VOA: Akuza të reja ndaj Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë
Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, që trajton krimet e luftës në Kosovë, njoftoi të premten se ka ngritur akuza kundër ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci për vepra penale të pengimit të drejtësisë.
Në njoftim thuhet se zotit Thaçi iu dorëzua një fletë-arrestim dhe ndaj tij janë ngritur tri akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Pa dhënë më shumë hollësi rreth veprave për të cilat akuzohet zoti Thaçi, prokuroria tha se ai do të paraqitet para një Gjykatësi të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës lidhur me akuzat për vepra penale shtesë të ngritura kundër tij.
Në njoftim theksohet se Prokuroria ka arrestuar gjithashtu Bashkim Smakjan, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, për përpjekje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Që të tre u arrestuan të enjten dhe tashmë janë transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Të enjten prokuroria bastisi edhe shtëpinë e ish ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndërsa sot prokuroria tha se i është lëshuar fletëthirrje për paraqitje para Dhomave të Specializuara e cila ka ngritur kundër tij dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e trajton pengimin e drejtësisë jashtëzakonisht seriozisht dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që përfshihen në këtë veprimtari”, thuhet në njoftim./VOA/
Burimi