
Si u akuzua Pablo Picasso dhe Guillaume Apollinaire për vjedhjen e kryeveprës së Leonardo da Vincit, “Mona Lisa”?!
Albert Vataj
Kur ‘Mona Lisa’ u zhduk nga Muzeu i Luvrit më 21 gusht 1911, një valë paniku përfshiu botën e artit. Ishte një ngjarje që tronditi Parisin dhe të gjithë ata që e konsideronin këtë pikturë si një nga thesaret më të çmuara të njerëzimit. Por sa nga ajo ishte mister dhe sa ishte intrigë? Dhe, çfarë lidhte dy nga figurat më të mëdha të avangardës, Pablo Picasso dhe Guillaume Apollinaire, me këtë vjedhje spektakolare?Të qenit i famshëm e rrit potencialisht rrezikun e përfundimit, jo vetëm në përgojime dhe në shpifje, por edhe në akuza për përvetësim të kryeveprave të artit me rrezik heqje lirie. Dhe kjo, kë mund të shënjonte më bukur sesa Pablo Picasso, një artist shumëdimensional, një zë dhe një personalitet ndërkombëtarisht i njohur?Mes legjendës dhe të vërtetës qëndron fakti, dhe ai e trazoi jo pak jetën e piktorit dhe mikut të tij, poeti avangardë Guillaume Apollinaire.Gjithçka nisi kur një burrë me emrin Joseph Géry Pieret publikoi në “Paris-Journal”, tetë ditë pas vjedhjes, se Picasso dhe Apollinaire kishin në posedim skulptura iberike të vjedhura nga Luvri. Kjo i bëri ata menjëherë të dyshuar për vjedhjen e “Mona Lisës”. Në të vërtetë, Pieret, një mashtrues i njohur dhe ish-sekretar i Apollinaire-it, ishte ai që i kishte vjedhur statujat dhe ia kishte shitur Picasso-s. Artisti i bleu pavarësisht nga vulat në fund të tyre, ku lexohej qartë se ishin pronë e Muzeut të Luvrit.Por kur skandali doli në dritë, Picasso, i tmerruar, ia dorëzoi statujat gazetës “Paris-Journal”, duke shpresuar të shmangte çdo problem me autoritetet. Megjithatë, dëmi ishte bërë. I ndodhur përballë hetimeve të ethshme, Apollinaire, nga frika, tentoi ta përfshinte Picasso-n edhe më thellë në çështje, duke e bërë situatën dramatike.Në një dhomë të errët hetimesh, Picasso dhe Apollinaire u morën në pyetje në gjykatë. Ishte një moment që do të mbetej i paharrueshëm në jetën e tyre. Përballë akuzave, Picasso, ende një artist në ngritje dhe jo ende gjeniu i pakundërshtueshëm që historia e njeh sot, dridhej nga frika e burgosjes. Në një moment të dëshpëruar, Apollinaire u përpoq të shpëtonte veten duke sugjeruar se Picasso mund të dinte më shumë nga ç’pretendohej.I tradhtuar nga miku i tij i ngushtë, Picasso shpërtheu në lot dhe klithi: “Nuk e kam parë kurrë atë grua!”, duke iu referuar “Mona Lisës”.Gjykata, megjithatë, nuk mund të siguronte asnjë provë që mund t’i lidhte ata me vjedhjen e kryeveprës së da Vincit. Pas disa ditësh tmerri, ata u liruan. Por ngjarja la një hije të rëndë mbi ta, veçanërisht mbi Picasso-n, i cili nuk do ta harronte kurrë këtë përvojë.Në dhjetor të vitit 1913, për lehtësimin e madh të Picasso-s dhe të gjithë botës së artit, “Mona Lisa” më në fund u shfaq në Firence, Itali. U zbulua se një punonjës i Luvrit, me emrin Vincenzo Peruggia, e kishte vjedhur pikturën në një përpjekje për ta kthyer atë në atdheun e saj, Italinë.Megjithëse i pafajshëm, Picasso nuk do ta harronte kurrë këtë episod. Ai e përforcoi paranojën e tij dhe ndoshta ndikoi në stilin e tij të mëvonshëm, duke i dhënë artit të tij një dimension të ri të ankthit dhe misterit. “Mona Lisa” u rikthye në Luvër, por fantazma e akuzave do ta përndiqte Picasso-n për vite me radhë.Një episod që e shndërroi jo vetëm atë, por edhe mënyrën se si arti dhe artistët perceptoheshin përballë ligjit dhe moralit të shoqërisë.
Burimi