Zjarr në një diskotekë në Maqedoni, 50 të vdekur deri tani. Ishin 1500 veta brenda

Zjarr në një diskotekë në Maqedoni, 50 të vdekur deri tani. Ishin 1500 veta brenda

Nuk ndalojnë aksidentet e zjarrit nëpër diskoteka. Pa kushte sigurie dhe me njerëz të çmendur që hedhin fishekzjarre, nuk ka asnjë garanci te futesh brenda tyre.
Të paktën 50 persona kanë vdekur në orët e vona të natës në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit në një klub nate, kanë thënë autoritetet maqedonase për agjencinë e lajmeve MIA.

Numri i të plagosurve nuk dihet, por një pjesë e tyre janë transferuar në klinikat në Shtip dhe Shkup.
Autoritetet ende nuk kanë treguar se si është përhapur zjarri dhe çfarë e ka shkaktuar atë.
Sipas mediave lokale, zjarri është përhapur nga mjetet piroteknike që janë përdorur gjatë një performance nga brendi maqedonas DNA. Në kohën e shpërthimit dhe përhapjes së zjarrit, klubi ka qenë i mbushur me mbi 1500 njerëz.
Mediat lokale kanë thënë se pas shpërthimit të zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë arritur zjarrfikësit, ambulanca, dhe zyrtarët policorë.
Këtë mëngjes, shumë njerëz janë parë përpara objektit në Koçan, tejet të brengosur për familjarët e tyre, meqë nuk e dinë nëse janë të gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i Qendrës për Menaxhim të Krizave, Stojançe Angellov ka bërë të ditur se është në Koçan, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
Autoritetet kanë thënë se do të deklarohen më vonë gjatë ditës.
Burimi

Ky lajmë ka
0 Komente