diell, plazh, cocktail-e, foto dhe reels-a të panumërta. Diku aty…Larg Tiranës është një 16-vjeçare që sheh me ëndje fotot e vajzave dhe grave më “luxury” të Shqipërisë. Sa bukur….Të gjitha zgjohen me temena, njëra me maskë caviar-i, tjetra që pret brunch-in se nuk konsumon më mëngjesin, një tjetër e surprizuar nga partneri me një super makinë, që ne n’Tiron i themi super mjet goce, por do ti sqaroj një herë tjetër, se duhet të shpjegoj edhe brunch-in pastaj, edhe cavier-in, edhe cocktail-et, edhe brand-et e shtrejnta e sa e sa të tjera. Sot s’kam kohë! Një herë tjetër…Sot kam kohë të të tregoj vetëm diçka. Flluska e sapunit!!! Jo nga k’to sapunët pas 2000-shit, por nga ato 5-lekshët që u lanin prindërit e kësaj gjenerate “luxury”.
Që do të thotë, kur plas ajo flluska në fytyrë, të djeg, ti përvëlon sytë bashkë me mascara-n 200 Euro. Dhe dua të ta theksoj shumë, k’të lloj flluske, sepse e di shumë mirë ndëkohë që ato vajza ndajnë çdo moment të jetës së tyre të “përkryer”, ti, rri para ekranit të celularit, duke pyetur veten se ku po gabon. Si është e mundur që gjithçka në jetën e tyre duket kaq e shkëlqyeshme, ndërsa ti me mua dhe shumë të tjerë luftojmë me përditshmërinë tonë të zakonshme? Ta them unë ku…Pas gjithë këtij shkëlqimi, fshihet një e vërtetë shumë e errët por edhe ironike.
Ti shikon postime me vilat luksoze, makinat e shtrenjta dhe udhëtimet e panumërta në vendet më ekzotike. E diii…Gjithçka duket si një përrallë moderne. Por ti se di, që kur ato postojnë një tjetër foto me një tjetër çantë të re të markave mbi 5000 Euro, ti nuk mendon për mënyrën se si janë fituar paratë që e blenë atë çantë. Pas çdo selfie-je në një restorant të shtrenjtë, fshihet një histori që ato nuk do të tregojnë kurrë. Ndërkohë që ndjekësit e tyre ëndërrojnë për një jetë si ato, ata nuk e dinë çmimin e vërtetë të asaj jete, ku në realitet çdo postim është një përpjekje për të mbuluar realitetin e tyre.
Çdo hashtagë si #blessed, #myperfectlife, #livingthedream etj. janë netë pa gjumë, tension, rrezik, frika, krimi dhe ankthi për ditën e nesërme. Ama unë e di që ti je vajzë e zgjuar dhe e kupton që nëpërmjet postimeve ku mburren me pasuri dhe luks, ato harrojnë se çdo detaj i ndarë publikisht mund të shërbejë si provë për aktivitetet e tyre të paligjshme. Po buzëqesh besoj…Prit se kam edhe një gjë…Ama fotot e tyre, s’kanë nevojë për pak rregullim, se problem është edhe ky, pasi “pasuritë kombëtare” kanë etik, dhe etika s’i lejon çrregullimet estetike, dhe k’të e kam mësuar në një vizitë rutine tek onkologu.
Edhe një këshillë…Studio dhe mëso e dashur, mos lejo që iluzionet e pasurisë së lehtë të pengojnë në rrugën tënde. Bëhu e zonja e vetes!!! Kjo do të thotë të kesh vetëbesim dhe të jesh e pavarur. Zhvillo aftësitë dhe talentet e tua, vendosi vetes qëllime!!! Në fund të ditës, të jesh e zonja e vetes dhe të kesh një jetë të ndershme dhe të lumtur është arritja më e madhe që mund të kesh. Dhe kjo është diçka që nuk mund të blihet, nuk mund të falsifikohet dhe as nuk mund të shitet…
Me dashuri, nga një vajzë që mund të ishte në vendin tënd!/I.M
Burimi