
Rama kritika nxënësit, por i kërkon në fund një foto: Betohu para fshatit…
Gjatë inspektimit të rrugës Berat-Ballaban, kryeministri Edi Rama shkëmbeu batuta edhe me një nxënës të klasës së tetë në Zhitom, (Bardhaj-Drobonik). Kreu i qeverisë e pyeti për mësimet dhe për notat. Kur mori përgjigjen se kishte marrë 7-të, erdhi reagimi surprizë nga kryeministri i cili ”shpërtheu”.
”Pse shtatë, hajde këtu, hajde! Duhet të futësh në kokë sa më shumë, prandaj e ke kokën, duhet të mësosh sa më shumë sot, që nesër të ecësh para. Unë do të të ndjek ty, dakord, do të të ndjek! Kokën e ke plotë me mend, nuk e ke ujitur, s’e ke prashitur, do të të ndjek këmba këmbës! Shiko si punojnë këta, babai, gjyshi, stërgjyshi, të kanë pajisur me libra, çanta, fletore. Në sy të fshatit po të them nuk të ndahem”, i thotë Rama nxënësit i cili i premton se do të mësojë më shumë.
Pasi mbaroi inspektimin, Rama kërkoi nxënësin për të bërë një fotografi së bashku. ”Ku shkoi ky? Iku të mësojë? Aty është? Hajde këtu, hajde. Të bëjmë një fotografi së bashku. Ku më ike, hajde”, vijon kreu i qeverisë, teksa përqafon dhe puth nxënësin pas fotos.
Burimi