
Raporti i DASH për Shqipërinë: SPAK shkatërroi disa organizata të rëndësishme të krimit të organizuar
Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, departamenti për Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit publikoi sot raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve. Në pjesën për Shqipërinë në raport thuhet se operacione shpesh të mbështetura nga këshilltarë të SHBA-së dhe BE-së, çuan në shkatërrimin e disa organizatave të rëndësishme të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të drogës në vitin 2024.
Raporti pasqyron punën e strukturës së posaçme e Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duke theksuar se kjo prokurori sekuestroi dhe konfiskoi edhe asete të rëndësishme, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata. “Në një shembull, SPAK-u dhe Policia e Shtetit Shqiptar u bashkërenduan me Eurojust, Europol dhe autoritete të tjera duke patur si objektiv një grup të krimit të organizuar të udhëhequr nga shqiptarët që trafikonte kokainë dhe pastronte të ardhurat përmes kompanive që furnizonin fatura të rreme me vlerë rreth 400 milionë dollarë. Operacioni çoi në 66 arrestime dhe sekuestrimin e 360 kilogramëve kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe armë e asete të tjera me vlerë 65 milionë dollar”, thuhet në raport.
Aty gjendet edhe një pasqyrim i rezultateve të vetingut. Po ashtu, raporti nënvizon se Shqipëria vazhdon të bëjë përparime në përmirësimin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT). Në këtë pikë, në raport zë vend edhe ngritja e ministrisë së re të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin që ka publikuar një strategji për të përmirësuar integritetin në sektorët e cenueshëm dhe për të parandaluar korrupsionin në administratën publike.
Në raport thuhet se qeveria dhe institucionet duhet të zbatojnë plotësisht reformat për të shmangur rënien përsëri të sundimit të ligjit. “Agjencitë e zbatimit të ligjit përdorin një ligj anti-mafia për të sekuestruar asetet e lidhura me trafikimin e drogës dhe të korrupsionit. Në maj të 2024, ministri i brendshëm njoftoi krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve. Kjo zyrë do t’i japë përparësi gjurmimit dhe sekuestrimit të aseteve dhe fondeve nga aktivitetet kriminale”, thuhet në raport.
Strategjia kundër korrupsionit, vijon raporti, kërkon mbrojtje për sinjalizuesit dhe korniza ligjore më të mira për të trajtuar korrupsionin, lobimin dhe financimin e partive politike. Duke u ndalur sërish tek puna e SPAK, raporti nënvizon se SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe konfiskimet dhe kreu paralelisht hetime financiare dhe të aseteve kur dyshonte për asete të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta.
“Në vitin 2023, SPAK sekuestroi asete me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator të vitit 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të përcaktuar sipas “Aktit të Ndarjes Buxhetore të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programevë të Ndërlidhura, 2021” me 7031 (c) Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare për veprime zyrtare në dobi të interesave të familjes së tij. SPAK akuzoi edhe dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe aksionet e dhëndrit në kompanitë e lidhura me korrupsionin”, thuhet në raport.
Në vijim të rekomandimeve, raporti thotë se Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin e zbatimit të ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe të prokurorëve për t’u përqendruar në korrupsion, pastrimin e parave dhe krimet komplekse ekonomike. “Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformat e kodit penal të vitit 2016 dhe 2017”, përfundon raporti.
Burimi