
Taulant Balla nga Përrenjasi: Jo më pensione nën 200 euro, angazhim për mandatin e ardhshëm
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla nga Përrenjasi ku zhvilloi një takim me anëtarët e Partisë Socialise, tha sot se askush nuk duhet t’i besojë premtimeve për pensione 400 euro që bëjnë poshtë e lart partitë, por Partia Socialiste synon të mos ketë më pensione nën 200 euro.
“Duhet të bëjmë më shumë për pensionistët. Ndaj kemi vendosur që mandatin e ardhshëm të mos ketë më pensione nën 200 euro dhe ky është angazhim solemn i Partisë Socialiste. Këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama. Sude, Xhaferra që vijnë në Përrenjas, takojnë në rrugë dhe thonë do ta bëj pensionin 400 euro direkt sa të fitojmë. Ju e dini fare mirë që është e pamundur, sepse kjo është situata. Por, natyrshëm, ne 400 euro do ta bëjmë pensionin, por jo pensionin minimal, por pensionin mesatar në mandatin tonë të ri”, u shpreh Balla.
Balla u rikujtoi socialistëve të Përrenjasit se Partia Socialiste realizoi 270 mijë legalizime, plot 12 herë më shumë, pra aq vite sa ka në pushtet, krahasuar me 21 mijë të Partisë Demokratike deri në 2013.
Për Ballën, vota e 11 majit është historike, e barabartë, po aq e rëndësishme sa në 2013, kur e rrëzuan Sali Berishën.
“Nuk ka rrezik të vijë Saliu prapë. E di dhe bufi vetë, siç e thotë dhe shprehja, ndaj bëri një listë ai, që të ketë 46 vetë poshtë ballkonit kur të humbë zgjedhjet. I patë primaret si dolën? E hëngrën në sekondare. Të heqësh nga lista ca deputetë të cilët bënë opozitën dhe të fusësh Klevis Balliun, ti di fare mirë që ti s’fiton. Budallai ka nivele, por ky është niveli më i madh”, tha ai.
Balla tha se qarku i Elbasanit kësaj radhe duhet t’i japë Edi Ramës edhe mandatin e nëntë.
“Më ka ngelur një pishman i vogël për një grusht votash. Nuk morëm dot mandatin e 9-të. Prandaj, bashkë me ju, se natyrshëm duhet të jem dhe në diasporë, edhe në Tiranë, edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë për të dhënë kontributin tim, por nuk do mungoj në këtë fushatë sa të kem mundësi që ne t’i japim Edi Ramës 9 mandate nga qarku i Elbasanit. Ky është objektivi minimal. Nuk i dihet, mund të shkojmë edhe më tej”, u shpreh Balla.
Balla tha më tej se ish-kryeministri Sali Berisha, që sot drejton gishtin nga socialistët, ka vrarë njerëz me skemën e tij korruptive të shkatërrimit të industrisë ushtarake, vetëm për të bërë biznes i biri.
“E keni dëgjuar bufin? Bufi thotë se do ta mbyllë SPAK-un, sepse e di që është nën akuzë për korrupsion, për fshehje të pasurisë. Dhe pastaj, me paturpësinë më të madhe, del dhe na drejton gishtin ndaj nesh. Një njeri që ka vrarë me korrupsionin e vet. 17 vite më parë, Sali Berisha vriste me korrupsionin e vet 26 njerëz në Gërdec. Pse harruan shqiptarët çfarë ishte Gërdeci? Ishte një skemë korruptive e shkatërrimit të industrisë ushtarake të Shqipërisë. Demontonte predhat, fishekët, për të bërë biznes i biri i tij. Dhe nga ky demontim kriminal, në kushte kriminale, i vuri minat një zone të tërë. Dhe ky tani del, guxon, ky drejton gishtin nga ne. Ky që ka vrarë për korrupsion. Ky që në 21 janar vrau për të mbrojtur korrupsionin e vet dhe të Ilir Metës. Prandaj populli nuk mund ta harrojë këtë. Ndoshta populli harroi, falë gabimeve tona, në 2005-ën, se kishte vrarë në ’97-ën për të mbrojtur piramidat që vetë i ngriti”, deklaroi Balla në Asamblenë Socialiste të Përrenjasit, ku u prezantua kandidatja Ela Toçka.
Balla tha se këtë diskutim socialistët e Përrenjasit duhet ta bëjnë sy më sy çdo ditë, nga mëngjesi në darkë, me elektoratin, sepse duke votuar për Olsi Komicin në Librazhd dhe Ela Toçkën në Prrenjas, reforma në drejtësi do të vazhdojë përpara. Kandidatë të tillë, sipas tij, tregojnë se Partia Socialiste i jep mundësi të gjithëve atyre që punojnë me ndershmëri të përfaqësojnë komunitetet e tyre.
“E patë listën e bufit? Mos e shihni fare, se s’ka asnjë nga ne aty. Të vësh Olsin apo Elën përballë Kujtim Gjuzit, të kemi ne vëllezër e motra që mund të çojnë votën tek ai, pa hyrë pastaj te këto partiçkat e reja. Që imagjinoni u frynë si gjela e s’gjetën kandidat, dhe vunë babën e vet. Që të vegjël me hile, edhe pse aq të vegjël s’janë. E provuan një herë si dolën në 2013, se i kemi pasur përballë, mbani mend? Atëherë quhej Aleanca Kuqezi. Prapë ata janë, nuk ka të rinj”, deklaroi Balla.
Vetëm Partia Socialiste ka sjellë kandidatë të rinj, sipas Ballës, përmes Deputetit që Duam, madje edhe nga diaspora.
“Një ndër 4 kandidatë ka ardhur nga një proces i hapur përmes Deputetit që Duam. Partia Socialiste është e vetmja dritare. Kemi dhe përfaqësues të diasporës. Vera Ndreca, profesoreshë në Universitetin e Kardifit, konkurron në Shkodër. Edhe diaspora vetëm te PS ka përfaqësues. Ju gënjyen ata, asnjë nuk vunë as te lista e bufit, as e këtyre bufave të vegjël që e shesin veten për të rinj”, përfundoi ai. /j.p/ ATSH
Burimi