Veliaj pret delegacionin japonez, nderon me “Çelësin e Qytetit” kryetarin e Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze

Veliaj pret delegacionin japonez, nderon me “Çelësin e Qytetit” kryetarin e Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze

Një delegacion me anëtarë nga Parlamenti dhe Qeveria Japoneze, i kryesuar nga Takaaki Katsumata, kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, u prit në takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pjesë e axhendës së delegacionit japonez në kryeqytetin shqiptar ishte edhe ceremonia e posaçme për nderimin me “Çelësin e Tiranës” të kryetarit të Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi.
Duke vlerësuar marrëdhënien e veçantë mes Shqipërisë dhe Japonisë, në pritjen për kreun e Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Takaaki Katsumata, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi vizitën e delegacionit japonez, si një një gur themeli në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, në fusha të ndryshme të qeverisjes qendrore dhe vendore. “Dua që, këtë marrëdhënie të veçantë që kemi mes shteteve dhe qyteteve tona, Tiranës dhe Tokios, ta kthejmë në një marrëdhënie të veçantë edhe mes njerëzve tanë; mes njerëzve që bëjnë biznes, mes njerëzve të akademisë, dhe mes bashkive tona të niveleve të ndryshme”, tha Veliaj.
Takaaki Katsumata u shpreh me përshtypjet më të mira nga mikpritja në kryeqytetin shqiptar dhe vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy qyteteve e vendeve do të shtohen në të ardhmen. “Jam shumë i impresionuar nga mikpritja e mrekullueshme që gjeta në Tiranë. Marrëdhëniet mes shteteve janë të rëndësishme, por edhe marrëdhëniet mes njerëzve janë gjithashtu, shumë të rëndësishme, sepse njerëzit mund të gjejnë të përbashkëta dhe mund ta kuptojnë njëri-tjetrin. Ata mund të konfirmojnë rëndësinë e shkëmbimeve dhe kjo është arsyeja përse marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të përmirësohen”, u shpreh ai.
Më pas, në ceremoninë e nderimit me “Çelësin e Tiranës”, për kreun e Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi, Veliaj tha se i jepet në shenjë mirënjohje për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qyteteve tona. Kryebashkiaku vlerësoi Komunitetin shqiptaro-japonez në Japoni si një faktor kyç në forcimin e lidhjeve mes Tiranës dhe Tokios dhe ftoi kompanitë japoneze për të investuar në fushën e teknologjisë.
“Folëm për Zonën e Lirë Ekonomike, ku do të ishim të lumtur të kishim shumë kompani nga Japonia, për të investuar sidomos në fushën e teknologjisë, aty ku ne po investojmë shumicën e financave tona, me kurse për fëmijët që mësojnë kodim, robotikë, dhe shumë tema të ngjashme, me të cilat edhe ekonomia japoneze është bërë sot titullare në botë. Nuk ka shprehje më të bukur se sa ta përkthejmë suksesin tonë në ca gjëra që bëjmë ne, që ndoshta ju nuk i bëni dot; në ca gjëra që ju i bëni, që ne nuk i bëjmë dot. Por, të dy bashkë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme”, tha Veliaj.
Duke vënë në dukje bujarinë dhe mikpritjen shqiptare, si dhe rritjen e numrit të turistëve japonezë në Tiranë, Veliaj theksoi se kryeqyteti ka qenë dhe do të mbetet një derë e hapur për miqtë e mirë japonezë, nga biznesi, politika, arti, kultura dhe sporti.
“Ky çelës simbolik i kryeqytetit është një shenjë e miqësisë dhe e vlerësimit tonë për gjithë çfarë z. Kiuchi ka bërë dhe vazhdon të bëjë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe mes dy qyteteve tona. Përkushtimi i tij për shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e formave të ndryshme të bashkëpunimit në shumë nivele, është një kontribut i çmuar që meriton të nderohet me gjithë respektin, dashurinë dhe falenderimet tona. Vërtet është një gjest simbolik, por kështu theksojmë edhe një herë rëndësinë e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes popujve tanë, duke u angazhuar për një të ardhme të ndritur dhe të mbushur me mundësi të reja, potenciale të reja, bashkëpunime të reja”, theksoi kryebashkiaku.
Pasi shprehu mirënjohjen për vlerësimin, kreu i Komitetit të Miqësisë Shqiptaro-Japoneze, Minoru Kiuchi vlerësoi transformimin e Tiranës, përmes nismave e projekteve madhore, që sipas tij, kanë përmirësuar cilësinë e jetesës dhe e kanë përcaktuar Tiranën si një metropol dinamik e një pikë tërheqëse për investim dhe turizëm.
“Jam me të vërtet besimplotë që koha jonë në Tiranë do të japë kontribute për të përmirësuar marrëdhëniet tona mes dy vendeve dhe do t’i çojë ato në një nivel më të lartë dhe më të mirë. Kjo është vizita ime e katërt në Tiranë dhe kam vënë re transformimet e qytetit në çdo vizitë, nën drejtimin tuaj dhe të Kryeministrit Rama. Tirana është zhvilluar në një metropol dinamik, që nuk i shërben vetëm si kryeqytet ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë, por për të gjithë Shqipërinë. 10-vjeçari i fundit ka sjellë ndryshime të mëdha, sidomos përmes projekteve të mëdha urbane. Me rëndësi është gjithashtu roli juaj në promovimin e artit dhe kulturës. Zhvillimi ekonomik i Tiranës ka bërë ecuri të madhe në 10-vjeçarin e fundit, si pikë për shërbime dhe për tregti dhe Tirana është bërë nyje ekonomike në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Investimet e huaja direkte të vazhdueshme, sidomos në sektorin e turizmit, të tregtisë dhe ndërtimit, ka sjellë përmirësimin dhe rritjen e zhvillimit të qytetit. Kjo mikpritje dhe bashkëbisedimi me ju, zoti Veliaj, më ka dhënë vetëbesim në të ardhmen e marrëdhënieve tona dypalëshe. Jam i sigurt që do të ketë shumë mundësi partneriteti, të cilat do t’i eksplorojmë së bashku”, theksoi Kiuchi.
Burimi