
Shkon në 59 numri i të vdekurve nga zjarri në diskotekë në Maqedoninë e Veriut
Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski para pak çastesh deklaroi se numri i viktimave nga tragjedia në Koçan ka shkuar në 59, derisa numri i të lënduarve është rritur në 155.
Sipas Toshkovski në mesin e viktimave është edhe një polic, raportoi “Alsat-M”.
Polici sipas Toshkovskit ka qenë në detyrë dhe në kontroll për përdorim të lëndëve narkotike.
Për katër persona është lëshuar fletarrest qendror lidhur me zjarrin në diskotekën e Koçanit, i cili shpërtheu mbrëmë, dhe në të cilin sipas informacioneve me të cilat disponojnë autoritetet deri në orën 11:30 kanë humbur jetën 59 persona, prej të cilëve 35 janë identifikuar, prej tyre 31 janë nga Koçani, katër nga Shtipi.
“Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, aktualisht vepron në Ministrinë e Ekonomisë, nga ku po sigurohet dokumentacioni për diskotekën në fjalë, si dhe personat e lidhur me të”, tha Toshkovski.
Ministri theksoi se në këtë moment nuk mund të thotë më shumë për katër personat për të cilët është lëshuar urdhër arresti.
Si pasojë e zjarrit që shpërtheu mbrëmë në diskotekën “Puls” në Koçan ku po performonte grupi ADN, këngëtari Vlladimir Blazev-Panço ka pësuar djegie në fytyrë dhe dorë dhe ndodhet në mbështetje oksigjeni, kanë informuar familjarë të artistit.
Burimi