
Rama: Më 11 maj synojmë 1 milion vota për Partinë Socialiste
Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur në selinë rozë kandidatët për deputetë të PS për Qarkun e Tiranës. Të pranishme janë edhe dy drejtueset e qarkut, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, të cilat janë në listën e mbyllur të Tiranës.
Rama tha se më 11 maj synojnë 1 milionë vota për siglën e PS.
“Ne jemi këtu, mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve që me votën e diasporës mund të shkojmë afër 1 milionëshit. E pamundur të mos mendojmë dhe të mos përpiqemi që këtë forcë t’ua vëmë në dispozicion të gjithëve“, tha Rama.
Më tej, Rama theksoi se me hyrjen në BE Shqipëria do të bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria.
“Kudo ku një shqiptar me pasaportën e BE do të gjendet dhe do të ketë nevojë për ndihmë dhe nuk do të ketë pranë ambasadë të Shqipërisë, ambasada më e afërt e BE do të jetë në dispozicion. Me hyrjen tonë në BE, Shqipëria bëhet sa Evropa dhe Evropa sa Shqipëria. Siç shkojmë nga Shkodra në Korçë me të njëjtën lehtësi, do të shkojmë nga Portugalia në Poloni, nga Shqipëria në Suedi. Pra, ndryshon komplet perspektiva. Këto janë zgjedhjet e 11 majit në thelb. Për këtë arsye duhet të bëjmë çmos që në këto zgjedhje të marrim rezultatin më të mirë të të gjithë kësaj historie fitoresh, duhet të marrim fitoren me notën 10 duke filluar nga Tirana, ku qielli duhet të jetë kufiri. Llogaritë aritmetike nuk vlejnë në këto zgjedhje, por vlen llogaria e shqiptarëve në të shkuarën me të ardhmen. Na duhen 1 vit e gjysmë, jo më shumë, për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe për të përmbyllur gjithçka. Dhe më pas vetëm parlamentet e vendeve të tjera që do të jenë ngjarje historik më vete, ku çdo parlament do të votojë që të jetë anëtare e BE dhe do të çohet në këmbë të duartrokasë Shqipërinë”, tha Rama.
Burimi