
Sot afati i fundit i dorëzimit të listave për deputetë! PS e PD vendosin ekipin garues për 11 majin
Partitë politike duhet të dorëzojnë në KQZ deri në mesnatë listat me 186 kandidatë për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 46 emra për listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.
Por si nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike ende nuk ka një listë përfundimtare, ndërsa pritet që “vula” për emrat të jepet këtë pasdite ku partitë kanë thirrur në takime strukturat.
Kryesocialisti Rama mbledh në 19:00 Kryesinë e PS, ndërsa para mbledhjes do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, Taulant Ballën. Në këtë takim përveç bilancit të punës që është bërë deri më tani, pritet të diskutohet edhe për emra potencialë që mund të vijnë nga diaspora.
Shumica e grupit parlamentar të PS pritet të jetë në listën e hapur, pasi kryeministri Rama deklaroi se ata që kanë fituar qoftë edhe një mandat nën siglën e PS do jenë listën e hapur, përveç drejtuesve politikë të qarqeve. Ndërkohë, surprizë mbetet vendimi i kryesocialistit Edi Rama, i cili për herë të parë tha se mund të mos kandidojë fare si deputet.
Nga ana tjetër, edhe kampi blu po bën gati listën. Kryetari i PD-së, Sali Berisha do të mbledhë Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar. Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet të mërkurën në orën 17:00, ndërsa Këshilli Kombëtar në orën 19:00.
Burimi