
Rama ndan historinë e emigrantit të kthyer nga Londra: Hapa një Akademi Futbolli të çertifikuar nga UEFA
Kryeministri Edi Rama ka ndarë historinë e 33-vjeçarit që vendosi të linte Anglinë për t’u kthyer në Shkodër. Met Hasaj është një prej shkodranëve që është rikthyer nga emigracioni në vendlindjen e tij, për të investuar në hapjen e një Akademie Futbolli për moshat e reja. Pasi vendosi të kthehet në vendlindje, ai kreu shkollën për trajner sporti në universitetin e Tetovës, ku edhe ka marrë licencën nga UEFA si trajner.
”I certifikuar nga UEFA si trajner, ai frymëzon të rinjtë shqiptarë të besojnë në ëndrrat e tyre dhe në potencialin që ka Shqipëria”,-shprehet Rama.
33-vjeçari në videon e shpërndarë nga Kryeministri ka ndarë detaje nga historia e tij e emigrimit nga Londra në Milano të Italisë, ku ka punuar dhe jetuar për disa vite. Nga ana tjetër në video i riu tregon për gjithë rrugëtimin e tij në Londër dhe për arsyet që e bën të kthehet në Shqipëri.
Postimi i plotë
Met Hasaj 33 vjeç vendosi të linte Anglinë për tu kthyer në Shkodër, ku ka investuar në hapjen e një Akademie Futbolli për moshat e reja. I certifikuar nga UEFA si trajner, ai frymëzon të rinjtë shqiptarë të besojnë në ëndrrat e tyre dhe në potencialin që ka Shqipëria.
Pasionin e tij të fëmijërisë për sportin, Meti e realizoi këtu në vendin e tij dhe jo në shtetet ku provoi të emigronte për një jetë më të mirë. Sot i bindur në vendimin që ka marrë iu bën apel që të gjithë atyre që kanë emigruar të kthehen, duke investuar dijet dhe mundin e tyre në Shqipëri.